http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E martë, 15 shtator 2009 - 14:19 CET

A ia vlen të investosh në naftë?

Cili ka qënë investimi më i mirë prej 1000 dollarësh që keni, vitin e kaluar?

Më 15 shtator 2008 banka e investimeve, Lehman Brother pësoi kolaps, duke percipituar në një tatëpjetë ekonominë globale.

Nëse do të kishte investuar paratë në treg një vit më parë, më 14 shtator një ditë përpara se të ndodhte kolapsi, a do të kishin qënë sot më të pasur apo më të varfër?

Në pjesën e parë të këtij cikli folëm për leverdinë e investimeve në flori, po përsa i takon atij që nijhet si floriri i zi?

Çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishit investuar 1000 dollarë në naftë.

Javier Blass korrespondent i gazetës Financial Times për ekonominë përqëndrohet në çështjet energjisë dhe tregjeve të naftës.

BBC: A varet çmimi i karburanteve që blejnë konsumatorët nga tregu i naftës?

Javier Blass: Varet kryesisht nga tregu i naftës pra nga prodhimi pasi ka gjithmonë kërkesë dhe ofertë.

Në Londër ne paguajmë shumë taksa mbi çmimin e naftës, por në shumë vende të tjera si në Afrikë, Kinë apo Amerikën Latine situata është ndryshe.

Në këto vende taksat janë më të vogla. Atë që ndodh në tregun e naftës njerëzit po paguajnë tek pikat e karburanteve.

BBC: Nëse do të kishim investuar 1000 dollarë në tregun e naftës, më 14 shtator të vitit 2008, çfarë do të kishte ndodhur?

Javier Blass: Do të kishit humbur para gjatë të gjithë vitit.

Në korrik të vitit të kaluar ne gati arritëm çmimin 150 dollarë për fuçi, në muajin janar ishim në masën 30 dollarë, ky ishte ndryshimi më i madh që kishim parë ndonjëherë në tregun e mallrave dhe impakti i krizës ekonomike ishte jashtëzakonisht i madh.

BBC: Për përdoruesit e makinave një ulje masive në tregun e naftës është një lajm shumë i mirë, pasi shpenzojnë më pak në pikat e karburanteve?

Javier Blass: Është një lajm shumë i mirë për konsumatorët në mbarë botën.

Në muajin janar çmimet në mbarë botën ranë në masën 25 për qind krahasuar me verën e kaluar.

Dhe ka qënë një lajm shumë i mirë për ne konsumatorët në botën e zhvilluar dhe botën në zhvillim. Gjithashtu një lajm shumë i mirë nëse je në Arabninë Saudite apo në Venezuelë.

BBC: Pra duke parë në të ardhmen, çmimi është rritur diçka, jo aq sa çmimet e një viti më parë, a është tani kohë e mirë për të investuar në tregun e naftës?

Javier Blass: Do të thosha se është një kohë shumë e mirë për të investuar paratë në tregun e naftës, një moment edhe më i mirë ka qënë edhe disa muaj më parë, por ende kemi probleme strukturale në tregun e naftës.

Kina vazhdon të kërkojë më shumë naftë, atje jetojnë më shumë se një miliard njerëz që po pasurohen dhe ata po kalojnë nga të ecurit më këmbë, tek biçikleta dhe më tej tek të paturit makinë.

Dhe kjo do të thotë gjithnjë e më shumë kërkesa për karburant. Por nxjerrja e naftës por bëhet gjithnjë e më e vështirë.

Herën e fundit që tregu ishte shumë entuziast për gjetjen e fushave të reja naftëmbajtëse ishte kur British Petrolium njoftoi një zbulim të madh në Gjirin e Meksikës, por kjo naftë është shumë e vështirë të prodhohet.

Më parë ne shkonim në Arabinë Saudite shponim nja 2000 metra dhe kjo ishte e gjitha, dilte nafta, pra kushtonte një dollarë për t'u prodhuar.

BP ka shkuar në një vend ku është një sipërfaqe me ujë prej gati 2000 metrash në mes të detit.

Ata kanë shpuar 9 mijë metra nën shtratin e detit dhe kanë gjetur naftë.

Kjo është ndryshe, gjetja e naftës po bëhet gjithmonë e më e vështirë dhe në të njëjtën kohë kërkesa është duke u rritur.

Në një periudhë afatgjatë investimi i parave në naftë është një zgjedhje shumë e mirë.