BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 09 nëntor 2010 - 17:58 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Pikat kyçe të raportit për Shqipërinë
 
Pamje nga Shqipëria
Shqipëria nuk e mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE
BE-ja thotë se Shqipëria në përgjithësi ka zbatuar 'pa probleme' detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, por nënvizon se është politika ajo që ka vënë në rrezik përmbushjen me sukses të tyre në nivelin e kërkuar për një vend që synon anëtarësimin.

"Ngërçi politik po dëmton funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengon reformat e rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për përparimin e vendit në rrugën drejt integrimit në BE dhe sundimit të ligjit," thuhet në raport.

Raporti thotë se vendi e ka krijuar kornizën kushtetuese dhe ligjore për funksionimin e institucioneve demokratike, por institucioni kryesor, parlamenti "nuk funksionon si duhet, si një institucion i pavarur" dhe disa vendime të gjykatës më të lartë të vendit, asaj Kushtetuese janë "vënë në dyshim dhe madje nuk janë respektuar".

Megjithatë, më tej në të thuhet se shteti ligjor është forcuar gjatë viteve të fundit, falë reformave ligjore dhe institucionale të ndërmarra dhe në luftën kundër korrupsionit. Po ashtu, janë bërë "përpjekje të konsiderueshme" në përshkallëzimin e luftës kundër krimit të organizuar.

Por raporti shton se ende "korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha" si sistemi i drejtësisë, ai i shëndetësisë, i pronësisë dhe financimi i partive politike.

Në vlerësime të tjera pozitive, raporti thotë se autoritetet shqiptare kanë bërë përpjekje të mëdha për adoptimin e legjislacionit të kërkuar nga BE-ja veçanërisht për sa i përket ekonomisë së tregut: konkurencës, standartizimit, doganave dhe taksave dhe kanë përmirësuar strukturën ligjore për bizneset.

Raporti nuk lë pa përmendur që vendi ruajti stabilitetin macro ekonomik dhe shënoi "rritje të moderuar ekonomike" pavarësisht nga kriza ekonomike ndërkombëtare.

Por çështja e pronësisë vazhdon të mbetet problematike, aq sa, si shkruan raporti, "situata në Shqipëri (në këtë fushë) ka arritur një nivel kompleksiteti, i cili në disa raste vë në dyshim dhe parimin e respektimit të të drejtave të njeriut".

Vëmendje tërhiqet dhe për çështjen e deficitit buxhetor: niveli i tij i lartë, "mbetet burim i dobësisë macro-financiare".

Më shumë përpjekje sipas zyrtarëve të Be-së, Shqipëria duhet të bëjë dhe në zbatimin e legjislacionit në fushën e të drejtave të njeriut, sidomos të grave dhe fëmijëve dhe ato të pakicave, sidomos asaj rome.

Vlerësimet më pozitive Shqiplëria duket se i ka marrë në fushën e marrëdhënieve rajonale.

Në këtë pikë, raporti nënvizon se vendi "në përgjithësi i përmbush kushtet" e Asociim-Stalizimit.

"Vendi, thuhet në raport "është fuqimisht i angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal" dhe "luan një rol konstruktiv rajonal".

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>