BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 09 korrik 2010 - 09:15 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Lavde për Tony Blair
 

 
 
Blair dhe Sejdiu
Kjo është vizita e parë e zotit Blair pas pavarësisë së Kosovës
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, tha të enjten në mbrëmje në Prishtinë se sfida më e madhe për Kosovën, pas pavarësimit të saj, mbetet ndërtimi i institucioneve demokratike dhe zhvillimi i saj ekonomik.

Zoti Blair u prit me nderime në Kosovë dhe mori nga presidenti I Kosovës Medaljen e Artë të Lirisë.

I pritur si hero me nderimet e gardës ceremoniale, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, që cilësohet si miku më i madh i shqiptarëve në Kosovë, tha në Prishtinë se pavarësia nuk është vetëm çështje e ligjshmërisë por edhe e ndërtimit të institucioneve demokratike dhe zhvillimit ekonomik.

Zoti Blair, që ka arritur në vizitë dyditëshe në Kosovë, u tha mikëpritësve të tij, presidentit dhe kryeministrit, se sfida më e madhe për Kosovën tani është të dëshmohet se është një shtet i suksesshëm dhe se asaj i duhet të arrijë një mbështetje për perspektivën evropiane.

"Mendoj se tani gjëja më e rëndësishme, pas krijimit të shtetit të Kosovës, është që të sigurohemi se Kosova është një shtet i suksesshëm. Kjo është sfida. Kjo nuk është vetëm një çështje e ligjshmërisë por është cështje e ekonomisë, institucioneve dhe mënyrës së jetesës së njerëzve. Kjo sepse ata janë krenarë që jetojnë në një shtet të pavarur, por ata duan të shohin kushte më të mira të jetesës, përparim të ekonomisë. E gjithë kjo ndihmon perspektivën evropiane”, tha ish-kryeministri britanik.

Zoti Blair tha se rregullat për anëtarësim në BE janë të njohura dhe se Evropa mund të ofrojë perspektivën, por e gjitha varet se sa i përmbushin këto perspektiva vendet që duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, e ka cilësuar si të drejtë ndërhyrjen në Kosovë 11 vjet më parë meqë, sipas tij, bota po ndalte një përpjekje për spastrim etnik.

Ai tha se dëshmi e asaj ndërhyrjeje është krijimi i një shteti të pavarur.

"Do të ishte një gjë e tmerrshme nëse Evropa, nëse perëndimi, do të lejonte vazhdimin e spastrimit etnik pa e ndalur atë. Kjo politikë, që është provuar në shumë pjesë të botës, gjithnjë ka dështuar. Prandaj kur ky lloj i brutalitetit ndodh, atëherë është e drejtë e botës që të ndërhyjë dhe kjo është ajo që bëmë”, tha zoti Blair.

Ish-kryeministri britanik, së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si arkitektët e fushatës ajrore të NATO-s mbi objektivat serbe, që mundësoi largimin e forcave serbe të sigurimit nga Kosova dhe kthimin e qindra mijëra shqiptarëve të dëbuar nga Kosova. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, e cilësoi zotin Blair si hero dhe kontributin e tij për Kosovën si historik.

Ndërkohë presidenti Fatmir Sejdiu, që i dorëzoi zotit Blair Medaljen e Artë të Lirisë, që i është ndarë atij nga presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, e siguroi atë se Kosova është një shtet i qëndrueshëm dhe tha se pas vendosjes së raporteve të mira me vendet e tjera në rajon, ajo është e gatshme që të krijojë marrëdhënie të tilla edhe me Serbinë.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, do të vazhdojë aktivitetet e tij në Kosovë në ditën e dytë të qëndrimit ne vend dhe pritet që në mesditën e të premtes të takojë edhe qytetarët e Kosovës në qendrën e Prishtinës.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>