BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 08 nëntor 2010 - 18:38 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
BE aprovon regjim pa viza për shqiptarët
 
Tirana
Ministrat e brendshëm të Bashkimit Evropian miratuan të hënën propozimin për udhëtimet pa viza në zonën Shengen të qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnje- Hercegovinës.

"Sot është një ditë historike për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën," tha komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malstrom.

"Qytetarët e këtyre dy vendeve shpejt do të mund të udhëtojnë me një pasaportë biometrike pa viza në vendet e BE-së që janë pjesëtare të politikës së përbashkët të vizave dhe ato që janë në zonën Shengen," tha ajo.

Komisioneri i Zgjerimit Stefan Fule tha se ky vendim duhet t'i inkurajojë këto vende për të kryer reformat e nevojshme për t'u afruar më shumë me BE-në.

"Regjimi pa viza është prova më e mirë se reformat në vend sjellin përfitime të prekshme për qytetarët dhe përparim në marrëdhëniet me BE-në," tha zoti Fule.

"Mbi këtë bazë mund të ecet për të çuar përpara reformat e nevojshme për t'i afruar këto dy vende më afër me aspiratat e tyre evropiane," tha komisioneri për Zgjerimin.

Ky vendim, thonë zyrtarët e BE-së, do të lehtësojë kontaktet midis njërëzve, do të ndihmojë në marrëdhëniet tregëtare dhe të biznesit, si dhe do të krijojë një mundësi për popujt e këtyre vendeve ta njohin BE-në më mirë.

Tirana përshëndet vendimin

Në Tiranë autoritetet shqiptare dhe opozita kanë nxituar të përshëndesin vendimin e BE për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Me entuziazëm kryeministri Sali Berisha, që po e ndiqte drejtpërsërdrejti votimin, tha se “…kjo ditë historike, shënon arritjen më të madhe për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që pas rënies së perdes së hekurt”.

“Ky është mesazhi më miqësor që kombet e Evropës dhe qeveritë e tyre ju dërgojnë shqiptarëve në 98 vjetorin e pavarësisë së tyre” tha zoti Berisha.

Sipas tij “vendimi është kartolina më e bukur e jetës që qytetarët shqiptarë marrin për festat e fundvitit”.

Zoti Berisha tha se me vendimin e sotëm, shqiptarët nuk do të jenë më të ndarë. “Vendimi është shpërblim për sakrificat tona, kujtojmë ata të rinj të rënë në kufi,” tha kryeministri shqiptar.

Ndërkaq presidenti i vendit Bamir Topi tha se dita e sotme është një ditë feste.

"Na lejoni ta gëzojmë këtë ditë që është një ditë e shumëpritur," tha ai, ndërsa i bëri thirrje politikës shqiptare për më shumë dialog e mirëkuptim.

Kreu i Partisë Socialiste të opozitës, Edi Rama, e përshëndeti këtë vendim si "legjitimim të sakrificave të qytetarëve shqiptarë".

"Vulosja e këtij vendimi jashtëzakonisht të pritur për një kohë shumë të gjatë e bën këtë ditë, një ditë të shënuar në historinë e të gjitha përpjekjeve të këtij vendi, të shqiptarëve për t'u bërë pjesë e Evropës," tha zoti Rama.

Edhe pse bie shi, qytetarët kanë dalë nëpër sheshe në mënyrë spontane në Tiranë por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë për të festuar lajmin e gëzuar për heqjen e vizave.

Entuziazmi është i madh, thotë korrespondenti i BBC-së në Tiranë, ndërsa flamujt e Shqipërisë dhe të vendeve anëtare të BE valëviten nga dritaret e makinave dhe ballkonet e pallatave.

Që prej 20 vitesh, nga thirrja e parë e studentëve “E duam Shqipërinë si gjithe Europa” një numër i madh djemsh e vajzash humbën jetën në qafa malesh me borë dhe ujrat e ftohtë te deteve për të hyrë ilegalisht në Evropë nga vështirësia e madhe e pajisjes me vizë për një vend të BE.

Masa kundër abuzimit

Megjithatë BE-ja shpreh shqetësim në lidhje me abuzimin e mundshëm të kësaj të drejte.

Komisionerja Malstrom vë në dukje se hapja e vendeve të BE-së për qytetarët e Ballkanit Perëndimor kohët e fundit ka sjellë "një fluks të rritur të kërkesave të pa bazë për azil".

Si rrjedhim, komisioni ka krijuar një proces monitorues që synon të parandalojë rreziqet për abuzimin dhe keqpërdorimin e procedurave të kërkimit të strehimit.

"Është me rëndësi shumë të madhe që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina të vazhdojnë të intensifikojnë fushatën informative për t'u shpjeguar siç duhet qytetarëve të tyre kuptimin e udhëtimit të shkurtër pa viza," tha komisionerja evropiane për Çështjet e Brendshme.

 
 
LOKALE
Në foto: Dritë e gjelbër për në BE
08 nëntor, 2010 | Fotogaleri
Festime për heqjen e vizave
08 nëntor 2010 | Rajoni
Zbehet kriza shumicë-opozitë në Shqipëri
04 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>