http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E diel, 15 nëntor 2009 - 15:14 CET

APEC tërhiqet nga zotimi për klimën

Udhëheqësit botërorë në samitin e vendeve të Azisë e Paqësorit në Singapor, pajtohen se në konferencën e OKB-së për klimën, nuk mund të arrihet një marrëveshje e detyrueshme nga pikëpamja ligjore.

Samiti i Kopenhagës ku do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, zhvillohet muajin e ardhshëm.

Zyrtarët e takimit thanë se udhëheqësit, përfshirë Presidentin e SHBA-ve, Obama dhe presidentin kinez, Hu Jintao, tani e konsiderojne samitin e Kopenhagës si një gur kilometrazhi, por jo stacion të fundit në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje globale për uljen e emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin serrë.

Zotimi për uljen e emetimit të gazrave u la jashtë deklaratës përfundimtare, e cila u fokusua në masat për nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Megjithatë, kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong, tha se kjo çështje mbetej një objejktiv i rëndësishëm për rajonin.

"Për të arritur një rritje të qëndrueshme ekonomike, ne do të punojmë drejt arritjes së një rezultati ambicioz në Kopenhagë, me qëllim që të sigurojmë që përpjekjet për të zvogëluar ndryshimet klimatike janë në përputhje me detyrimet tona ndërkombëtare," tha zoti Lee.

Kryeministri i Zelandës së Re, John Key i tha BBC-së se shpresonte që samiti danez do t'i nxiste udhëheqësit botërorë drejt negociatave të tyre për klimën.

"Ajo që mendoj se do të shohim është një angazhim politik dhe një dëshirë nga udhëheqësit që kur të shkojnë në Kopenhagë të akumulojnë përparimin e arritur deri tani."

"Kjo do të thotë që gjatë dy viteve të ardhshme, udhëheqësit do të duhet të diskutojnë dhe vendet do të duhet të negociojnë një seri angazhimesh obliguese."

"Kjo do të ketë pjesën e vetë të sfidave, sepse në vitet e fundit nuk kemi arritur ta bëjmë këtë," tha zoti Key.

Ministri i Jashtëm i Kilit, Mariano Fernandez, nga ana e tij foli për rëndësinë e të qënit realist.

"Ne beosjmë se është më mirë të kemi diçka të mirë, sesa të mos kemi asgjë fare."

"Ne po përpiqemi të arrijmë një marrëveshje, në mënyrë të veçantë, për pjesën financiare për të garantuar stimuj ekonomikë me qëllim që vendet të angazhohen në uljen e emetimeve," tha ai.