BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 16 mars 2010 - 13:31 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Internet në autobuzë
 

 
 
Shkup
Në Shkup, kompania publike për transport urban ka njoftuar se në linjat e autobuzëve do të vendosë interent falas për klientët e saj.

Ideja është pritur me habi, sepse autobuzët janë disa dekada të vjetër, por kopmpania thotë se një e gjë e tillë bëhet për të përmirësuar shërbimet dhe të tërheqë udhëtarë.

Kur hyni brenda në autobuzët që funksionojnë në Shkup pamja nuk është e këndshme. Autobuzët janë të vjetër, karriget e drurit të zhgarravitura dhe të parehatshme.

Në autobuzin e linjës 19 që lidh dy anë të Shkupit dhe i cili kryesisht kalon nëpër qendrën e kryeqytetit të Maqedonisë, udhëtimi nuk është eksperiencë plotësisht e këndshme, sepse kur dilni prej tij rrobat mund t'ju mbajnë era naftë.

Por edhe përkundër kësaj pamje, zyrtarët e ndërmarrjes së transportit kanë vendosur që në disa linja të vendosin internet falas për klientët.

Ata thonë se hapi ndërmerret për të përmirësuar shërbimet, por edhe për të tërhequr udhëtarë.

Kur projekti të realizohet, edhe pse në autobusë të vjetër, do të mund të zhyteni në botën virtuale dhe mbase do të harroni shërbimin jo fort të mirë të transportit publik.

Por kjo ide nuk është pritur me entuziazëm nga udhëtarët në autobuzët publike.

 Çdo ide për përdorim të internetit është e mirë, por në këtë rast nuk shoh dot zbatim të idesë...
 
Një pasagjere

Një grua ngre dyshime nëse projekti është i arsyeshëm:

“Çdo ide për përdorim të internetit është e mirë, por në këtë rast nuk shoh dot zbatim të idesë. Kushtet e autobuzëve janë të këqija, ndërkohë që edhe distancat janë të shkurtra,” thotë kjo zonjë.

Pak më tutje, një bashkëudhëtare e hedh plotësisht poshtë idenë:

“Ideja nuk është e mirë, sepse autobuzët janë aq të vjetër sa ato para më mirë të përdoren për autobuzë të rinj se sa për internet”.

Ndërkohë një djalë që është moshë më të re e mbështet nismën:

“Interneti si një mjet i ri komunikimi do t’i ndihmonte të rinjtë që të jenë vazhdimisht në kontakt, dhe kjo është një gjë e mirë,” thotë djali i ri, por duke zbritur nga autobuzi një djalë tejtër bëri këtë krahasim:

“Kjo ide është një lloj sikur dikush të më blejë këpucë të reja të cilat duhet t'i përdor në një rrugë fshati gjithë baltë”.

Në Maqedoni ka pasur disa iniciativa për të shtuar përdorimin e internetit nga popullsia. Një e tillë që ngjalli kuriozitet dhe ngriti supe ishte edhe ajo për vendosjen e internetit falas në fshatra malorë, me idenë për të nxitur vizitat apo dhe turizmin alternativ.

 Interneti si një mjet i ri komunikimi do t’i ndihmonte të rinjtë që të jenë vazhdimisht në kontakt...
 
Një djalë i ri në Shkup

Për momentin është duke u zbatuar kompjuterizimi i arsimit fillor dhe të mesëm, ndërkohë që në disa qytete, qeveria ka hapur edhe internet kafe ku kushdo mund të përdorë internetin falas.

Por sa realisht ndihmojnë këto nisma në nxitjen e përdorimit të internetit?

Visar Shehu është pedagog i shkencave kompjuterike pranë Universitetit të Evropës Juglindore.

Ai thotë se internetin në raste të tilla do ta përdorin sërish vetëm ata që kanë mundësi, sepse veç lidhjes duhet edhe aparati. Ai sugjeron që institucionet mësimdhënëse të jenë shtysa e përdorimit të medias së re:

“Në rast se u mundësohet nxënësve, studentëve, qasje falas në internet, atëherë mund të ndikohet që të rritet përdorimi i tij, ta mësojnë ata që nuk kanë mundësi të përdorin internetin në shtëpi. Projektet që ofrojnë internet falas u bëjnë shërbim vetëm atyre që përdorin internetin tashmë dhe që kanë mundësi, sepse nevojiten laptopë apo aparate të tjera,” thotë Visar Shehu.

Sipas një analize në Maqedoni rreth gjysma e popullsisë është e lidhur me internet ose përdor internetin.

Por vëzhguesit thonë se përdorimi i teknologjisë është i rëndësishëm dhe ka hyrë në jetët e njerëzve, madje edhe po ndryshon mënyrën e komunikimit, por megjithatë ata theksojnë se para përhapjes masive të tij duhen përmirësuar edhe shërbime më bazike për jetesë.

Në mesin e udhëtarëve në autobuzët urbanë në Shkup, qytetarët ndonëse nuk refuzojnë idenë për internet në trasportin publik, sërish shprehin rezerva se një herë do të donin autobuz komod, shërbim korrekt dhe pastaj edhe internet.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>