http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 03 nëntor 2010 - 14:37 CET

Pack: Bisedimet me Beogradin pas zgjedhjeve

Eurodeputetja gjermane, Doris Pack, i tha BBC-së se bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit mund të fillojnë vetëm pasi të jenë kryer zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe pasi të jetë zgjedhur qeveria e re në Prishtinë.

Zonja Pack tha se bisedimet nuk mund të zhvillohen me një qeveri në dorëheqje dhe kërkoi që të pritet edhe një kohë deri në fillimin e tyre.

Eurodeputetja gjermane,e cila ndodhet për një vizitë në Prishtinë, tha se Kosova nuk është në krizë politike dhe e cilësoi si veprim demokratik shpërndarjen e parlamentit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve.

Zonja Pack u nderua të mërkurën me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Prishtinës.

Ajo shprehu besimin e saj se serbët e Kosovës nuk do të pengohen për të marrë pjesë në zgjedhje nga autoritetet në Beograd dhe vlerësoi se ky do të mund të shënonte hapin e parë drejt ndërtimit të një klime të mirëbesimit mes Kosovës e Serbisë, përpara bisedimeve për çështjet e interesit të përbashkët.

Zonja Pack tha se situata në Kosovë nuk mund të keqpërdoret si një arsyetim nga askush në BE për të mos ecur përpara, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave.

Ajo kërkoi nga BE-ja një tjetër sjellje në raport me Kosovën.

Arbër Vllahiu i BBC-së zhvilloi bisedën me zonjën.

BBC: Zonja Pack keni ardhur në Kosovë në një periudhë shumë të ndjeshme politike, kur u shpërnda parlamenti pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës. Si i shihni ju këto zhvillime?

Doris Pack: Unë kisha vendosur që të vij këtu pa e ditur se ky është një moment i posaçëm në skenën politike. Mendoj se kjo skenë politike e ka zgjidhur këtë në mënyrë korrekte. Ishte një sjellje normale në një situatë të tillë.

Tani ndodhemi para zgjedhjeve dhe kjo ndodh në të gjitha demokracitë. Të gjitha demokracitë e zgjidhin në mënyrë të ngjashme. Kishte një votim dhe ai u krye në mënyrë të drejtë. Nuk kam dyshim se ky vend mund t'i bëjë ballë edhe gjërave më të rënda se kjo.

BBC: Pra, ju thoni se me këtë që ndodhi në Kuvend dhe pas tij Kosova po del jashtë krizës institucionale dhe as politike?

 Nuk bëhet fjalë për një krizë të madhe politike, por një krizë demokratike në institucione që mund të menaxhohet dhe të zgjidhet.
 
Doris Pack

Dori Pack: Ashtu mendoj. Tani ata janë në një situatë normale parazgjedhore. Do të kemi një fushatë të ashpër dhe do të jetë në rregull. Janë edhe 5 javë deri në 12 dhjetor dhe pastaj do të kemi sa më shpejt të jetë e mundur një qeveri që do të vazhdojë rrugën për të stabilizuar demokracinë. Pra, nuk shoh ndonjë problem të madh.

BBC: Por mesi i dhjetorit nuk duket një kohë e përshtatshme posaçërisht në agjendën ndërkombëtare. Ka mundësi që këto zgjedhje të jashtëzakonshme të mbikëqyren ndërkombëtarisht?

Dori Pack: Mendoj se po. Nuk është nga fundi i dhjetorit, por fillimi i këtij muaji, dhe mendoj se do të mund të merremi me to. Unë jam e lirë në këtë periudhë dhe shpresoj se edhe ndonjë koleg imi do të vijë. Është e vërtetë se është shumë shpejt, por jam e bindur se KQZ-ja mund t’i menaxhojë ato.

BBC: Kur flasim për zgjedhjet unë supozoj se ju u keni bërë thirrje autoriteteve të zbatojnë standarde ndërkombëtare, por ku i shihni serbët në këtë proces marrë parasysh se ata i kanë bojkotuar pothuaj të gjitha zgjedhjet e deritashme të përgjithshme në vend?

Dori Pack: Mendoj se serbët do të jenë ndryshe në dhjetor. Sapo kam dëgjuar se disa nga politikanët e rëndësishëm në Serbi kanë kërkuar që serbët e Kosovës të mos pengohen për të votuar. Po presim edhe presidentin Tadiq që të thotë diçka ose të kërkoj që të mos pengohen ata, sikur ka bërë Beogradi më parë.

Mendoj se më e mira për serbët e Kosovës është që të marrin pjesë në zgjedhje, sepse kjo nënkupton fatin e tyre. Ata duhet të shikojnë kah e ardhmja e tyre dhe të mos presin nëse Beogradi mund ose do të bëjë diçka për ta. Kjo sepse kemi të bëjmë me realitetin në Kosovë dhe sepse ata jetojnë në këtë vend dhe mendoj se ata duhet të marrin pjesë.

BBC: Pra ju shihni një ndryshim të klimës politike në Beograd?

Dori Pack: Pak, jo shumë. Mendoj se nuk duhet t’i zmadhojmë gjërat. Nëse duan ta kenë një klimë më të mirë ndërmjet Kosovës dhe Beogradit dhe të mendojnë për bisedimet për përmirësimin e jetës së përditshme, mendoj se ky është hapi i parë që duhet bërë.

BBC: Kur po flasim për bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit a mendoni se kjo situatë politike në Prishtinë mund të ketë ndonjë ndikim këto bisedime që pritet të ndërmjetësohen nga BE-ja?

Dori Pack: Jo, mendoj se ata arritën të shpërndajnë Parlamentin në një mënyrë demokratike dhe vendosën të kenë zgjedhje më herët. Nuk ka dyshim se ata do t’i menaxhojnë ato. Prandaj nuk ka nevojë për të bërë probleme rreth negociatave. Mirëpo mendoj se bisedimet do të fillojnë vetëm pas zgjedhjeve. Ajo që ka zgjatur shumë mund të pres edhe pak.

BBC: Pra nuk ka asnjë gjasë që bisedimet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, siç ishte paraparë nga BE-ja?

Dori Pack: Problemi është se kush do t’i zhvillojë ato, sepse qeveria është në dorëheqje dhe nuk mund të punojë në kushte normale. Prandaj mendoj se duhet të gjithë të presim qeverinë e ardhshme dhe pastaj bisedimet mund të fillojnë.

BBC: Dhe më lejoni t’ju pyes zonja Pack, a ka patur kjo krizë politike në Kosovë ndonjë ndikim mbi proceset e vendit që janë të ndërlidhura me BE-në, në këtë rrafsh me liberalizim të vizave?

Dori Pack: Jo, nuk ka krizë. Kjo është një situatë normale kur qeveria është ngushtuar ka një procedurë për ta zgjidhur dhe ajo është zgjidhur tani. Është shpërndarë Parlamenti dhe tani janë shpallur zgjedhjet.

Nuk bëhet fjalë për një krizë të madhe politike, por një krizë demokratike në institucione që mund të menaxhohet dhe të zgjidhet. Kjo është bërë dhe mendoj se nuk mund të merret si një arsye për asnjë gjë, të jepet udhërrëfyesi ose jo.

BBC: Pra nuk kishte ndikim mbi këtë proces krejt kjo që ka ndodhur, megjithëse Kosova nuk mori udhërrëfyesin. Pra kjo është e ndërlidhur me çështje të tjera politike?

Dori Pack: Mendoj se nuk duhet të keqpërdoret si një arsyetim për të mos ecur tutje, flas këtu nga pala jonë, pra evropiane. Unë mund të flas vetëm në emrin tim, por ajo që tani unë pres është një sjellje tjetër e BE-së ndaj Kosovës. Prandaj unë mendoj se kjo nuk duhet të shërbejë si një arsye për të mos ecur përpara.