BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 08 shtator 2009 - 14:52 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Pasojat e recesionit për punëtorët ilegalë
 
Trafiku njerëzor
Rënia globale ekonomike ka prekur pjesën më të madhe të jetëve tona në një mënyrë apo një tjetër: mund të jetë siguria e vendeve të punës, vlera e shtëpive tona apo e kursimeve tona.

Një grup njerëzish që kanë qenë veçanërisht të ekspozuar janë punëtorët emigrantë në të gjithë botën.

Sipas një raporti të komisionuar nga BBC-ja, ka pasur një rënie të theksuar të emigrimit.

Historitë janë të ndryshme, por megjithë mungesën e vendeve të punës, raporti, që u ndërmor si pjesë e sezonit të BBC-së 'Pas tronditjes', thotë se migrantët po mbeten në përgjithësi aty ku janë, nuk po ecin përpara dhe as po kthehen në vendin e tyre.

Një nga autorët kryesorë të raportit është Michael Fix.

Michael Fix: "Kryesisht njerëzit po qendrojnë pa lëvizuar në të dy anët. Po shohim një ulje si të lëvizjes së emigrantëve në drejtim të vendeve tradicionale që presin emigrantë dhe gjithashtu edhe diçka që ne na ka çuditur disi, po shohim një kthim të vogël të emigranëve në vendet që dërgojnë migrantë jashtë. Ne shohim ndryshime të mëdha për sa i përket karakterit të lëvizjes. Kemi rënie të mëdha të lëvizjeve të paautorizuara, për sa i përket lëvizjes së emigracionit të përkohshëm, po shohim ndryshime pak të dukshme edhe për sa i përket lëvizjeve të ligjshme të migracionit.

Për sa i përket SHBA-së dhe Meksikës, ne shohim rënie të theksuara të lëvizjeve në drejtim të Shteteve të Bashkuara, por nuk shohim ndryshime për sa i përket lëvizjeve kthyese në drejtim të Meksikës.

Emigrantë

Një aspekt tjetër që pamë ne në raport ishte Britania e Madhe dhe Polonia, dhe ajo që vumë re është se këtu kemi modele krejt të ndryshme. Këtu ne shohim një migrim të konsiderueshëm kthyes, ndoshta si rezultat i faktit se ka një lëvizje të lirë të njerëzve në BE dhe si rezultat i një ekonomie relativisht të fuqishme dhe të qëndrueshme në Poloni krahasuar me atë në Britaninë e Madhe.

Për sa i përket Evropës dhe Evropës Lindore dhe disa nga korridoret e tjera në drejtim të Spanjës, ajo që shohim është se futjet kanë rënë për sa i përket vendeve evropianolindore, por përsëri ashtu si edhe me Meksikën, ne shohim nivel relativisht të ulët të kthimeve në Afrikën Subsahariane, kthime të ulta në Amerikën e Jugut, në burimet kryesore të emigrimit në drejtim të Spanjës.

Kohët e fundit, gjatë vitit të fundit, ka pasur pak shenja që të sugjerojnë se lëvizja ka rënë nga Afrika në Spanjë megjithë problemet e rënda me të cilat po përballet ekonomia e Spanjës.

Për sa i përket remitancave, konkluzioni është se remitancat ishin shumë të larta në dekadën para recesionit, para rënies së Lehman Brothers, dhe tani ne shohim rënie të mëdha për sa i përket remitancave, dhe shohim një rënie të rritjes së remitancave në një numër të madh vendesh. E shohim këtë në Turqi, në Moldavi, në Ekuador, në Poloni, në Kenia. Pra e shohim këtë në të gjitha kontinentet e botës", e përfundon komentin e tij Michael Fix.

Greqia me numër të madh të emigrantëve ilegalë.

Në Greqi, numri i emigrantëve ilegalë që arrestohen nga policia është rritur me rreth 30 përqind vitin e shkuar.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme greke Constantinos Bidsios në një intervistë për BBC-në thotë se ky është një problem real.

Constantinos Bidsios: Problemi është tepër i madh. Vetëm vitin e shkuar, në 2008-n, ne patëm 150 mijë emigrantë ilegalë që hynë në Greqi dhe është e qartë se ky është një problem që Greqia nuk mund ta përballojë e vetme. Prandaj propozimi ynë është se ky problem duhet të përballohet në nivel të Bashkimit Evropian, sepse të gjithë këta emigrantë ilegalë synojnë të vijnë në Evropë.

BBC: 150 mijë emigrantë ilegalë vetëm në një vit, është një numër tepër i madh. Çfarë bëni ju me gjitha ata?

Constantinos Bidsios: Shumica e tyre qendrojnë këtu, sepse ne nuk kemi mundësinë t'i dërgojmë ose të shkojnë ligjërisht në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Por, për shkak se situata është e tillë që ata nuk mund të gjejnë vend pune këtu - ata kanë paguar para për të ardhur në Greqi - ata paguajnë diçka shtesë për të shkuar më tej në Evropën jugore.

BBC: A janë ata të lirë të gjejnë ndonjë vend pune? Ju po i mbani shumë prej tyre në qendra të mbajtjes, apo jo?

Constantinos Bidsios: Kjo është e saktë, sepse ata kanë hyrë në Greqi ilegalisht, dhe meqë kanë hyrë në Greqi ilegalisht, ne kemi të drejtë t'i mbajmë ata deri në 12 muaj, sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian.

BBC: Dhe ju po bëni këtë apo jo?

Constantinos Bidsios: Sigurisht, që ne nuk i mbajmë të gjithë. Një numër i madh syresh mbahet të izoluar, disa prej tyre kthehen në bashkëpunim me vendet e origjinës, dhe sigurisht që shumë prej tyre po qëndrojnë këtu.

BBC: Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët është ankuar vetëm javën e shkuar tek qeveria juaj për gjendjen në një nga ishujt, Lesbos, ku thuhet që 800 vetë, përfshirë fëmijë, po mbahen në kushte ngushtësie dhe mungese të kushteve sanitare. Është kjo një përpjekje e qëllimshme për të dekurajuar njerëzit që të mos vijnë, apo kjo ndodh thjesht se ju po përballeni me numra tejet të mëdha?

Constantinos Bidsios: Ne po përballemi plotësisht me numra tejet të mëdha, prandaj ne po këmbëngulim që azili dhe emigrimi i paligjshëm duhet të jenë një problem i Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian duhet të përballojë shprenzimet për fluturimet e kthimit, të rregullojnë dokumentet e kthimit, të financojnë këtë operacion, sepse në fund të fundit ky nuk është vetëm një problem grek. Këta janë njerëz që po hyjnë në Greqi ilegalisht, por destinacioni i tyre përfundimtar është Evropa, është Britania e Madhe, është Gjermania, është Franca.

BBC: Megjithatë kjo nuk është domosdoshmërisht kaq e thjeshtë, sepse trafikantët e njerëzve veprojnë në mënyrë të sofistikuar. Ata u thonë emigrantëve të grisin dokumentat e tyre dhe të pretendojnë se vijnë nga zona lufte që do t'i detyrojnë Greqinë dhe vende të tjera të BE-së që, sipas ligjit, t'i pranojnë.

Constantinos Bidsios: Sigurisht. Por problemi është se nëse ata nuk gjejnë punë këtu, ata do të lëvizin në drejtim të vendeve të tjera evropiane duam apo nuk duam ne.

BBC: A është vendndodhja gjeografike e Greqisë, arsyeja që duket se ju jeni bërë pika kryesore e hyrjes së emigrantëve ilegalë. Mendoj se Spanja është një nga vendet kryesore, por disa nga ishujt tuaj janë vetëm një kilometër apo pak më shumë larg nga Turqia.

Constantinos Bidsios: Në këtë moment ne kemi rreth 1000 emigratë që hyjnë nga Turqia çdo. Ata po përmbytin ishujt grekë që kanë popullsi shumë të vogël. Për shembull, në një ishull me rreth 100 banorë shkojnë 300 emigrantë ilegalë. Pra, është krejtësisht e pamundur që një komunitet kaq i vogël të përballojë këtë gjendje.

BBC: Dhe a është ky shkak për tensione midis Greqisë dhe Turqisë?

Constantinos Bidsios: Po, është një shkak tensionesh, sepse është diçka të cilën ne nuk mundemi ta përballojmë. Krijon probleme të të drejtave të njeriut, probleme ekonomike, probleme sociale, dhe sigurisht është diçka që Bashkimi Evropian duhet të përballet me Turqinë, të kërkojë që t'i kontrollojë më mirë kufijtë me qëllim që të mos kemi këta mijëra emigrantë nga Turqia çdo javë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>