BBCAlbanian.com
 
Botuar: E diel, 07 nëntor 2010 - 15:57 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Isa Mustafa, kryetar i ri i LDK-së
 

 
 
Isa Mustafa, kryetar i ri i LDK-së në bisedë me kolegun, A Vllahiu
Kryetar i ri i LDK-së, është zgjedhur Isa Mustafa, kryetar aktual i komunës së Prishtinës. Mustafa ka fituar bindshëm ndaj kundërkandidatit, kryetarit të deritashëm të LDK-së Fatmir Sejdiut.

Në Kuvendin e shtatë zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte dy kandidatë për kryetar të partisë, Fatmir Sejdiut dhe të Isa Mustafa.

Në fakt gjatë disa ditëve të fundit ka pasur përpjekje të mëdha që LDK-ja të shkontë me një propozim për kryetar, por nuk ka pasur një marrëveshje paraprake ndërmjet dy kandidatëve.

Për kryetar të LDK-së, ishte kandiduar edhe Bujar Bukoshi, mirëpo ai disa ditë më parë hoqi dorë nga gara për kreun e partisë, duke thënë se procesi ishte manipuluar nga kryetari i deritashëm Fatmir Sejdiu, dhe së bashku me djalin e presidentit të ndjerë Rugova, Ukë Rugovën, krijuan një listë të re me të cilën do të garojnë jashtë strukturës së LDK-së, për zgjedhjet e përgjithshme.

Kryetari i deritashëm i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, sepse Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se ai kishte shkelur kushtetutën duke e mbajtur edhe postin e kryetarit të partisë.

Zoti Sejdiu tha se do t’i kthehej partisë duke e braktisur postin e presidentit të vendit, por ai e humbi edhe garën për kreun e partisë. Elektorati i LDK-së, në disa raste u shpreh i pakënaqur me punën e Fatmir Sejdiut, duke e parë atë përgjegjës për humbjen e LDK-së në tri palë zgjedhje.

Kryetari i sapozgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa, ndërkaq fitoj simpatinë e elektoratit të LDK-së, pas fitorës së shënuar në zgjedhjet lokale për kryetar të Prishtinës.

Në fakt ai u pa si shpëtimtar i LDK-së, edhe për shkak të kursit të tij politik, që ishte në kundërshtim me koalicionin e LDK-së me partinë e kryeministrit Tha[I, duke u parë ky koalicion si i dëmshëm për LDK-në.

Kryetari i sapozgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa pas zgjedhjes së tij në krye të LDK-së tha:

“LDK-ja ka sfida të mëdha para saj. Janë këto sfida të profilizimit dhe të ndërtimit të identitetit, ndërtimit dhe rigjenerimit të mbrendshëm, të hapjes ndaj të rinjëve dhe ekspertëve dhë ndaj të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen në këtë parti dhe ta përqafojnë programin e saj. Këto janë edhe sfida të ndërtimit të një shteti ligjor, të pavarur dhe demokratik në gjithë hapsirat territoriale të tij”.

Mustafa tha poashtu se qeverisja në disa vitet e fundit ka shkuar në rrugë të gabuar dhe se njëra ndër sfidat e partisë, është që ajo të zhvillohet si një parti e qendrës së djathtë dhe që do të jetë garantuese e zhvillimit të vendit dhe ofrimit të saj me BE-në.

Ai tha se detyrë e parë e tij si kryetar partie, është reformimi i mëtutjeshëm i LDK-së.

Me propozimin e Isa Mustafës, kryetari i deritashëm i LDK-së, Fatmir Sejdiu, u zgjodh kryetar nderi i partisë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>