BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 17 prill 2010 - 12:52 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Zgjerohet paralizimi i trafikut ajror evropian
 
Hiri vullkanik
Hiri vullkanik është i rrezikshëm për motorët e avionëve
Re të mëdha hiri nga shperthimi i vullkanit në Islandë kanë paralizuar trafikun ajror në pjesën më të madhe të Evropës.

Agjencia evropiane e trafikut ajror ka thënë se 16 nga 28 mijë fluturime janë anulluar deri më tani.

Pothuajse të gjitha aeroportet e Evropës qëndrore dhe veriore janë mbyllur pasi hiri mund të dëmtojë rëndë motorrët e avionëve.

Reja e hirit po ndikon edhe trafikun ajror në Shqipëri e Maqedoni.

Drejtuesit e aeroportit Nënë Tereza në Tiranë njoftuan se janë pezulluar përkohësisht fluturimet nga Tirana drejt Londrës dhe Budapestit.

Për pasojë ata që udhëtojnë drejt këtyre vendeve, si edhe në rastet kur kalojnë tranzit përmes tyre, do të jenë të detyruar të presin njoftime të tjera.

Në Aeroportin e Shkupit ndërkohë disa kompani kanë anulluar fluturimet gjithashtu. Bëhet fjalë për linja në Evropën qendrore dhe perëndimore.

Siç njoftohet këto vendime i kanë marë kompanitë që fluturojnë për në Shkup, pas vendimeve që një pjesë e madhe e aeroporteve evropiane të mbyllen.

Por aeroporti i Shkupit do të vazhdojë funksionimin, pasi siç njoftohet do të operohet për linjat që shkojnë në Vjenë, Lubljanë, Zagreb apo Stamboll, në aeroportet e të cilave nuk ka ndalesa për fluturim.

Ndonëse nga aeroporti i Shkupit nuk bëhen shumë fluturime, sërish zyrtarët thonë se situata e krijuar në pjesën më të madhe të Evropës nga shpërthimi i vullkanit në Islandë, edhe pse pjesërisht, po prek edhe Maqedoninë.

Në përgjithësi, një pjesë e madhe e hapësirës nga Atlantiku në kufijtë rusë dhe nga Alpet në Detin Arktik mbeten të mbyllura.

Reja e hirit është krijuar pas shpërthimit të një vullkani që gjendej nën një akullnajë në jug të Islandës.

Më shumë se 800 njerëz janë evakuar të mërkurën nga shtëpitë e tyre në atë zonë, pasi u raportua se akullnaja po shkrinte.

Gjeologët në Islandë thonë se nuk ka shenja të uljes së aktivitetit vullkanik, dhe se mund të zgjasë për disa ditë megjithë se tani po prodhon më pak hi.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>