http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E shtunë, 04 korrik 2009 - 14:38 CET

I hapet rruga krijimit të qeverisë së re

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha si dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shprehën hapur për krijimin e një koalicioni mes forcave te tyre politike nga i cili do te dalë edhe kabineti i ri qeverisës.

Ishte fillimisht lideri demokrat Berisha ai qe në një dalje publike ftoi zyrtarisht Metën të hynte në koalicion me të.

Vetëm gjysmë ore më pas kreu i LSI-së iu përgjigj pozitivisht ftesës së Berishës.

Ai tha se “e kishte pranuar këtë ftesë në mënyrë që vendi të mos shkonte drejt krizës”.

Meta theksoi se “negociatat do të jenë transparente dhe se kushti i LSI-së për Berishën do të ishte reformimi per integrimin evropian”.

Berisha kishte deklaruar më parë se LSI i plotëson të gjitha kushtet për një koalicion me të djathën, pasi programi i saj është i ngjashëm me atë të PD-së.

Ai theksoi se “koalicioni do të funksionojë dhe se qeveria do të ketë baza solide, pikërisht për shkak të shtyllave kryesore të programit qe janë të përbashkëta”.]

Zgjedhjet e 28 qershorit pritet të nxjerrin një rezultat të ngushtë mes dy forcave kryesore politike në vend, ndërkohë që njoftimet papraprake të KQZ-së i japin një numër më të madh mandatesh koalicionit Aleanca për Ndryshim e udhëhequr nga Partia Demokratike.

Partia Socialiste, që udhëheq koalicionin Bashkimi për Ndryshim thotë se rezultati përfundimtar ende nuk ka dalë pasi vazhdon numërimi në disa zona, ku opozita shpreson te ketë rritje në numrin e mandateve të saj.