BBCAlbanian.com
 
Botuar: E enjte, 10 dhjetor 2009 - 14:44 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Moda ekologjike dhe zgjidhjet për klimën
 

 
 
Shtëpi me ngrohje djellore
Jetesa në mënyrë ekologjike është kthyer në një tendencë të kohës
Të zgjedhësh të jetosh në mënyrë ekologjike është një tendencë shumë e modës në shumë pjesë të botës.

Ricklimi është bërë aktiviteti kryesor. Shitja e makinave elektrike dhe e produkteve ekologjike ka shënuar rritje.

Kritikët thonë se këto aktivitete janë thjesht modë, ose nuk ndryshojnë gjë në ngrohjen globale.

Tani ka shqetësime në rritje se kur është fjala për një reagim ndërkombëtar për ndryshimin e klimës, moda është bërë një faktor i rëndësishëm.

Kopenhagë

Muzika buçet në një depo të rinovuar të një stacioni treni jo shumë larg qendrës së Kopenhagës.

Ky është vendi ku u mbajt këtë vit ceremonia për Çmimet për Modë Inovative Ekologjike.

Ky është një konkurs për stilistët e rinj danezë që janë të ftuar të vijnë me ide të reja të mbështetura në ekologji dhe mbi atë që është aktuale në modë.

Fituesit në fakt, jo vetëm që kanë marrë presitigjin, por edhe çmimet.

Këto janë medalje të bëra nga kanoçe të ricikluara.

Në mesin e atyre që morën pjesë në këtë konkurs ishin edhe Kamilla Gitter dhe Thea Hestbjerg, dy stiliste të reja që bëjnë rroba me niseshte.

Ideja është që e vesh një herë këtë rrobë dhe e hedh pa i shkaktuar dëm ambjentit.

Por megjithë interesin e tyre në ide ekologjike, ato mendojnë se ekologjia dhe moda nuk janë përzjerja më e mirë.

"Unë jam përpjekur që të punoj kundër modës së shpejtë dhe jam përpjekur ta luftojë këtë, por është shumë e vështirë, sepse industria e modës kërkon që ajo të ndryshojë çdo javë", thotë Kamila.

 Unë jam përpjekur që të punoj kundër modës së shpejtë dhe jam përpjekur ta luftojë këtë, por është shumë e vështirë, sepse industria e modës kërkon që ajo të ndryshojë çdo javë
 
Kamilla Gitter - stiliste

"Ne duam të fitojmë para, por kemi një parim, mund të fitosh para pa e dëmtuar mjedisin," thotë Thea.

E ndërsa idetë ekologjike ndoshta mund të mos e influencojnë botën e modës, disa ekspertë janë të shqetësuar se mos bota e modës influencon mbi idetë e botës ekologjike.

Tre vjet më parë, politikanët, ekspertë të klimës, madje edhe yje të muzikës 'country' i besuan idesë që karburantet biologjike, mund të jenë alternativa më realiste për naftën dhe gazin.

Por debati për tokën dhe ushqimin dhe debati tokë për karburnate kanë ndihmuar në rritjen e shpejtë të çmimeve të ushqimeve.

Kështu ra shpejt shkëlqimi i modës së bio-karburanteve.

Moda dhe burimet

Samiti në Kopenhagë
Delegatët përpiqen të arrijnë një marrëveshje të re për klimën

Një prej burimeve më të njohura të ripërtëritshme për energji, është era.

Në Danimarkë energjia e përftuar nga era siguron 20 për qind të nevojave të vendit për energji.

Madje edhe Bella Centre, ku zhvillohet konferenca për klimën, zbukurohet nga një turbinë e madhe që lëviz ngadalë nga era e lehtë.

Disa ekspertë besojnë se moda për energjinë e erës e ka bërë qeverinë që të angazhohet pa bërë një ekzaminim të plotë për limitet e kësaj teknologjie.

E teksa danezët kanë ndërtuar turbinë pas turbine, ata nuk kanë mundësi për të akumuluar energjinë që gjenerohet nga era.

Në shumë pjesë të vendit më shumë se gjysma e energjisë elektrike importohet me çmime shumë të larta nga Norvegjia dhe Suedia.

Martin Agerup është president i tregut të lirë, një shoqatë që ekzaminon qëndrimet pro dhe kundra energjisë së erës.

Ai thotë se realiteti nuk është marrë parasysh.

"Këtu ka shumë çështje që nuk janë zgjidhur dhe energjia e erës mund të jetë pjesë e zgjidhjes, por nuk është zgjidhja," thotë ai.

Qeveritë dhe alternativat

Në kryeqytetin danez, presioni është mbi delegatët që ata të dalin me një marrëveshje të re që pason protokollin e Kiotos.

Pjesa më e madhe e diskutimeve këtu do të jenë për objektiva emetimesh afatshkurtra dhe afatgjata.

Pjesa më e madhe e diskutimeve do të jenë për objektiva emetimesh afatshkurtra dhe afatgjata

Për disa si Martin Agerup, këto objektiva janë duke penguar përgjigjen ndaj ndryshimit të klimës, duke i bërë qeveritë që të adaptojnë strategji në përpjekje për të reduktuar emetimet pavarësisht nga kostoja mbi konsumatorët.

Ai beson se vendosja e një çmimi afatgjatë për karbonin është rruga më e mirë për të siguruar që teknologjitë më të mira mbijetojnë, qofshin apo jo të modës.

"Përgjatë viteve ne do të zhvillojmë teknologji në treg. Nuk na duhet që të kemi politikanë që të thonë me hamendje nëse një vit do të jenë turbinat e erës, ndërsa në një vit tjetër bio-karburantet. Këto fakte nuk do të jenë çështje."

"Ato mund të jenë përsëri fakte, por do të jenë njerëzit ata që do të vendosin se ku janë vlen të investohet."

"Njerëzit do të investojnë paratë e tyre, jo taksat e të tjerëve në teknologji, tek të cilat besojnë. Kjo është mënyra se si duhet të veprojmë", thotë Martin Agerup.

 
 
LOKALE
Disa nga çështjet kryesore në Kopenhagë
01 dhjetor 2009 | Faqja Kryesore
'Nuk dihet' fati i fondeve për klimën
25 nëntor 2009 | Faqja Kryesore
Qëndrimet në Kopenhagë për klimën
17 nëntor 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>