BBCAlbanian.com
 
Botuar: E hënë, 14 dhjetor 2009 - 16:23 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Kosova shënon përmirësime në zgjedhje
 
Zgjedhje në Kosovë
Në raundin e dytë të zgjedhjeve vëzhguesit vërejtën edhe mangësi
Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë, ENEMO ka konstatuar përmirësime në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan se në raudin e dytë të zgjedhjeve është përmirësuar procedura e votimit dhe është vënë re efikasitet më i madh në numërimin e votave.

Por shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Kosovë, Darko Aleksov gjatë prezentimit të raportit paraprak të vëzhguesve tha se ishin vërejtur edhe një numër parregullsish.

“Prania e gjerë e votimit familjar që është vrojtuar, jo vetëm që është kundër ligjit, por paraqet një shkelje serioze të parimit të rëndësishëm të fshehtësisë së votimit”, tha zoti Aleksov.

Sipas tij, shumë deklarata të mashtrimit dhe manipulimit nga shumica e partive, janë bërë shpesh pa konsideratë ndaj mekanizmave ligjorë dhe kjo ka krijuar një atmosferë të tensionuar, në të cilën, sipas rrjetit të vëzhguesve, ENEMO, legjitimiteti i rezultateve mund të sfidohet.

Vëzhguesit e huaj tërheqin vërejtje se mbështetja e vazhdueshme e autoriteteve kosovare në ndihmën ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve, ka ngritur shqetësime rreth gatishmërisë për ndërtimin e kapaciteteve brenda institucioneve përkatëse.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli të djelënë në mbrëmje rezultatet paraprake të raundit të dytë të zgjedhjeve komunale në Kosovë.

Sipas këtij rezultati PDK ka fituar në dhjetë komuna, LDK në pesë, ndërsa AAK në tri komuna.

Pakica serbe ka fituar në vetëm një komunë, në atë të Shtërpces, ndërkohë që në Hanin e Elezit ka fituar një kandidat i pavarur.

Rezultati më i paqartë në tërë këtë proces ka qenë rezultati për Prizrenin, ku sipas KQZ-së, të dy kandidatët kanë një përqindje të njëjtë të votave dhe se fituesi do të dihet pas numërimit të rreth 1600 votave me kusht.

Pjesa më problematike e gjithë procesit zgjedhor ka qenë shpallja e fitoreve nga shtabet e partive.

 
 
LOKALE
EULEX - Një vit në Kosovë
09 dhjetor 2009 | Rajoni
Shpallen rezultatet paraprake
14 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>