BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 09 shkurt 2010 - 11:28 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Vazhdon debati estetiko-politiko-etnik për Shkupin
 

 
 
Shkup
Partitë opozitare maqedonase dhe partitë shqiptare kanë paralajmëruar se projekti për ndërtimin e qendrës së Shkupit, i prezentuar nga qeveria mund të dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Por qeveria është duke mbrojtur projektin e saj i cili parashikon ndërtimin e disa godinave dhe përmendoreve, të cilat siç thuhet janë vetëm simbole të maqedonasve.

Ndarje etnike

Pjesë të sheshit kryesor në Shkup tashmë janë rrethuar dhe kanë filluar punimet për projektin “Shkupi 2014”, por reagimet gjithashtu nuk kanë të ndalur.

Subjektet politike opozitare paralajmëruan se projekti qeveritar mund të shkaktojë tensione mbi baza etnike. Tito Petkovski është lideri i Social-demokratëve të rinj:

“Këtë që po e bën qeveria pa mos konsultuar qytetarët dhe partitë politike, mund ta nxjerr situatën jashtë kontrollit në fushën e marrëdhënieve ndëretnike,” tha Tito Petkovski.

Projekti, ku parashikohet të ndërtohen disa godina me stile të ndryshme arkitekturore nga e kaluara si barok apo romantizëm, por edhe vendosja e përmendoreve dhe statujave të personaliteteve maqedonase, ku qendrore do të jeta ajo e Aleksandrit të Madh, por gjithashtu ndërtimi edhe i një kishe në sheshin kryesor, janë arsyet se pse ky projekt mund të nxisë tensione etnike.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Socialdemokrate, kërkoi referendum për idenë. Gordan Georgiev është nënkryetar i saj:

“Kjo marrëzi e VMRO DPMNE-së duhet të marrë fund. Edhe një herë i bëjmë thirrje Gruevskit, i cili thotë se mendimi i popullit është i rëndësishëm, që të shpallë referendum për projektin Shkupi 2014,” tha z. Georgiev.

“Të zbatohet parimi i shumicës së dyfishtë”

Por Demokracia e Re, partia opozitare shqiptare e cila gjithashtu është kundër projektit qeveritar, nuk mbështet idenë e referendumit. Kryetari i kësaj partie, Imer Selmani, thotë meqë bëhet fjalë për projekt qeveritar atëhere për të duhet të vendosë parlamenti me sistemin e votimit të dyfishtë, pra që ai të miratohet të votojnë edhe shumica e deputetëve shqiptarë:

“Momenti më i mirë dhe më i qëlluar për Demokracinë e Re do të jetë një debat i hapur pikërisht këtu në parlamentin e Maqedonisë dhe duke përdorur votimin e dyfishtë që të aprovohet një projekt i këtillë. Gjithçka tjetër, ashtu siç është prezantuar se është një projekt i qytetit ose një projekt i komunës Qendër besoj se na kthen në periudhën e pas viteve të 90, kur kishte majorizime ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë,” tha Imer Selmani.

Por vërejtja tjetër ku pajtohentë gjithë kritikuesit e projektit janë financat. Maqedonia ëshët në një periudhë më vështirësi të theksuara financiare. Projekti thotë opozita është plotësisht i panevojshëm.

Por përfaqësues të partisë qeverisëse VMRO DPMNE kanë mbrojtur projektin. Ata thonë se ai do të sjellë vlera të tjera për kryeqytetin e Maqedonisë. Aleksandër Nikollovski është deputet i kësaj partie:

“Është gënjeshtër dhe manipulim i LSDM-së se projekti kushton 200 milion euro. Kjo nuk është e saktë, projekti kushton më pak ose 0.5 për qind nga buxheti i implementuar në 8 vite buxhetore, që do të thotë 80 milion euro,” tha z. Nikollovski.

Reagime të fuqishmevijnë edhe nga përfaqësues shqiptarë dhe myslimanë.

OJQ-të thonë se në projekt duhet patjetër që të përfshihen edhe ndërtime ose përmendore që nuk do të simbolizonin vetëm maqedonasit, kurse Ramadan Ramadani flet edhe për përçarje fetare.

Ai është përfaqësues i një grupi iniciatorësh për ndërtimin e një xhamie në shesh, e cila ashtu si kisha ka qeëë aty, por nuk planifikohet të ndërtohet:

“Myslimanët kanë marrë porosinë e tyre se ky kryeministër nuk mendon për ata,” tha z. Ramadani.

“Vendim marrje e centralizuar”

Projekti “Shkupi 2014” u prezantua në opinion në fund të javës që shkoi. Që atëherë debatet vazhdojnë, por për disa vëzhgues ato nuk janë edhe aq kuptimplota, kur vendimet për këtë projekt janë marrë tashmë.

Komunikologu Sead Xhigal thotë se mënyra e veprimit tregon mënyrën e ushtrimit të pushtetit:

Maqedonia ende funksionon si shoqëri me një sistem të fuqishëm të centralizuar vendimmarrjeje. Dominojnë koncepte të ushtrimit të pushtetit, përkundrejt koncepteve të menaxhimit, koordinimit apo bashkëpunimit,” thotë z. Xhigal.

Dhe ndërkohë që punimet kanë filluar në sheshin e Shkupit, rriten edhe kundërshtimet për projektin që tenton të ndryshojë dramatikisht pamjen e qendrës të kryeqytetit.

Kundër projektit është shprehur edhe BDI që është partia shqiptare në qeveri.

Kurse opozita tha se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për ta penguar atë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>