BBCAlbanian.com
 
Botuar: E shtunë, 16 janar 2010 - 16:33 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Ngushtohet sipërfaqja e përmbytur
 
Lulëzim Basha
Ministri Basha tha se po vazhdon puna për furnizimin e banorëve me ushqime
Pas përmbytjeve të mëdha të dy javëve të fundit në zonën e Shkodrës, situata po normalizohet, ndërsa autoritetet po përgatiten për llogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka deklaruar se sipërfaqja e përmbytur është ngushtuar me një mijë hektarë të tjerë në 24 orët e fundit, duke arritur tashmë në rreth 8300.

Mbi 2000 shtëpi u permbytën gjatë dy javëve të fundit dhe mbi pesë mijë persona u evakuan gjatë gjithë operacionit për shpëtimin e popullsisë.

Moti i kthjellët dhe pa reshje po ndihmon në rënien e nivelit të ujërave në zonat e përmbytura, duke krijuar mundësi të lidhjeve automobilistike me fshatrat periferike të Shkodrës.

Ministri Basha theksoi se operacionet e kryera për mbrojtjen e jetës së banorëve të zonës kanë qenë të suksesshme dhe kujdesi për ta ka qenë në nivelin maksimal.

Ai bëri të ditur se po vazhdon puna për furnizimin e të gjithë banorëve të evakuar me ushqime, ndërkohë që situata po përmirësohet gradualisht.

Sidoqoftë, autoritetet ende nuk kanë të dhëna të sakta për dëmet e shkaktuara dhe ministri nuk iu përgjigj pyetjes lidhur me këtë në konferencën e fundit për shtyp.

Qeveria shqiptare pritet të organizojë së shpejti një konferencë donatorësh për të mbledhur ndihma dhe asistencë ekspertësh, për të vlerësuar dhe rikuperuar dëmet e shkaktuara në zonat e përmbytura në veri të vendit.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>