BBCAlbanian.com
 
Botuar: E premte, 14 gusht 2009 - 07:36 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Greqia ka hyrë në recesion
 

 
 
Athinë
Analistët shpresojnë që Greqia të dalë nga recesioni vitin e ardhshëm
Ekonomia greke ka hyrë në fazën e recensionit, vërejnë analistët pas publikimit të shifrave për ritmet e zhvillimit ekonomik, që kanë rënë nën zero për këtë vit.

Sipas ekspertëve, shkaqet e rënies gjenden në uljen e ndjeshme të investimeve dhe të eksporteve.

Përballë kësaj gjendjeje, qeveria pritet të disponojë 2 miliardë euro, si garanci për institucionet bankare që do të kreditojnë bizneset.

Shifra pesimiste

Parashikimet optimiste të qeveritarëve grekë, se vendi do të kishte pasojat më minimale të mundshme nga kriza ekonomike, tashmë janë përgënjeshtruar.

Shërbimi Statistikor Kombëtar publikoi shifrat për nivelin e ritmit të zhvillimit ekonomik, që në tremujorin e dytë të këtij viti, rrëshqiti në minus 0,2 %, nga plus 3,4 % që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa bilanci pritet të jetë edhe më negativ në fund të muajit, kur do të publikohen të dhëna më të detajuara.

Analistët thonë se janë hedhur në erë garancitë që jepte ministria e ekonomisë, se në fund të vitit, Greqia do të kishte minimalisht një ritëm pozitiv të zhvillimit.

Pas bërjes publike të ritmit të zhvillimit, zyrtarë të ministrisë së ekonomisë citohen nga mediat të kenë thënë se ky vit është një vit recesioni dhe se shpresojnë për një rezultat pozitiv nga viti i ardhshëm.

Por zyrtarët nuk pajtohen me parashikimet e zymta të Komisionit Europian apo të fondit Monetar ndërkombëtar, që thonë se ritmi i zhvillimit do të ketë një rënie nga - 0,9 në - 1, 7 %.

Sipas ekspertëve të Shërbimit Statistikor Kombëtar, shkaqet e ritmeve të ulta burojnë në rënien e konsiderueshëm të investimeve dhe pakësimin e eksporteve.

Masa lehtësuese

Por investimet janë të varura edhe nga predispozicioni i bankave për të dhënë kredi, gjë që siç theksojnë, për këtë periudhë është thuajse inekzistent.

Ritmi i kreditimit të bizneseve në qershor të këtij viti ra në 7,6 %, dy herë më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këto ditë qeveria pritet të shpallë një masë, e cila do të lehtësojë, të paktën teorikisht, qarkullimin e parasë: do të disponojë 2 miliardë euro, si garanci për kreditë që eventualisht do të marrin bizneset.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Athinës, Konstandionos Mihalos, shpreson që kjo masë të japë fryte, ndërkohë që mendon se bilanci i industrisë së turizmit mund të ndikojë disi në përmirësimin e situatës.

"Rol të rëndësishëm do të luajë bilanci i sezonit turistik dhe bota e biznesit shpreson se do të japin rezultat masat e qeverisë për për të mbështetur qarkullimin e parasë në treg," thotë zoti Mihalos.

Por deputetja e PASOK-ut në opozitë, Ana Diamantopulu, vlerëson se burimi i të këqijave është qeverisja konservatore e Kostas Karamanlis.

"Problemi është se ndërsa vendet e tjera po fillojnë të dalin nga tuneli i krizës ndërkombëtare, Greqia po hyn thellë e më thellë. Me këtë qeveri nuk ka asnjë mundësi përmirësimi, pse as reforma të vërteta u kryen dhe as u bënë përpjekje për shpërndarjen e drejtë të të ardhurave," zonja Diamantopulu.

Situata e përkeqësuar ekonomike ka ndikuar edhe në rritjen e papunësisë.

Brenda një viti listës së të papunëve iu shtuan rreth 96 mijë persona, në kohën që konfederata e përgjithshme sindikale ka paralajmëruar se deri në muajt e parë të vitit të ardhshëm, papunësia do të mund të prekë 10% të popullsisë aktive.

 
 
LOKALE
Rritje në Francë dhe Gjermani
13 gusht 2009 | Faqja Kryesore
Papunësia në rritje në Evropë
04 maj 2009 | Faqja Kryesore
Emigrantët mund të kthehen për votimet
11 qershor 2009 | Faqja Kryesore
Masa të reja të forta në Greqi
12 qershor 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>