BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 29 dhjetor 2009 - 10:27 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Berisha : “100 ditët historike të qeverisë time”
 
PD-ja e kryeministrit Berisha fiton zgjedhjet parlamentare (Arkiv)
Berisha i ka bërë thirrje opozitës t'i japë fund bojkotit dhe të hyjë në parlament
Kryeministri shqiptar Sali Berisha i ka vlerësuar si historike 100 ditët e para të qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës ti japë fund bojkotit dhe të hyjë në parlament.

Kjo e fundit vazhdimisht ka akuzuar qeverinë e zotit Berisha se po varfëron vendin, ndërsa ka këmbëngulur për hapjen e kutive të votimit si kusht për hyrjen në parlament.

Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar koincidencën e festave të fundvitit me 100 ditet e qeverisë për të bërë bilancin e saj.

Për kryeministrin shqiptar kjo periudhë është historike për Shqipërinë, pasi Bashkimi Europian ka marrë vendime në favor të saj.

Zoti Berisha nuk ngurroi tëvlerësonte me superlative mbajtjen e zgjedhjeve më 28 qershor, duke e cilësuar si një ditë të madhe, çka sipas tij bëri që vendi të dilte në listën e bardhë të heqjes së vizave.

“Këto 100 ditë, do të mbahen mend si ditët e përshpejtimit maksimal të heqjes së vizave për shqiptarët”, tha zoti Berisha .

Kryeministri shqiptar rreshtoi si suksese tëpadiskutueshme një sërë reformash që kanë nisur dhe po vazhdojne në Shqiperi.

Sipas tij “Në kushtet e krizës më të madhe që Europa ka njohur që nga vitet 30 deri më sot, qeveria shqiptare është e vetmja që parashikon një rritje të ndjeshme të të ardhurave personale në 800 mijë familje me rritjen e pagave dhe pensioneve”.

Si dhe me pare zoti Berisha i bëi thirrje opozitës shqiptare ti japë fund bojkotit dhe të hyjë në parlament, ndonëse u tregua sërisht i vendosur për të mos marrë parasysh kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Uroj që vendimet e marra në 100 ditë ta bëjnë zotin Rama të marrë vendimin e duhur” tha kryeministri.

Deklarimet e fundit të zotit Berisha vijnë, ndërsa opozita prej afro katër muajsh ka organizuar protesta të shumta sipas saj në mbrojtje të votës së lirë.

Në këto protesta ajo ka shtuar më tej akuzat ndaj qeverisë se po varfëron gjithnjë e më shumë popullin, ndërsa njerëz të saj po pasurohen në sajë të aferave korruptive.

Tonet e larta të deklaratave në mbyllje të vitit 2009 paraljmërojnë se viti i ri 2010 mund të jetë një vit tjetër përplasjesh të mëdha për politikën shqiptare, pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve për të gjetur një zgjidhje.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>