http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E premte, 11 shtator 2009 - 12:57 CET

Alida Berisha-Cani, BBC Gjermani

Pasojat e krizës ekonomike në Gjermani

Një vit pas shpërthimit të krizës globale ekonomike, Gjermania ka filluar të dalë ngadalë nga recesioni.

Miëpo, pasojat e krizës janë ende të pranishme dhe ato ndikojnë edhe në jetën e shqiptarëve që jetojnë në Gjermani.

Pas një periudhe të gjatë ku shënohej vetëm një rënie e mëtejme, ekonomia më e zhvilluar e Evropës ka nisur të rimëkëmbet dhe të dalë ngadalë nga recesioni. Mirëpo, kriza ende nuk ka përfunduar dhe ajo vazhdon të ndikojë edhe në jetën e shqiptarëve që jetojnë në Gjermani.

Njëri prej tyre është edhe Halil Rrustemaj nga Kosova, i cili jeton këtu që nga viti 1992. Është gazetar me përvojë, ka punuar në redaksinë shqipe të Radios Deutsche Welle në Bonn, por pas skadimit te kontratës ka mbetur i papunë. Si reporter i lirë bashkëpunon edhe më tutje, kohë pas kohe, me Deutsche Wellen, si dhe me Televizionin e Kosovës, Televizionin Diaspora, Top Chanel. Është i martuar dhe ka gjashtë fëmijë.

Në një bisedë për BBC-në, zoti Rrustemaj rrëfen sa është i prekur ai personalisht dhe familja e tij nga kriza ekonomike.

"Kriza ekonomike në Gjermani reflektohet në mënyra të ndryshme. Tek ne, pa punë të rregullt, reflektohet në një mënyrë të veçantë.

Sa më përket mua dhe familjes time, kriza ekonomike ka ndikuar që t`i lëmë anash, luksin, rekreacionet me fëmijë etj.

Pastaj edhe vizitat tek familjarët e shumtë në Gjermani, Zvicër, Austri, e gjetiu në vendet e Evropës janë rralluar shumë.

Si person pa punë të rregullt, bie fjala jam privuar nga e drejta e kredisë e gjëra tjera që kërkohen vazhdimisht si në banesë ashtu edhe për nevojat e fëmijëve", thotë H.Rrustemaj.

Diaspora shqiptare ka ndihmuar gjithmonë të afërmit e vet në vendlindje. Mirëpo, si qëndron puna tani kur vetë emigrantët jetojnë në vende të përfshira nga kriza? Halil Rrustemaj thotë se janë zvogëluar dërgesat për familjarët në Kosovë.

"Natyrisht, madje ka kohë që ne nuk jemi në gjendje të ndihmojmë familjarët në Kosovë. Më parë kemi ndihmuar me ndonjë shumë të hollash në periudha të ndryshme, si bie fjala, në vjeshtë për përgatitjen e gjërave të nevojshme për dimër. Kurse me financat aktuale mezi arrijmë të kursejmë ndonjë cent për të vizituar familjen në Kosovë një herë në vit."

Megjithë problemet me të cilat ballafaqohet, Halil Rrustemaj shpreson se situata në Gjermani do të përmirësohet.

"Gjermania, vendi me industri të zhvilluar duhet ta kapërcejë këtë krizë. Tashmë do bëhen zgjedhjet e reja dhe forcat që do ta marrin pushtetin, në të ardhmen kanë detyra për reforma në ekonomi dhe në lëmin e punësimit.

Tek e fundit ne dhe të huajt e tjerë, jemi mësuar të përballemi me vështirësi, por gjermanët janë mësuar të jetojnë më mirë. Dhe nëse kriza vazhdon, populli gjerman një ditë mund ta humbasë durimin.