http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 04 nëntor 2010 - 13:09 CET

Muharrem Nitaj
BBC, Prishtinë

KQZ-ja e gatshme për zgjedhjet e dhjetorit

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka i ka deklaruar BBC-së se zgjedhjet e dhjetorit në Kosovë, në aspektin teknik të organizimit do të jenë sipas standardeve që kërkohen.

Ajo ka thënë se tashmë ka garanci se në këto zgjedhje do të ketë edhe vëzhgues të mjaftueshem ndërkombëtar.

Por, standardin e këtyre zgjedhjeve ka thënë zonja Daka, nuk e përcakton vetëm KQZ-ja, por edhe partitë politike. Shumë çka varet prej tyre.

BBC: Zonja Daka, KQZ-ja është para sfidës më të madhe që ka pasur ndonjëherë që për 45 ditë t’i organizojë zgjedhjet e përgjithshme. Ku është KQZ-ja në këtë proces?

Valdete Daka: Së pari jemi shumë të vetëdishëm se KQZ-ja e ka një detyrë dhe obligim shumë të rëndë, por qe kjo detyrë dhe ky obligim është i paraparë me kushtetutë dhe me ligjin mbi zgjedhjet.

Pra është detyrë jona që ne t’i organizojmë dhe t’i implementojmë zgjedhjet në Kosovë, çfardo qofshin ato.

Mirëpo është e vërtetë se jemi nën një presion të një afati shumë të shkurtër, por rregullat zgjedhore na lejojnë që në rast të zgjedhjeve të parakohshme, të kemi mundësi që t’i shkurtojmë afatet, gjë që edhe e kemi bërë me një vendim të KQZ-së.

BBC: Zonja Daka unë e kam të qartë se ju jeni të obliguar që në çdo situatë duhet të jeni të gatshëm t’i organizoni zgjedhjet, por unë do të doja të di nëse ju i keni mundësitë kësaj rradhe që ta përmbushni këtë detyrë?

Valdete Daka: Së pari e kemi bazën ligjore për shkurtimin e afateve. Kja na ka mundësuar që të përpilojmë një plan operacional të cilin e kemi miratuar të mërkurën më 3 nëntor.

Kjo ka bërë që të fillojnë afatet për aplikimin e forcave politike, për deklarimin e koalicioneve, për certifikimin e tyre, mëpastaj afati për përpilimin e listës së votuesve e kështu me radhë.

Por kjo tashmë nuk varet vetëm nga KQZ-ja, por edhe nga subjektet politike të cilat duhet të jenë të vëmendshme t’i përcjellin afatet dhe t’i respektojnë ato.

BBC: A do të ketë një fushatë ndërgjegjësimi për votuesit se si ata mund ta kryejnë obligimin e tyre?

Valdete Daka: Patjetër se do të ketë një fushatë të tillë dhe ajo do të zgjasë, pothuajse deri në ditën e zgjedhjeve.

BBC: Cili ka qenë bashkëpunimi i KQZ-së me institucionet e Kosovës për të marr buxhetin që juve ju duhet, por edhe me strukturat ndërkombëtare për organizimin siç duhet të këtyre zgjedhjeve?

Valdete Daka: Kemi pasë bashkëpunim të mirë për buxhetin e KQZ-së për zgjedhjet. Kemi lidhur marrëveshje me ministrinë e punëve të brendshme për sigurinë gjatë procesit të zgjedhjeve.

Po përgatitemi që të lidhim marrëveshje edhe me ministrinë e arsimit për të siguruar infrastrukturën për votime si dhe një marrëveshje me ministirinë e energjetikës.

BBC: Kjo e fundit nënkupton që t’i siguroni dritat në ditën e votimit dhe që zgjedhjet të mos zhvillohen në terr, siç po pretendon një pjesë e opozitës?

Valdete Daka: Patjetër se memorandumi me ministrinë e energjetikës është obligim i kësaj ministrie që të na sigurojë rrymë pandërprerë.

BBC: Presidenti në detyrë Krasniqi, i ka ftuar vëzhguesit e vendit dhe ata të BE-së që të monitorojnë zgjedhjet. Besoni se do të ndodhë kjo, sepse ka zëra se afati është shumë i shkurtër?

Valdete Daka: Kemi premtime të forta edhe nga ambasadat e vendeve të Quintit por edhe nga amabasadat tjera dhe zotime se do të dërgohën vëzhguesit për këto zgjedhje. Unë them se ata tashmë kanë filluar hapa konkret për dërgimin e vëzhguesve. Dhe ne do ta bëjmë një ftesë zyretare dhe unë besoj se nuk do të kemi probleme me vëzhguesit.

BBC: KQZ-ja ka pasur disa probleme gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Ka pasur disa probleme në raport me KZAP-in. Ai i keni tejkaluar këto vështirësi?

Valdete Daka: Grupi punues i ka bërë disa ndryshime. Ato ndryshime sado që të vogla, për KQZ-n janë shumë të mdha. Në ligjin për zgjedhjet është ndryshuar fjalia famoze “udhëzim”.

Tash është ndryshu dhe komisioni për ankesa apo paneli siç quhet tani. Ai ka më shumë autorizime dhe ka një numër dyfish më të madh të gjyqtarëve prej dhjetë sish dhe kjo do t’i mundësojë atij që të jetë më efektiv.

Kësaj radhe afatet për ankimim janë shumë më të shkurtëra, 24 orë, çka u pamundëson subjekteve politike që të bëjnë ankesa vetëm sa për ta zvarritur procesin.

BBC: E fundit zonja Daka. Ju shpresoni që zgjedhjet e 12 dhjetorit do te jenë të lira dhe demokratike?

Valdete Daka: Sa i përket KQZ-së, po. Ne jemi në gjendje t’i organizojmë siç duhet dhe siç kërkohet. Por nëse ato do të jenë të lira dhe demokratike nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga subjektet që marrin pjesë në këto zgjedhje.