http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 14 janar 2010 - 09:46 CET

Papandreu përpiqet të injektojë optimizëm

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu ka shprehur sigurinë se vendi i tij në asnjë rast nuk mund të dalë nga eurozona dhe as t’i drejtohet për ndihmë FMN-së.

Duke bërë bilancin e 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, ai ka theksuar se do të merren të gjitha masat, sado të ashpra që të jenë ato, dhe pavarësisht reagimeve nga shtresat e ndryshme të shoqërisë.

Siç thotë korrepondenti i BBC-së në Athinë, Robert Goro, në të vërtetë, 100 ditët e para të qeverisjes kanë qenë një motiv për kryeministrin, që ai të shpjegojë se ç’do të bëjë në ditët e ardhshme.

Në një konferencë shtypi maratonë që zgjati rreth tri orë e gjysmë, zoti Papandreu e ka përshkruar situatën ekonomike të vendit, siç tha shprehimisht, për të qarë.

Por ai ka shtuar se tjetër gjë është të thuash këtë, dhe tjetër të thuash se gjendja është e pashpresë.

Zoti Papandreu ka dashur të injektojë optimizëm në opinionin publik vendas, dhe ka deklaruar se qeveria e tij merr përsipër përgjegjësinë për nxjerrjen e vendit nga kriza, duke theksuar se kjo është një punë e vështirë por jo e paarritshme.

Megjithatë, kryeministri nuk ka dhënë detaje për strategjinë e daljes nga kriza, duke e argumentuar këtë me faktin se, siç tha, nuk ndodhej përballë gazetarëve për të komunikuar vendime që ende ndodhen në fazën e konsultimit.

Situata e ekonomisë greke ndodhet që prej dy muajsh në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Greqia ka pësuar zbritje të vazhdueshme në klasifikimin për aftësitë huamarrëse, në kohën që për këtë vit i duhet të marrë të paktën 55 miliardë euro kredi.

Zbritja në klasifikim përkthehet në interesa të larta dhe periudhë afatshkurtër shlyerje të kredive, çka vlerësohet se do të shtrëngojë edhe më shumë lakun rreth Greqisë.

Duke komentuar mesazhet negative që vinë nga tregjet e jashtme dhe mediat e huaja, kryeministri tha se në to ka edhe spekulime, por theksoi se ishte vetë Greqia ajo që dha shkas për këto mesazhe, duke ia dedikuar situatën negative qeverisjes së mëparshme nga konservatorët.

Ai shtoi ndërkaq, se presioni duket shfrytëzuar si nje shans për ndryshime dhe parashikoi se do të nevojiten rreth dy muaj për të rehabilituar besimin e kreditorëve ndaj Greqisë.

FMN në Athinë

Ekipi i FMN-së që do të qëndrojë dhjetë ditë në Athinë, është takuar të mërkurën me ministrin e ekonomisë, pas kërkesës së këtij të fundit.

Në një njoftim të ministrisë së ekonomisë, thuhet se ministri ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të FMN-së për çështje që lidhen me sistemin tatimor, kontrollin e shpenzimeve buxhetore dhe hartimin e buxhetit.

Analistët vënë në dukje se programi i ekipit nuk parashikonte takime me ministra, por vetëm me ekspertë teknikë, dhe theksojnë se vizita e ekipit të FMN-së është e natyrshme të krijojë pakënaqësi në radhët e komisionit Europian që së shpejti do të ftohet të vendosë mbi programin e stabilitetit ekonomik që do të paraqesë Greqia.

Detaje të këtij programi pritet të prezantohen të enjten për herë të parë në mbledhjen e qeverisë greke.