BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 24 nëntor 2009 - 19:27 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Financimet dëmtojnë paktin për klimën
 

 
 
Përmbytje në Bangladesh

Një përplasje për "para" është një nga arsyet, lidhur me parashikimet se samiti i ardhshëm në Kopenhagë nuk do të arrijë të dalë me traktat global për klimën.

Ky është një tjetër raund në debatin e vazhdueshëm lidhur me fondet për klimën.

Një investigim i bërë nga BBC-ja ka gjetur se marrëveshja e parë financiare e rëndësishme për ndryshimin e klimës, që u bë pas Protokollit të Kiotos, nuk mund të verifikohet.

Kjo gjë ka çuar në akuza për shkelje premtimesh dhe tradhëti.

Pasojat për të varfërit

Pas vitesh të tëra luftë civile që e ka shkatërruar vendin, popullsia në Liberi përballet me një tjetër kërcënim, pasojat e ndryshimeve të klimës.

"Ne ishim në shtëpi, përpara se deti të vinte dhe të na merrte gjysmën e shtëpisë", tregon Amma Ennin.

Ajo jeton pranë një plazhi në një lagje të varfër në kryeqytetin e Liberisë, Monrovia.

"Ne ishim duke fjetur natën kur kjo ndodhi", shpejgon Amma. Valët e detit u afruan pranë shtëpisë së saj.

"E shihja se si lëkundej shtëpia, ndaj u thashë fëmijëve që të dilnin jashtë. Përpara se të dilnim, uji kishte hyrë brenda në dhomë dhe muret e shtëpisë filluan të çahen."

Shkencëtarët e OKB-së fajësojnë ndryshimin e klimës dhe thonë se niveli i detit mund të rritet me një metër brenda pak dekadash.

Kjo do të thotë që pjesë të mëdha të Monrovias do të jenë nën ujë.

Carlton Miller është ministër në qeverinë liberiane.

"Gati të gjitha qytetet e mëdha tona dhe infrastruktura janë përgjatë bregdetit," thotë ai.

Sipas shkencëtarëve ndryshimi i klimës do të rrisë shpejt nivelin e detit

I pyetur se sa shumë do t'i kushtonte qeverisë për të përballuar problemin e ndryshimit të klimës ai përgjigjet:

"Kostoja e përgjithshme është rreth 150-175 milion dollarë. Gati gjysma e buxhetit tonë kombëtar është 175 milion dollarë".

"Ne duhet të dërgojmë një mesazh për ndihmë komunitetit ndërkombëtar se Liberia ka nevojë të madhe për mbështetjen e tyre. Ne po përballemi me një kërcënim eminent," tha ministri.

Marrëveshja historike financiare që u arrit tetë vjet më parë ishte për të ndihmuar vendet e varfëra dhe të dobta.

Ishte hera e parë që një shumë specifike monetare premtohej për vendet e varfëra në bisedimet për ndryshimin e klimës.

"Ne jemi të përgatitur për të kontribuar me 410 milion dollarë në vit deri në 2005," u tha në deklaratën e Bonit.

Por çështja që këto para nuk u morën ishte shkaku i argumentit mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.

Vendet e varfëra thonë se duhet të ishte paguar shuma e plotë që ata supozohet të merrnin në fonde speciale të caktuara nga Konventa e OKB-së për Ndryshimin e Klimës.

Nëse ata kanë të drejtë, atëherë duhet të kishte patur të paktën 1.6 miliard dollarë deri në vitin 2008.

Premtimet shihen ndryshe

Hetimi i BBC-së tregon se deri tani, nuk është kontribuar në nivele që t'i afrohen kësaj shume, por vetëm 260 milion dollarë.

Richard Myungi është një prej negociatorëve kryesorë për klimën për vendet më pak të zhvilluara.

"Ne ndihmemi të zemëruar dhe në disa raste të tradhëtuar. Marrëveshja e Bonit kishte si qëllim të siguronte që 400 milion dollarët ishin destinuar për të adresuar ndryshimin e klimës në kontekstin e konventës dhe prandaj ne duhet të shkonim tek fondet specifike për të siguruar që ata ishin duke adresuar problemet në vendet në zhvillim, po në kuadër të konventës."

Vendet e pasura thonë se marrëveshja e shkruar u lejonte atyre që të transferonin para përmes rrugëve të tjera.

Artur Runge-Metzger është kryenegociatori i Bashkimit Evropian.

"Nga ana evropiane me mund të themi se i kemi realizuar premtimet e bëra në deklaratën e Bonit."

Por përse vendet e varfëra thonë se vendet e industrializuara nuk i kanë përmbushur premtimet e tyre?"

Vendet në zhvillim presim më shumë fonde prej fuqive të mëdha

"Unë mendoj se çdo program rural për bujqësinë, ne bëjmë programe për rujin në vendet e zhvilluara, nevojitet të marrë në konsideratë çështjen e klimës."

"Është shumë e vështirë për të veçuar se sa euro janë shpenzuar në secilën nga çështjet që lidhen me klimën," thotë ai.

Pra ka konfuzion se si ishin shpërndarë paratë e premtuara dhe është e vështirë për të gjetur kontributet e bëra jashtë sistemit të OKB-së.

Paqartësi të dëmshme

Boni Biagini është e ngarkuar me llogaritë speciale të OKB-së për klimën.

Unë pajtohem me qeveritë evropiane, që ato i kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme financimet e tyre".

"Fondet kanë dhënë kontribute, por këto shifra nuk arrijë nivelin 410 milion dollarë në vit, përndryshe ne do të kishin qënë duke menaxhuar miliarda tani."

Marrëveshja e vitit 2001 u hartua nga Dr Marc Pallemaerts.

Ai u pyet nëse këto para ishin destinuar vetëm për fondet speciale të OKB-së.

"Unë mendoj se negociatorët e vendeve në zhvillim kishin arsye për të besuar se kjo do të ndodhte, por nëse shikon marrëveshjen e shkruar, kjo nuk thuhet atje," shpejgon ai.

Paqartësia këtu qëndron në faktin që përse paratë e premtuara në 2001 nuk mund të gjenden, nuk dihet ku kanë shkuar, nuk mund të verifikohen.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e pranon se konfuzioni i krijuar i ka shkaktuar dëm bisedimeve përpara samitit në Kopenhagë.

"Ka patur premtime që nuk janë materializuar plotësisht. Natyrisht që ka edhe një çështje besimi. Por këtë herë e gjithë marrëveshja dhe negociatat duhet të mbështeten në besim dhe konfidencë," tha zoti Ban.

Çdo marrëveshje financiare e pranuar në Kopenhagë duhet të jetë shumë më e madhe se marrëveshja e vitit 2001 dhe shumë më pak konfuze.

Mosbesimi dhe akuzat për tradhëti që ende sillen vërdallë që prej Bonit mund ta bëjnë këtë edhe më të vështirë.

 
 
LOKALE
Qëndrimet në Kopenhagë për klimën
17 nëntor 2009 | Faqja Kryesore
APEC tërhiqet nga zotimi për klimën
15 nëntor 2009 | Faqja Kryesore
'Pesimizëm' rreth samitit të klimës
29 tetor 2009 | Faqja Kryesore
Ngrohja globale po ndodh më shpejt
28 shtator 2009 | Faqja Kryesore
Ngrohja globale edhe ndikimet lokale
24 shtator 2009 | Rajoni
Ban Ki Moon flet për samit historik
16 shtator 2009 | Faqja Kryesore
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>