http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 10 shtator 2009 - 13:44 CET

Rob Broomby
BBC Varshavë

Recesioni i shtyn polakët të kthehen

Njoftimet më të fundit mbi impaktin e krizës ekonomike mbi migrimin tregojnë se shumë emigrantë tashmë po kthehen në vendet e tyre.

Kur shumë nga vendet ish komuniste te Evropës lindore dhe qëndrore u anëtarësuan në Bashkimin Evropian në vitin 2004, punëtorët atje patën shansin të punojnë në disa vende perëndimore.

Britania, Irlanda dhe Suedia ishin ndër të parat që lejuan akses të lirë për tregjet e tyre të punës.

Në vitet që pasuan më shumë se 1 milion vetë nga këto vende arritën në Britani, shumica e tyre nga Polonia.

Anja Rossiak është një në rreth një milionë polakë që erdhën për të punuar në Britani. Por ajo tashmë është kthyer dhe duket se ka rënë përsëri në dashuri me qytetin e saj të lindjes. Koha që kaloi në një bankë në Glasgow i solli fitime, por ajo e kuptoi se erdhi momenti që të largohej.

“Ishte investim i mirë”, thotë Anja.

“Solla ca para me vete. Nuk është se ishin shumë , por ja vleu pa dyshim”

Anja mendon se koha në Glasgow ishte një episod , një episod megjithatë i rëndësishëm që ndikoi tek ajo në mënyrën se si i sheh gjërat, në perceptimin e Varshavës dhe të vendit të saj në përgjithësi.

Anja kishte menduar fillimisht të rrinte më gjatë se një vit e gjysëm. Ndoshta të rrinte përgjithmonë.

Migrantët ekonomikë në shumë vende kanë qëndruar në vendet e adoptuara me thellimin e recesionit, por jo polakët.

Karolina Kosmala e grupit të burimeve Omega -- thotë se kompanisë së saj iu desh të ndryshonte gjithë planet e biznesit. Nëse dikur ata ishin përpjekur të rekrutonin staf polak për kompanitë britanike, tani ata po përpiqen t’i tërheqin ata në atdhe.

“Në një farë kuptimi, vitin e kaluar ne ndaluam të rekrutonim për klientë britanikë. Ne filluam të rekrutonim në Poloni për klientë me bazë në Poloni, kështu që modeli ynë ka ndryshuar tërësisht”.

Studimet e reja të kryera nga Instituti për Politikë të Migrimit sugjeron se gjysma e punonjësve evropiano- lindorë që erdhën në Britani mund të jenë kthyer tashmë në vend.

Por të paktën 700 mijë vetë, kryesisht polakë mund të jenë ende në Britani.

Në stacionin e autobuzave në Varshavë sheh një pamje më komplekse.

Herën e fundit isha atje kur Polonia u anëtarësua në BE në 2004.

Më pas ai u mbush me njerëz që nxitonin të vinin në Britani. Tani është më qetë, megjithëse autobuzët ende janë të shumtë në numër.

Trafiku ka rënë krahasuar me kohën kur ishte kulmi i lëvizjes, por njerëzit ende po lëvizin në të dy drejtimet aq sa për t'i mbajtur në punë shoferët.

“Çdo ditë për në Londër nisen pesë autobuzë, dhe të gjithë janë plot,” tregon një shofer

Një prej njerëzve të mbledhur në stacion për të përcjellë të birin, tregon se ai ka punuar si murator për gjashtë vjet në Britani. Tani Britania është vendi i tij.

“Londra është jeta ime. Është e bukur. Zemrën e kam në Poloni . Jeta ime është në Londër,” thotë ai.

Vetë Anja ka plane të tjera. Ajo u kthye nga Britania, por stërlina e dobët dhe papunësia në rritje në Britani krahasuar me rritjen ekonomike që po vihet re në Poloni ka bërë që ajo të vendosë të mos kthehet më në Britani.

“Situata ekonomike në Britani nuk na tërheq më. Ndërmarrja ku punoja ynë mbylli 45 dyqane . Unë jam valltare dhe nuk mund të gjeja më punë . Kështu që vendosa të kthehesha.”

Rasti i i saj është tipik për shumë polakë të rinj. Ajo ka mbaruar shkollën, ka aspirata të shumta. Si ajo ka shumë të tjerë.

Për Michael Dembinskin nga Dhoma e Tregëtisë Britanike - Polake, kjo dhe recesioni ka ndikuar tek polakët që të kthehen në vend.

“Sa kohë mund të rrijë dikush që ka mbaruar universitetin për juridik apo inxhineri të punojë si kamarier apo barist. Kjo është një prej arsyeve se pse shumë polakë janë kthyer,” thotë Michael Dembinskin.

“Natyrisht nuk kemi parë kthime të jashtëzakonshme."

"Kishte shifra të larta në gjysmën e dytë të vitit, por shifra nuk ka qenë një milion brenda dhe një milion jashtë. Sigurisht kur shkon nga Polonia në Britani dhe anasjelltas, avionët janë plot në të dyja drejtimet kurdoherë kur fluturon”.