BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 05 maj 2010 - 12:09 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Greqia paralizohet nga greva e përgjithshme
 

 
 
Protestë në Athinë
Të gjitha fluturimet për në dhe jashtë Greqisë janë pezulluar
Greqia është paralizuar të enjten nga një grevë e përgjithshme 24 orëshe. Gjithë sektorët jetikë nuk do të fuknsionojnë gjatë ditës, madje në grevë kanë marrë pjesë edhe punonjësit e administratës së parlamentit grek, me qëllim që të pengojnë depozitimin e projektligjit me masat e shpallura të dielën nga kryeministri Papandreu.

Hapësira ajrore e Greqisë është mbyllur që në mesnatë e kështu do të vazhdojë për 24 orë, nuk do të ketë asnjë fluturim nga dhe drejt aeroporteve të Greqisë.

Njëlloj edhe në portet që gjithashtu janë të mbyllura, sikurse dhe shkollat e universitetet, ndërsa spitalet pranojnë vetëm urgjencat e rënda.

Në grevë është dhe sektori privat, dhe gjithë njësitë tregtare në Greqi do të jenë të mbyllura. Përjashtim bëjnë vetëm njësitë në Athinë, të cilat u mbyllën, në shenjë solidariteti, vetëm gjatë kohës që do të realizohen marshimet e protestës.

Ndonëse duket e çuditshme, në grevë 24 orëshe janë edhe sindikatat e gazetarëve, me rezultat që gjatë ditës së sotme të mos ketë asnjë edicion indformativ në radiot dhe televizionet, rrjedhimisht shumica e opinionit të mos ketë informacion për zhvillimet në grevë dhe në manifestimet e protestës.

Rreziku i përshkallëzimit

Shqetësimi më i madh i qeverisë është se mos situata e protestave del nga kontrolli i sindikatave, me të cilat, si organe institucionale është më i mundshëm dialogu.

Por në protestat e fundit ka pasur një prezencë në rritje të grupimeve të paorganizuara në sindikata dhe që i përkasin më së shumti rrymave anarkiste, që sipas autoriteteve janë shkaktarë të trazirave, deri më tash normale për kushtet e Greqisë, gjatë protestave të ndryshme.

Vetë krerët e sindikatave shprehen skeptikë rreth zhvillimeve të mëtejshme. Shumë sqaruese është deklarata e fundit e presidentit të sindikatës së sektorit publik, sipas të cilit “shoqëria greke ka pësuar një shok pas shpalljes së masave.

Qeveria nuk i vlerësoi siç duhet limitet e durimit të shoqërisë dhe në këto momente askush nuk mund të thotë se si do të shkojë rrjedha e gjërave”, vërejti kryetari i federatës sindikale të sektorit publik, Spyros Papaspyru.

Zgjedhje të parakohshme?

Partia më e madhe e opozitës, Demokracia e Re, deklaroi se do të votojë kundër miratimit të paketës së masave, procedurë që pritet të realizohet nesër në Parlamentin grek.

Kryetari i Demokracisë së re, Antonis Samaras, e argumentoi votën kundër me faktin se partia e tij nuk është dakord me strategjinë qeveritare të përballimit të krizës. Por ai shtoi se opozita do të respektojë marrëveshjet e nënshkruara nga shteti grek, pavarësisht se nuk është dakord me to.

Sigurisht që një përkrahje e mundshme e masave qeveritare nga ana e partisë më të madhe të opozitës, vlerësohet se do t’i ndihmonte ruajtjes së një niveli më të lartë tolerance nga ana e shoqërisë. Dhe kjo përkrahje do të ishte më e mirëpritur në kushtet që reagimet sociale mund të dalin nga kontrolli.

Por sipas analistëve kreu i opozitës mendon se në Greqi do të mund të ketë së shpejti zgjedhje të parakohshme, si rezultat i intensifikimit të reagimeve mbarëpopullore ndaj masave.

Por qeveria nga ana e vet këmbëngul se ka përkrahjen e shumicës dhe se nga dita në ditë do të arrijë ta bindë më shumë opinionit për vërtetësinë e strategjisë së vet. Sigurisht, që kjo mbetet të shihet në praktikë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>