BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 18 dhjetor 2009 - 10:44 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Roli i BE-së kyç për zhvillimin e Kosovës
 
Hartë e Kosovës
Bashkimi Evropian prej të premtes do t’i hapë dyert për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi që të udhëtojnë në zonën Shëngen pa viza.

Shqipëria dhe Bosnja nuk arritën që të marrin pëlqimin e Brukselit për liberalizimin e vizave nga 19 dhjetori, për shkak të siç u tha mospërmbushjes së kritereve nga ana e tyre.

Më mbrapa në gjithë këtë proces mbetet Kosova.

Vetëm pak ditë më parë Bashkimi Evropian i premtoi Kosovës perspektivën e liberalizimit të mundshëm të vizave, duke bërë kështu hapin e parë drejt përfshirjes së vendit në këtë proces.

Analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus i tha BBC-së, se tani është koha që BE-ja duhet të lërë retorikën dhe të bëjë hapa konkretë për ta nxjerrë Kosovën nga izolimi, në të cilin ndodhet aktualisht.

Violeta Hyseni bisedoi me zonjën Knaus dhe fillimisht e pyeti se sa ishte real përkushtimi i shprehur nga Bashkimi Evropian për hapjen e perspektivës për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Knaus: Mendoj se në aspektin e retorikës ka një përkushtim dhe tani kjo është vendosur dy herë në letër, së pari në të ashtuquajturin studim fizibiliteti, ku Komisioni fillimisht ka propozuar që të ketë një proces, i cili eventualisht do të çonte në liberalizimin e vizave dhe kjo pastaj u konfirmua nga vendimi i Këshillit.

Mendoj se tani ka përfunduar koha e fjalëve dhe ka ardhur koha për veprim.

Mendoj se viti i ardhshëm do të jetë koha kur ne do të shohim nëse me hapa konkrete, këto premtime do të shndërrohen në realitet.

Konkretisht në fillim të vitit të ardhshëm, Komisioni duhet të caktojë një ekip që do të përgatiste një udhërrëfyes për Kosovën, njësoj si për vendet tjera në rajon.

Në muajt e ardhshëm më pas, Kosovës duhet t’i paraqitet ky udhërrëfyes, që është hapi i parë për udhëtimin pa viza. Këtu mendoj se do të shohim nëse premtimet do të kthehen në veprime.

BBC: Derisa vendet tjera të rajonit kanë bërë përparime drejt liberalizimit të vizave, Kosova ka mbetur vendi më i izoluar. A mendoni se refuzimi për t’i mundësuar edhe Kosovës liberalizimin e vizave deri tani, ka qenë për shkak të shqetësimeve ligjore që kanë të bëjnë me statusin e saj, apo edhe paragjykimeve që ekzistojnë për kosovarët?

Knaus: Është kombinimi i të dyjave. Së pari Kosova ka qenë e zënë me ndërtimin e shtetit, derisa vendet tjera kanë bërë përparime drejt liberalizimit të vizave, kështu që kur procesi nisi në fillim të vitit 2008, ishte vetëm një muaj para shpalljes së pavarësisë.

Kjo është një arsye që Kosova ka ngelur mbrapa. Natyrisht është edhe problemi i mosnjohjes së saj nga pesë shtetet anëtare, që është përdorur si pretekst pse Kosova nuk ka arritur që të zë hapin me shtetet tjera.

Poashtu kemi edhe qeverinë e Kosovës, e cila nuk është fokusuar në çështjen e liberalizimit të vizave deri në fillim të këtij viti, kur Ministria e Brendshme vendosi të hartonte njëanshëm udhërrëfyesin e saj dhe të shtyente para çështjen në mënyrë të njëanshme.

Siç e thatë edhe ju, ekziston një frikë se pa viza shumë kosovarë do të emigronin.

BBC: Zonja Knaus, për liberalizimin e vizave, Kosova natyrisht se do të duhet të përmbushë disa kritere, por a do të vlerësohet ajo njejtë si vendet tjera, përkatësisht në bazë të meritës për zbatimin e reformave?

Knaus: Mendoj se ky do të jetë një rast testues, nëse Evropa është serioze për perspektivën evropiane të Kosovës dhe nëse ky nuk është një premtim bosh, por real.

Në qoftë se Kosova trajtohet njejtë si vendet tjera në rajon, atëherë duhet të gjykohet sipas meritave, që dmth se qeveria do të vlerësohet sipas zbatimit të reformave që kërkohen.

Në mënyrë që ky proces të fillojë, qeverisë së Kosovës duhet t’i jepet udhërrëfyesi dhe udhëzimet e qarta se cilat janë pritjet nga Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian.

Mendoj se çështja e vizave është shembulli i parë konkret se a është perspektiva evropiane reale, a është qeveria e përkushtuar për zbatimin e reformave të vështira dhe të kushtueshme, a janë vendet anëtare të BE-së të përkushtuara për të siguruar që ky premtim nuk është bosh, se edhe pa njohjen e të gjitha 27 vendeve anëtare Kosova mund të ecë përpara dhe a do të bëjmë përparime në një të ardhme të afërt e jo të largët, jo në 5 apo 10 vitet e ardhshme, por gjatë një apo dy viteve, në mënyrë që Kosova të mos mbetet vendi më i izoluar në botë, por të gëzojë si vendet tjera në rajon, udhëtimin pa viza dhe të ndjehet si pjesë e Evropës.

BBC: Dhe a po punon qeveria për përmbushjen e kritereve për këtë proces dhe në këtë kuadër a mund të nxjerrë Kosovë ndonjë mësim nga vendet e rajonit?

Knaus: Në pyetjen tuaj të parë po, qeveria e Kosovës apo thënë më saktësisht Ministria e Punëve të Brendshme është fokusuar në 13 çështjen e vizave në disa muajt e fundit.

Ajo ka bërë udhërrëfyesin e saj, janë miratuar strategji, plane veprimi etj. Mendoj se ende duhet bërë shumë, sepse kjo nuk është punë vetëm e një ministrie, prandaj është koha që edhe ministritë tjera t’i bashkohen përpjekjeve në këtë fazë fillestare të punës.

Kjo është një çështje që i intereson të gjithë qytetarëve dhe qeveria duhet ta ketë prioritet.

Në anën tjetër, Kosova ka para vetes shumë sfida, është mbrapa jo vetëm në fillimin e procesit të liberalizimit të vizave, por kufinjtë e saj janë ende të pasigurtë, institucionet janë të reja dhe të dobëta, janë shumë strategji që ekzistojnë në letër por duhet të zbatohen në praktikë.

Poashtu riatdhesimi do të jetë një çështje e madhe vitin e ardhshëm kur marrëveshjet fillojnë të zbatohen dhe njerëzit do të kthehen nga Gjermania dhe nga vendet tjera.

Komisioni dhe vendet anëtare të BE-së do të interesohen se si do të integrohen këta njerëz në Kosovë.

Pra ka shumë sfida përpara, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por mësimi nga vendet tjera është se kur e vendosni këtë si prioritet dhe punoni, mund të arrini ndryshime të shpejta.

Askush nuk do të mendonte që Serbia dhe Maqedonia do të lëviznin kaq shpejt në zbatimin e reformave, ato e kanë befasuar vetveten dhe Bashkimin Evropian. Mendoj që Kosova duhet ta përsërisë këtë.

 
 
LOKALE
Kosova shënon përmirësime në zgjedhje
14 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
Petrich: 'Pavarësia e Kosovës është realitet'
11 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>