BBCAlbanian.com
 
Botuar: E mërkurë, 09 shtator 2009 - 17:18 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Ekonomia e Shqipërisë dhe kriza botërore
 
Adrian Civici
Një pasojë e krizës botërore për ekonominë e Shqipërisë është edhe rënia e eksporteve, sidomos ajo e mineraleve.

Për një vështrim më të thellë rreth pasojave të krizës korrespondenti i BBC-së Aleksandër Furxhi, intervistoi profesorin e ekonomisë Adrian Civici, rektor i Universitetit Europian të Tiranës, i cili fillimisht i përgjigjet pyetjes se si u ballafaqua ekonomia e Shqipërisë me krizën botërore të vitit të fundit

Civici: Ekonomia shqiptare futet në grupin e atyre vendeve që u prekën rëndë nga pasojat e krizës, por që nuk ranë në krizë, në rast se si tregues të rënies në krizë marrim treguesin që përdoret rregullisht për të gjithë vendet dhe ekonomitë e zhvilluara, siç është rënia në depresion ekonomik në reçesion për një ose dy tremujore me rritje ekonomike negative ose përgjithësisht një ulje nën zero të ritmit të rritjes ekonomike.

Parë nga ky këndvështrim, Shqipëria futet në grupin e atyre pak vendeve që vazhdojnë të kenë rritje ekonomike pozitive, megjithëse shumë më të ulët se vitet e tjera, por gjithsesi nuk ra në reçesion.

BBC: Zoti Civici, përse në disa vende çmimet e artikujve të përditshëm ranë, ndërsa në Shqipëri shohim që më së shumti ndodh e kundërta?

Civici: Ky është fakt sepse jo vetëm tani në rastin e krizës, por edhe në shumë raste të tjera çmimet e disa produkteve në Shqipëri, kanë një tendencë të kundërt me sigurinë e çmimeve ndërkombëtare.

Mjafton të përmendim faktin që dhe disa vite më parë kur çmimi i naftës binte në tregun ndërkombëtar, në Shqipëri më e pakta që mund të ndodhte ishte të mbetej konstant ose ulej shumë pak në krahasim me uljet e tjera.

Ndërsa në këtë moment të krizës ne vërtetë e verifikojmë që një pjesë e çmimeve kanë mbetur në vend, një pjesë e vogël ka patur ulje, por duke qenë një vend pothuajse tërësisht importues përsa i përket shumë nga mallrat e konsumit, duke qenë një vend me nivel të lartë informaliteti dhe duke qenë se tregtia zhvillohet ende në mënyrë arkaike, kryesisht me tregtar të vegjël me shumë hallka dhe jashtë çdo kontrolli.

Kjo ka bërë që për të mbajtur nivelin e caktuar të fitimeve dhe duke mos patur një funksionim cilësor të enteve rregullatorë të tregut, mendoj që çmimet kanë një dozë subjektiviteti dhe më tepër kënaqin interesat dhe ruajnë nivelin e fitimit të tregtarëve apo importuesve sesa janë në funksion të mekanizmit kërkesë - ofertë apo interesit të konsumatorëve në rastin e tregut shqiptar.

BBC: Kriza botërore nisi me lëkundjen e tregut të kredive për blerjen e shtëpive në SHBA. Në Shqipëri ka kohë që flitet se tregu i ndërtimit po kalon disa momente delikate. Ka shenja aktualisht që bankat po i shtrenjtojnë interesat e kredive që kanë dhënë. Çfarë rreziku mund të kishte nga këto zhvillime?

Civici: Këtu ka 2 probleme që duhen diskutuar, së pari çfarë rreziqesh paraqet tregu i ndërtimit për të cilën duhet thënë që gjatë 15 viteve të fundit ka qenë një sektor që ka kontribuar mbi 10% në GDP.

Ka qenë një sektor që ka mbajtur gjallë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe unë nuk do të vendosja një paralele midis tregut të nënkredive dhe asaj që ndodhi në SHBA, por gjithsesi tregu i ndërtimit ka një lloj vështirësie sidomos në 2 vitet e fundit.

Kjo lidhet me dy faktorë, së pari me një komplikim që ka patur së fundmi në Shqipëri problemi i lejeve të ndërtimit, së dyti mendoj që ka ardhur një fazë ku vet sektori i ndërtimit duhet të reagojë përsa i përket ndryshimeve strukturore.

Nëse këto 10 vjet ka patur një nevojë shumë të madhe për banesa, ka ardhur koha që sektori ndërtimit ta diversifikojë shumë aktivitetin e tij, gjithmonë e më tepër po kërkohen komplekse shërbimi, tregtare, zyra, institucione, por ka dhe një fenomen tjetër që po ta analizosh ecurinë e çmimeve dhe koston e ndërtimit shikohet që nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë korrelative midis ecurisë së kostos së lëndëve të para dhe çmimit të shitjes së apartamenteve.

Akoma në shumë raste ka një diferencë shumë të madhe midis kostos reale të ndërtimit dhe çmimit që shitet ç'ka nënkupton që në sektorin e ndërtimit akoma dëshira dhe uria për fitime vazhdon të jetë maksimale gjë që shpesh herë krijon përshtypjen se sektori po bie ne krizë.

Përsa i përket kredidhënies në banka në Shqipëri është vënë re sidomos periudha e muajve Tetor - Nëntor të vitit të kaluar, ishte një përiudhë e vështirë për bankat shqiptare, u konstatua një tërheqje masive e depozitave, gjë e cila i vuri bankat përballë një dileme se deri ku mund të shkonte kjo dhe sa ato ishin në gjendje të materializonin fitimin e tyre, apo të ishin performante në dhënien e kredive.

Muajt e fundit ka një rikthim të besimit në sistemin bankar ose një rikthim të likuiditetit apo kursimeve apo të depozitave të qytetarëve apo biznesit, por gjithsesi dhe bankat pavarësisht se i rrezistuan shumë mirë efekteve të krizës dhe nuk treguan fare shenja lëkundjeje apo paniku, apo mungese besimi, gjithsesi në gjithë këtë trazirë që erdhi si pasojë e krizës, kanë patur një ulje të fitimit të tyre, kanë patur vështirësi siç është rasti i rritjes së përqindjeve të këqia dhe njëkohësisht kanë patur problemin që reflektojnë qytetarët ku një pjesë e madhe e tyre kreditë i kanë në euro, ndërkohë që të ardhurat i kanë në lek dhe çdo rritje e kursit të këmbimit në favor të euros apo dollarit, vështirëson gjithë proçedurën e kthimit të kredive.

BBC: Ekspertët e ekonomisë kanë paralajmëruar para disa muajve se Shqipëria do të përballet me krizën ose efektet e saj më negative në vjesht. A është ende ne fuqi ky paralajmërim?

Civici: Baza e këtij lajmërimi qëndron në faktin se në gjithë analizat që i janë bërë krizës nga personalitete shumë të njohur në fushën e ekonomisë dhe financave qarkullon vazhdimisht teoria e funksionimit të radhëve, pra nëse kriza shpërtheu në SHBA, 6 - 9 muaj më vonë ajo u përhap në Europë dhe është normale që 6 - 9 muaj më vonë ajo të përhapet në vendet partnere të BE-së, pra si të thuash 3 valë njera pas tjetrës. Efekti kundërt do të ndodhi po kështu, duhet të fillojë të dali SHBA nga kriza, Europa dhe pastaj vendet e treta.

Duke e parë nga kjo pikëpamje mendoj që Shqipëria tani në fundin e 6 mujorit të parë dhe 6 mujorin e dytë të 2009, ndoshta do të ketë një përballje akoma dhe më të vështirë me efektet e krizës dhe në këtë sens mendoj që ne duhet të jemi të përgatitur që mos t'i kombinojmë, të paktën politikat e brendshme siç është thellimi i defiçitit buxhetor ose diferenca midis investimeve publike, të ardhurat në buxhet apo tregues të tjerë makroekonomik, mundohemi që të mos t'i thellojmë negativisht në mënyrë që mos të na kombinohet thellimi i efekteve të krizës me politika ekonomike fiskale apo monetare jo fort efiçente për të përballuar këto efekte.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>