BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 11 maj 2010 - 14:07 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Analisti Stiglitz kundër masave të ashpra në Greqi
 
Ekonomisti Stiglitz
Ministri gjerman i financave, vendi i të cilit paguan edhe pjesën më të madhe të ndihmës për Greqinë, e paralajmëroi Athinën se nëse do të kishte ndonjë shkelje të masave shtrënguese nga ana e qeverisë greke, atëherë financimet do të ndaleshin.

Por jo të gjithë janë dakord me këto masa kaq të ashpra. Joseph Stiglitz, një ekonomist që ka fituar çmimin Nobel, ish këshilltar i presidentit Clinton dhe këshilltar jozyrtar i qeverisë greke i ka thënë BBC-së se ishte i shqetësuar lidhur me uljen e madhe të shpenzimeve nga ana qeverisë greke...

"Është gjë e mirë që Evropa më në fund arriti të veprojë dhe arriti të dalë me një paketë. Unë jam i shqetësuar lidhur me nivelin e paketës fiskale shtrënguese. Nëse bëhen shkurtime të mëdha në buxhet, ekonomia dobësohet, të ardhuarat nga taksat bien dhe përmirësimi i pozitës fiskale do të jetë më i vogël se sa nga ai që kemi shpresuar."

Zoti Stiglitz tha se në mesin e ekonomistëve kishte një ndjesi se monedha e përbashkët evropiane nuk menaxhohej nga një politikë fiskale:

"Themelimi i euros... Shumë thanë se 'çdo gjë do të shkonte mirë përsa kohë çdo gjë shkonte mirë'. Por në një moment krize, si ajo me të cilën po përballemi, ata nuk kanë patur strukturat institucionale të nevojshme për t'u marrë me këtë."

Për zotin Stiglitz, ekonomitë e mëdha të Eurozonës mund të kenë probleme më të mëdha se Greqia:

"Ajo që kemi parë është se sa e vështirë ka qenë për Evropën që të bashkohet për të ndihmuar një prej vendeve të vogla. Kur e sheh këtë, e kupton se nëse një vend i madh do të përballet në një mënyrë apo tjetrën me vështirësi, atëherë merret me vend që Evropa do të përballet me më shumë vështirësi."

Zoti Stiglitz tha se kriza greke ngrinte çështjen nëse Euro ishte e destinuar për të dështuar:

"Shumë njerëz në mënyrë të veçantë në mesin e akademikëve janë duke foluar për të ardhmen e euros, nëse nuk adresohen çështjet themelore institucionale, e ardhmja e euros do të jetë e kufizuar."

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>