BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 05 maj 2010 - 15:06 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Tre të vdekur në protestat në Greqi
 

 
 
Pamje nga protesta të mëhershme në Athinë
Protestat zhvillohen kur edhe transporti është paralizuar nga greva
Njoftimet bëjnë të ditur se të paktën tre persona kanë humbur jetën në Athinë, Greqi, ku protestat kundër shkurtimeve të mëdha të shpenzimeve të qeverisë janë shndërruar në dhunë.

Vdekjet ndodhën pasi demonstruesit i vunë zjarrin një banke. Një numri ndërtesash iu vu zjarri, ndërsa të rinjtë që hidhnin gurë u përleshën me policinë para parlamentit.

Policia përdori pa kursim gaz lotsjellës dhe lëndë kimike, për të zbrapsur protestuesit që donin të zaptonin godinën e parlamentit.

Pasdite vonë, shërbimi zjarrfikës konfirmoi se tre njerëzit që humbën jetën, ishin punonjës të një banke private që cilët gjetën vdekjen nga asfiksia, kur banka u përfshi nga flakët, pasi persona të maskuar hodhën bomba molotov në brendësi të saj.

Një godinë e Ministrisë së Financave vazhdonte të digjej nga flakët deri në orët e vona të pasdites.

Zyra të tjera shtetërore, si dhe disa automjete u dogjën gjatë trazirave.

Dënohet dhuna

Në një senacë të jashtëzakonshme të parlamentit që sapo përfundoi, gjithë partitë kryesore politike dënuan vandalizmat e sotëm.

Kryeministri Jorgos Papandreu mbrojti të drejtën e qytetarëve për të demonstruar, por theksoi se "tjetër gjë është protesta dhe tjetër vrasja".

"Jo dhunës që shkaktoi vdekjen e tre bashkëqytetarëve tanë," tha ai nga tribuna e parlamentit.

Ai shtoi se mirëkupton brengën e njerëzve që po u paksohen të ardhurat e tyre, por theksoi se objektiv i qeverisë është të garantojë një të ardhme që do të mund të mos ekzistonte nëse nuk merreshin masat.

Analistët vlerësojnë se atmosfera e rënduar për shkak të vdekjes së tre qytetarëve do të mund t’i sigurojë kryeministrit mbështetjen - deri më tash të refuzuar - nga partia më e madhe opozitare, Demokracia e Re.

Por nga ana tjetër, zhvillimi i sotëm mund të rrisë presionet ndaj qeverisë, me pasojë kjo e fundit të zbusë vendosmërinë e saj në zbatimin e programit të ashpër të përmirësimit ekonomik.

Protestat në Athinë zhvillohen në të njëjtën kohë kur një grevë e përgjithshme ka paralizuar transportin publik.

Programi i masave të rrepta po futet në zbatim në mënyrë që Greqia të mund të marrë një ndihmë financiare nga bashkësia ndërkombëtare dhe të shmang skenarin kur do të duhej të shpallte pamundësinë për shlyerjen e borxheve.

 
 
LOKALE
Policia greke përdor gaz lotësjellës
01 maj 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>