http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 05 mars 2010 - 15:11 CET

Blerina Rogova
BBC Prishtinë

Facebook pushton Kosovën

Statistikat nxjerrin se dhjetë faqet më të klikuara të internetit në Kosovë i përkasin rrjeteve sociale. Facebook-u dhe Messenger-i i prijnë top listës së tyre.

Në fillim të viteve 2000, pothuajse në çdo qytet të Kosovës, ineternet kafet kanë mbirë si kërpudhat pas shiut.

Sot megjithëse numri i tyre është shumë më i vogël, ato që janë, vazhdojnë të jenë të mbushura plot kryesisht në qytetet universitare.

Studentët janë ata që kryesisht i vizitojnë këto internet kafe. Pronar i një internet kafeje Milot Shala, thotë se arsyeja pse internet kafetë janë në numër më të vogël është se tashmë interneti është i vendosur në çdo shtëpi:

Naime Krasniqi, me profesion biologe, thotë se për të internet është messengeri. Ajo tha se në internet kafene shkon vetëm për të folur me familjen që e ka jashtë vendit, me vëllezërit dhe nipërit e saj. Kështu tha ajo edhe kursen para, edhe flet më gjatë.

“Nuk e kam merak internetin, unë zakonisht e shfrytëzoj për të folur me vëllezërit dhe nipërit që i kam në Gjermani. Më pak pare, sepse në vend se të flas një orë me telefon, e që kushton shumë. Ato të holla ata i kursejnë dhe m’i dërgojnë mua, ndërsa në internet me 50 cent për një orë flasim edhe më shumë, edhe më lirë.”

Studentët në krye të listë për përdorim të rrjeteve sociale

Mentor Hajrizi, student i letërsisë shqipe thotë se internet është vendi ku ai drejtohet për të kërkuar më shumë rreth literaturës universitare.

“ Sa herë na kërkohet ndonjë seminar, unë internetin e shoh si zgjidhjen më të mirë për t’i gjetur materialet e duhura. Shpesh profesorët e letërsisë na kërkojnë punime për të cilët vështirë se gjendet literaturë, prandaj na mbetet vetëm interneti për t’i gjetur qoftë informacionet shkencore, qoftë ato të ndryshmet.”

Të dhënat e fundit flasin se Kosova po bëhet njëri prej vendeve drejtuese për sa i përket shfrytëzimit të internetit.

Kjo jo vetëm për shkak të infrastrukturës, e cila thuhet se është më e avancuar se sa në vendet tjera të rajonit, por edhe për shkak, të siç thuhet popullatës shumë të re që ka që është më e lidhur me internetin.

Por shumica e atyre që e shfrytëzojnë internetin, këtë e bëjnë për argëtim dhe shumica e tyre i shfrytëzojnë të ashtuquajturat faqe sociale, siç janë facebook-u, messenger-i, twitter, netlog-u, hi 5 e kështu me radhë, ndërsa një numër i vogël i tyre i shfrytëzojnë faqet informative apo shkencore.

Alban Kastrati, përfaqësues i njërës prej kompanive më të mëdha të internetit në Kosovë Ipko, thotë se vlerësimet e fundit e nxjerrin Kosovës si njërin ndër vendet që i prin rajonit për nga përdorimi i internetit:

“Statistikat e fundit të autoritetit rregullativ kanë treguar se Kosova ka shifra të larta të përdoruesve të internetit. Po këto hulumtimet kanë treguar edhe se të rinjt tanë, si përdoruesit më të mëdhenj të internetit, e përdorin atë shumë më tepër për t’u argëtuar e më pak për t’u informuar.”

Rrjetet sociale janë më të kërkuara

Sipas statistikave, dhjetë faqet më të kërkuara në Kosovë u përkasin të ashtuquajturave faqe për argëtim, që përfshihen në rrjetet sociale. Rrjeti social facebook, duket se është në top listë.

Nga dhjetë persona të intervistuar, shtatë prej tyre kanë thënë se faqet më të vizituara nga ata janë facebook-u dhe messenger-i.

Ata thonë se përmes këtyre faqeve kanë krijuar shoqëri të reja dhe janë bashkuar me shoqëritë që i kanë pasur dikur, qofshin ata edhe në vende të largëta.

Rrjeti i internetit në Kosovë është ndër zbulimet e fundit, por ai është përhapur në mënyrë marramendëse vetëm për pak kohë.

Sipas shifrave zyrtare, numri i përdoruesve të internetit në Kosovë është 35 %, por thuhet se ky numër është dyfish më i madh, mirëpo shifrat janë fshehur për shkak të ikjes nga taksat.