BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 29 nëntor 2010 - 16:37 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Çfarë janë Wikileaks?
 
Mesazhet sekrete të ambasadave amerikane
Mesazhet sekrete të ambasadave amerikane
Po dalin hollësi të tjera pas botimit të mijëra copëzave të mesazheve diplomatike amerikane nga faqia e internetit Wikileaks.

Midis mesazheve të publikuara është një njoftim se Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite i kishte kërkuar Shteteve të Bashkuara të sulmonte dhe shkatërronte instalimet bërthamore të Iranit.

Dokumentat e publikuara nga Wikileaks përmbajnë gjithashtu vlerësime jo shumë të favorshme për udhëheqës të ndryshëm botërorë.

Ditët e ardhshme pritet të publikohen edhe rreth 30 mijë mesazhe të tjera.

Në to bëhen referenca për Lindjen e Mesme, udhëheqës botërorë.

Çfarë janë dokumentet e zbuluara?

 Kjo është shumë dëmtuese dhe në të vërtetë është plotësisht e papërgjegjshme nga kushdo që është përfshirë.
 
Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill

Ato mund të ndahen në tre grupe kryesore. Një kategori përfshin marrëdhëniet midis vendeve. Njoftimi se Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite i ka bërë thirrje Uashingtonit të shkatërrojë instalimet bërthamore të Iranit, futet në këtë kategori.

Ka gjithashtu korrespondencë ku Izraeli u thotë zyrtarëve amerikanë se është konsultuar me Egjiptin dhe Autoritetin Palestinez para inkursionit në Gaza në vitin 2008.

Disa nga mesazhet flasin për operacionet amerikane të spiunazhit ndaj zyrtarëve të OKB-së.

Në një grup tjetër futen referenca lidhur me qëndrimin e Kinës ndaj SHBA-së dhe në vaçanti ndërhyrjet në rrjetet e internetit.

Një grup tjetër mesazhesh përfshin komente të pakujdesshme lidhur me udhëheqës politikë botërore.

Për shembull, presidenti afgan Hamid Karzai thuhet se është paranojak. Dhe kancerlaja gjermane Angela Markel përshkruhet si një person që shmang rreziqet dhe që rrallë herë është krijuese.

Rusia përshkruhet si praktikisht një shtet mafioz. Një diplomat amerikan vë në dukje gjithashtu se koloneli Muammar Gaddafi i Libisë gjithnjë udhëton i shoqëruar nga një infermiere ndjellëse ukrainase.

Sa dëmtuese?

Një ish-ambasador britanik në Arabinë Saudite, Sir Andrew Green, thotë se këto dokumente të publikuara nuk duket se zbulojnë shumë gjera që nuk kanë qenë të ditura deri tani.

"Frika dhe dyshimet e sauditëve ndaj Iranit nuk janë diçka për t'u çuditur, dhe kjo është një pikëpamje që dihet gjerësisht në Gji nga pala arabe, por që është shtuar, sigurisht, nga rënia e Irakut që ishte kundërpesha në rajon, pra, frika e tyre është edhe më e madhe se sa ishte më parë," thotë ambasadori green.

"Për t'u çuditur, ndoshta, është se ndërsa Mbreti Abdullah është i prirur për një sulm ushtarak amerikan, vihet re se ministri i tij i Jashtëm, Saud Al-Faisal, në të njëjtin telegram duket se është shumë më i rezervuar lidhur me këtë," shtoi ai.

Megjithatë, analistë paralajmërojnë se duhet pasur parasysh se këto janë mesazhe nga diplomatët që shpesh raportojnë ato që thonë njerëzit e tjerë, pra në një farë mase tregohet se çfarë thuhet e dëgjohet përreth.

Por, nga ana tjetër, këto mesazhe vijnë nga një burim me shumë autoritetet dhe ndonjëherë ka edhe njoftime për takime zyrtare.

Çfarë thotë themeluesi i Wikileaks ?

Dokumentat i janë dërguar pesë mediave botërore
Dokumentat i janë dërguar pesë mediave botërore

Wikileaks është themeluar nga Julian Assange. Duke folur me një grup gazetarësh arabë nëpërmjet një lidhjeje videofonike, ai vuri në dukje një ndryshim shqetësues të administratës së presidentit Obama drejt asaj që ai e quajti "një regjim që nuk beson në lirinë e shtypit."

Zoti Assange kritikon Departamentin e Shtetit.

"Ai (Departamenti i Shtetit) e kupton se ne jemi një organizatë e përgjegjshme, kështu që po përpiqet ta bëjë sa më të vështirë që të jetë e mundur për ne që të botojmë gjera në mënyrë të përgjegjshme me shpresën që të na bëjë ne që të mos botojmë asgjë, sepse po të mos botosh gjë do të thotë të mos botosh abuzimet nga ajo organizatë," thotë zoti Assange.

Reagimet

Departamenti i Shtetit e ka dënuar publikimin e mesazheve konfidenciale duke e quajtur veprim "të papërgjegjshëm".

Kongresmeni amerikan Peter King ka bërë thirrje që Wikileaks të shpallet si organizatë terroriste. Sipas tij, zbulimi i këtyre dokumentave po vë në rrezik jetë amerikanësh.

Megjithatë një ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, Aaron David Miller, i tha BBC-së se nuk mendonte se mesazhet e publikuara do të ndikonin në marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e tyre.

"Asnjë dokument nga Wikileak nuk do të ndryshojë thelbësisht apo diametralisht marrdhëniet që SHBA ka me aleatët në Lindjen e Mesme apo gjetkë," thotë ish-zyrtari amerikan.

"Megjithatë, këtu ka zbulime të procesit diplomatik, vëzhgimeve nga ambasadorët, të gjithë strukturës së raportimit si dhe zbulime të bisedave konfidenciale me një numër udhëheqësish, që do të krijojnë vështirësi dhe turp," thotë zoti Miller.

Në një reagim tjetër, prokurori i përgjithshëm i Australisë, Robert McClelland, thotë se do të hetojë për të parë nëse këto dokumenta përbëjnë shkelje të ligjit australian.

"Publikimi i këtij informacioni mund të paragjykojë sigurinë e njerëzve të përmendur në dokumenta dhe mund të jetë në fakt në dëm të interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe aleatëve të tyre, përshirë Australinë," thotë zoti McClelland.

Disa të tjerë mendojnë se këto zbulime janë në fakt faji i vetë Uashingtonit.

Ish-ambasadori amerikan në Irak, Christopher Hill, thotë se disa nga këto informacione as nuk duhet të ishin shkruar fare në një telegram diplomatik.

"Duket një budallallëk i madh po të kihet parasysh fakti se të gjitha këto mesazhe janë dekonspiruar," thotë zoti Hill.

"Duhet të them se si ambasador do të shmangia futjen e një pjese të këtyre informacioneve në një mesazh të shkruar," thotë ai.

"Kjo është shumë dëmtuese dhe në të vërtetë është plotësisht e papërgjegjshme nga kushdo që është përfshirë."

Iraku tha se këto dokumenta të zbuluara nuk ndihmojnë aspak, përkundrazi.

Pakistani kritikoi shprehjen e shqetësimeve amerikane se uraniumi shumë i pasuruar mund të përdoret për të ndërtuar armë dëmtuese.

Por një zëdhënës izraelit tha se vendi i tij "kishte dalë shumë mirë" nga dokumentat.

 
 
LOKALE
Wikileaks:Dokumentat tregojnë të vërtetën
23 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Reagime të ashpra ndaj botimeve të Wikileaks
29 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
Julian Assange akuzohet me përdhunim
21 gusht 2010 | Faqja Kryesore
Gates: Shkelje e sigurisë
30 korrik 2010 | Faqja Kryesore
SHBA vlerëson dëmin nga dokumentet
27 korrik 2010 | Faqja Kryesore
Reagime pas botimit të dokumenteve sekrete
26 korrik 2010 | Faqja Kryesore
Interneti- armiku i shtetit
05 mars 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>