BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 09 nëntor 2010 - 19:28 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
'Dialogu për vizat me Kosovën-së shpejti'
 
Flamuj para Komisionit Evropian
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule tha të martën se komisioni është i angazhuar që të nisë së shpejti dialogun për libelalizimin e vizave me Kosovën.

Por zoti Fule tha se kusht për nisjen e këtij dialogu, do të jetë ecuria e zbatimit të planit të veprimit për integrimin e personave të kthyer.

Zoti Fule tha se Komisioni po ndihmon Kosovën që të plotësojë kushtet për një marrëveshje të mundshme tregtare me BE-në.

"Komisioni do të propozojë hapjen e pjesëmarrjes së Kosovës në programe relevante të BE-së," tha ai.

Komisioneri i BE-së tha se Kosova ka përpara sfida të mëdha politike.

Në emër të Komisionit Evropian, ai u bëri thirrje autoriteteve të Prishtinës
që "të sigurojnë një qasje konstruktive ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në forumet e bashkëpunimit rajonal".

"Procesi i decentralizimit të Kosovës ka avancuar në mënyrë të ndjeshme dhe bashkëpunimi me EULEX-in është shtuar, megjithatë, sfida të mëdha politike mbesin," tha zoti Fule.

Pikat kyçe të raportit

Raporti i KE-së për Kosovën e vë theksin tek nevoja e forcimit të institucioneve kosovare dhe e funksionimit të tyre, sidomos në sektorin e drejtësisë dhe në administratën publike.

Kjo e fundit, sipas raportit, mbetet një sprovë e madhe dhe urgjende dhe duhet të jetë në krye të axhendës politike të vendit.

Korrupsioni në Kosovë, thuhet në raport, është fenomen i gjerë dhe "shqetësim serioz".

Në të u bëhet thirrje autoriteteve që "të përmirësojnë ndjeshëm arritjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit" dhe të krijojnë mekanizma transparentë për procesin hetimor për rastet që i merr në dorë drejtësia.

Por sipas zyrtarëve të BE-së, Kosova duhet 'të përshkallëzojë' ndjeshëm dhe përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar.

Një fushë tjetër shqetësimi përbën dhe gjendja e të drejtave të njeriut.

Raporti thotë se edhe pse ka patur një lloj përparimi, në Kosovë ende mungojnë si legjislacioni i duhur, ashtu dhe angazhimi financiar i autoriteteve për të siguruar respektimin e tyre.

Angazhim më i madh politik kërkohet dhe për integrimin e minoriteve.

"Institucionet relevante nuk janë të koordinuara si duhet për të adresuar shqetësimet e pakicave," thuhet në raport dhe nënvizohet fakti se përfaqësimi i pakicave në administratën publike dhe kompanitë private është i ulët.

Raporti thotë se arritje ka patur në fushën e kthimit të refugjatëve, por ai tërheq vëmendjen në gjendjen e minoriteteve rome, ashkali dhe egjiptiane.

Raporti tërheq vëmendjen dhe për gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë. Gazetarët sipas tij, shpesh vihen nën presionin e "zyrtarëve të zgjedhur" dhe interesave ekonomike.

"Autoritetet e Kosovës mbeten një prej reklamuesve më të mëdhenj në median e shkruar, duke gjeneruar një pozitë dominante mbi median," shkruhet në raport.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>