BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 02 nëntor 2010 - 17:37 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Bie qeveria në Prishtinë
 

 
 
Arkiv: Parlamenti i Kosovës
Deputetët votuan kundër qeverisë Thaçi
Kuvendi i Kosovës ka votuar me shumicë në favor të një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë duke hapur rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi është shkarkuar me 66 vota pro mocionit, dy kundër dhe një abstenim nga 105 deputetë të pranishëm.

Mocioni i mosbesimit erdhi pas krizës institucionale dhe politike të krijuar nga tërheqja prej qeverisë të gjashtë ministrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përveç deputetëve të Aleancës Kosova e Re, nismëtarë të mocionit të mosbesimit, kundër qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi, kanë votuar deputetë të partive të pakicave, por edhe të vetë partisë së tij, asaj Demokratike.

Këtë mocion nuk e kanë votuar deputët e LDK-së dhe të AAK-së.

'Krizë me skenar'

Këta të fundit kanë thënë se gjithë kriza institucionale e politike në Kosovë është bërë me skenar dhe për interesa të kryeministrit.

Ata thonë se kjo është bërë në mënyrë që zgjedhjet parlamentare, të mbahen në një moment të papërshtatshëm për kundërshtarët e tij politikë.

Në debatin e zhvilluar në kuvend për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, deputet të grupeve parlamentare të AKR-së, LDD-së, por edhe të AKR-së, kanë drejtuar kritika të rënda në adresë të qeverisë për qeverisje të keqe.

Qeveria e Kosovës e krijuar nga Partia Demokratike e Hashim Thaçit dhe Lidhja Demokratike e Fatmir Sejdiut, ka dalë nga zgjedhjet e fundvitit 2007.

Dorëheqja e Sejdiut

Qeveria funksionoi në bazë të një marrëveshjeje, sipas të cilës PDK-ja kryesonte qeverinë, ndërsa LDK-ja, kishte postin e presidentit.

Situata është përmbysur pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila mori vendim se presidenti i vendit, Sejdiu kishte shkelur Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të partisë.

Kjo bëri që presidenti të Sejdiu të jepte dorëheqje në shtator të këtij viti dhe në tetor, të tërhiqte edhe ministrat e pratisë së tij nga koalicioni qeveritar.

Ushtruesi detyrës së presidentit të Kosovës, që sipas kushtetutës u emërua Jakup Krasniqi, kryetar aktual i Kuvendit të Kosovës, shpalli zgjedhjet e parakoshme parlamentare për 13 shkurt të vitit të ardhshëm.

Zgjedhje të parakohshme

Rënia e qeverisë do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, të cilat do të shpallen brenda pak ditësh.

Është hera e parë që në Kosovë votohet një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, në një situatë të tillë, presidenti në detyrë duhet ta shpërndajë parlamentin.

Po ashtu, ai duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda një afati prej 30-45 ditësh.

 
 
LOKALE
Qeveria e Kosovës pritet të shkarkohet
02 nëntor 2010 | Faqja Kryesore
Paqartësi për votimin e mocionit
31 tetor 2010 | Faqja Kryesore
Mocioni votohet të martën
29 tetor 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>