BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 02 nëntor 2010 - 11:11 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Qeveria e Kosovës pritet të shkarkohet
 

 
 
Parlamenti i Kosovës
Mocioni i AKR-së për qeverinë do të votohet të martën
Kuvendi i Kosovës nxjerr një mocion mosbesimi për qeverinë e vendit.

Të gjitha burimet flasin se mocioni i nisur nga AKR, do të kalojë dhe Kosova prej të martës do të ketë një qeveri në dorëheqje, e cila do të vazhdoj punën deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Ibrahim Makolli, shef i grupit parlamentar te AKR-së, thotë se mocioni i mosbesimit ka qenë zgjidhja e vetme.

“Duke pasur parasysh mungesën e vullnetit politik të dy partive më të mëdha në vend që kanë qenë partnerë të koalicionit qeverisës dhe e kanë sjellë vendin në një gjendje të tillë, atëherë jemi detyruar që në mbështetje të Kushtetutës, të ndëmarrim veprime të atilla, përmes të cilave do të zhbllokohej kjo gjendje që është sot në institucionet e vendit”, tha z.Makolli.

Mirëpo AAK, një parti tjetër opozitare, thotë se mbledhja e sotme e Kuvendit dhe mocioni i AKR-së është skenar i kryeministrit të vendit, në mënyrë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe prej tyre të fitojë vetë Hashim Thaçi.

“AAK mendon se kjo qeveri është dashur të largohet para shumë kohësh prej skenës politike, prej pushtetit, meqenëse i ka shkaktuar dëme të pariparueshme Kosovës, mirëpo kësaj here z.Thaçi e ka gjetur formën për ta çuar Kosovën në zgjedhje në terr me 12 dhjetor”, thotë Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar të AAK-së.

“Është një skenar i përgatitur i qeverisë dhe do të shohim se si qeveria vet e implementon skenarin e saj”, shprehet ai.

Po çfarë do të ndodhë nëse nuk mjaftojnë votat e AKR-së dhe të disa partive të tjera për të shkarkuar qeverinë.

Ramë Buja, shef i grupit parlamentar të PDK-së, thotë se në një situatë të tillë, për mocionin do të votojë edhe vetë PDK-ja e Hashim Thaçit.

“Është shumë i hetuar një disponim që kjo agoni e krijuar në institucionet e Kosovës, të ndërpritet sa më herët të jetë e mundur. Mund të them se nëse është e nevojshme e kemi disponimin që edhe ne ta japim votën pro mocionit, edhe pse kjo gjë është pak e pazakonshme, në mënyrë që të shkojë qeveria, në mënyrë që koha e krizës të shkurtohet sa më shumë të jetë e mundur," tha zoti Buja për BBC-në.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, në një fjalim në televizion drejtuar qytetarëve të Kosovës, ka bërë thirrje që ata ta kuptojnë çështjen e mocionit si çelës për të dalë nga kriza.

Ai madje pa pritur rezultatin e votimit sot, ka thënë se Kosova po shkon në zgjedhje të parakahshme.

Kryeministri Thaçi e ka cilësuar mocionin kundër qeverisë së tij si një test të rëndësishëm për shtetin e ri të Kosovës.

“Ne e kuptojmë dhe e respektojmë këtë mocion si rrugë kushtetuese për dalje nga kjo gjendje, sepse jemi shtet ligjor. Kushtetuta dhe ligjet duhet të respektohen dhe do të respektohen deri në fund”, është shprehur ai.

Mbledhja e Kuvendit të Kosovës ku do të paraqitet mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë do të mbahet në mesditë.

Burime mirë të informuara flasin se mocioni do të kalojë dhe pas saj do të shpërbet dhe parlamenti.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen në pjesën e parë të dhjetorit.

 
 
LOKALE
Paqartësi për votimin e mocionit
31 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Mocioni votohet të martën
29 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Kërkohet mocion votëbesimi ndaj qeverisë
25 tetor 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>