BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 19 nëntor 2010 - 11:04 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Shqetësim për lirinë e shtypit në Kosovë
 
Arkiv
Ka patur kritika për cënimin e lirisë së shtypit në Kosovë
“Reporterët pa Kufij” kanë dënuar ashpër kërcënimin ndaj gazetarëve në Kosovë dhe kanë kërkuar nga autoritetet e Prishtinës që të mos lejojnë cenimin e lirisë së shtypit.

Reagimi i organizatës vjen pak ditë pasi një gazetare raportoi se ishte detyruar të largohej nga puna, për shkak të mesazheve kërcënuese që kishte marrë pas një pyetje të shtruar në një konferencë shtypi dhe mënyrës së trajtimit të saj nga agjencia e lajmeve ku punonte.

Organizata “Reporterët pa Kufij” ka kritikuar agjencinë e lajmeve KosovaPress për mungesë solidariteti me gazetaren e tyre, Sebahate Shala, pas siç thuhet, kërcënimeve që kjo e fundit i kishte marrë në telefon.

Në një komunikatë të saj, organizata thotë se zonja Shala kishte bërë një pyetje të ndjeshme për dy anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës gjatë një konference shtypi të zvshefit të EULEX-it, Andy Sparks.

Ajo e kishte pyetur atë nëse ishte normale që dy anëtarë të PDK-së që po hetoheshin nga EULEX-i për korrupsion dhe vrasje të merrnin pjesë në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit.

Gazetarja ka raportuar të kishte marrë pas konferencës mesazhe anonime në telefon me përmbajtje kërcënuese dhe se artikulli i saj ishte hequr nga agjencia KosovaPress, pak kohë pasi ishte publikuar.

Sipas zonjës Shala, menaxhmenti i agjencisë, e ka cilësuar pyetjen e saj “joprofesionale” dhe se “nuk kishte të bënte asgjë me zgjedhjet”.

Por drejtues të këtij mediumi, i cilësuan kritikat e bëra në drejtim të tyre të pabaza dhe thanë se gazetarja nuk i kishte njoftuar për mesazhet kërcënuese dhe e kishte lëshuar punën me vetëdëshirë.

Reporterët pa Kufij kërkuan kthimin e Sebahate Shalës në punë, ndërsa vlerësojnë se rasti i saj ngre shqetësime serioze për lirinë që gazetarët do ta kenë në mbulimin e fushatës për zgjedhjet e dhjetorit.

Në raportin e fundit të Reportëve pa Kufij, Kosova është renditur si vendit i 92-të për lirinë e shtypit, duke shënuar përkeqësim të gjendjes në këtë fushë në raport me vitin e kaluar, kur ajo ishte 17 vende më poshtë.

 
 
LOKALE
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>