BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 07 korrik 2009 - 15:40 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
ESI: Kosova si të tjerët për vizat
 
Vizë Shengen
Kërkohet lehtësim i udhëtimeve për në BE
Ndërsa Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që t'i ofrojë qytetarëve të Serbisë mundësinë e udhëtimit pa viza në zonën Shengen, në Kosovë ka dilema për mundësinë e udhëtimit të qytetarëve kosovarë në vendet e BE-së.

Drejtuesja e projektit të vizave në Nismën Evropiane të Stabilitetit (ESI), Alexandra Stiglmayer, thotë në një intervistë për BBC-në se BE-ja duhet t'u ofrojë kosovarëve të njejtat procedura që u ka ofruar edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Zoja Stiglmayer thotë se përfshirja e Kosovës në projektin e BE-së për të lehtësuar udhëtimet për shtetasit e vendeve ballkanike do të jetë si në përfitim të Kosovës ashtu edhe të BE-së.

ESI është një organizatë kërkimore me fokus në rajonin e Evropës Juglindore. Kjo organizatë jofitimprurëse bën raporte të shumta studimore lidhur me BE-në dhe përpjekjet e vendeve aspirante për anëtarësi në BE.

Ilir Nishku bisedoi me zonjën Stiglmayer.

BBC: Ka shumë konfuzion në Kosovë lidhur me mënyrën e udhëtimit që u ofrohet kosovarëve nga Bashkimi Evropian. Si mund të udhëtojnë kosovarët në vendet e BE-së?

Alexandra Stiglmayer: Thënë fare thjesht, kosovarët janë të detyruar të kenë viza për të udhëtuar në zonën Shengen, edhe kur kanë pasaportë kosovare edhe kur kanë pasaportë të vjetër serbe, pasaportat blu. Por për sa i përket pasaportave serbe, gjendja mund të ndryshojë për ata njerëz që do të kërkojnë pasaportë biometrike serbe, sepse ka shumë mundësi që Serbia do të marrë regjimin e udhëtimit pa viza vitin e ardhshëm dhe njerëzit që kanë pasaporta biometrike do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë.

BBC: Por a munden kosovarët të marrin një pasaportë serbe?

Alexandra Stiglmayer: Mendoj se shumë kanë tashmë të ashtuquajturat pasaporta blu dhe, sipas informacioneve nga Beogradi, rreth 1500-1700 vetë kanë pasaportat e reja biometrike. Me ato njohuri që kam unë, dikush duhet të ketë një çertifikatë shtetësie dhe çertifikatë lindjeje dhe t'i paraqesë këto për të marrë pasaportë. Sigurisht që kur aplikon duhet të japësh edhe shenjat e gishtërinjve, të marrin në foto dixhitale, dhe pasaportën duhet ta marrësh vetë, pra çështja e sigurisë është bërë më e vështirë. Por sigurisht, Serbia nuk pranon dokumenta të lëshuara nga autoritetet kosovare - një çertifikatë lindjeje e lëshuar nga autoritetet kosovare nuk pranohet - që do të thotë se kosovarëve do t'u duhet të shkojnë tek ato të ashtuquajtura, "komuna serbe në mërgim", dhe të kërkojnë atje çertifikatë lindjeje, pra e gjithë procedura është shumë e komplikuar.

BBC: Si planifikon ta zgjidhë BE-ja çështjen e vizave për kosovarët?

Alexandra Stiglmayer: Sipas mendimit tonë gjëja më e mirë do të ishte që t'u jepej kosovarëve një "hartë rruge" siç u është ofruar pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse kjo gjë do të forconte autoritetet vendore, kontrollin kufitar, luftën kundër emigrimit ilegal, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, që do të ishte në përfitim si të Kosovës ashtu edhe BE-së. Për fat të keq ka pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ato nuk pranojnë që Kosovës t'i ofrohet një "hartë rruge".

Pra, për mendimin tonë kjo do të thotë se indirekt BE-ja i konsideron kosovarët të jenë shtetas serbë dhe se Serbia duhet t'u japë atyre pasaporta, siç u jep qytetarëve të tjerë. Ajo nuk duhet t'i diskriminojë kosovarët. Për ta komplikuar edhe më shumë këtë, disa vende të BE-së kanë frikë se kosovarët do të marrin pasaporta serbe me të cilat mund të udhëtojnë lirisht dhe i kanë kërkuar qeverisë serbe për të krijuar shumë masa sigurie për të garantuar që vetëm qytetarë legjitimë kosovarë të marrin këto pasaporta. Por kjo përsëri mund të çojë në diskriminim dhe ne jemi të vendosur kundër ndonjë diskriminimi.

BBC: A do t'i shqyrtojnë në Komisionin Evropian këtë probleme para se t'i ofrojnë serbëve udhëtim pa viza?

Alexandra Stiglmayer: Po, kjo është një çështje diskutimi midis Komisionit Evropian dhe qeverisë serbe. Unë nuk e dij se çfarë zgjidhjeje kanë gjetur apo nëse kanë gjetur ndonjë zgjidhje. Diskutimet po vazhdojnë, por do të jetë shumë e rëndësishme që Serbia të gjejë një zgjidhje të drejtë dhe të paanshme për këtë problem, por gjithashtu për kontrollin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Për momentin nuk ka roje kufitare serbe, që është një problem tjetër.

Dua të shtoj edhe diçka tjetër. Në vjeshtë do të ketë një studim fizibiliteti për Kosovën, që bëhet sipas modelit të studimeve të fizibilitetit që vendet e tjera bënë për procesin e stabilizim-asociimit. Por, për shkak se Kosova nuk është pjesë e këtij procesi, ai nuk do të quhet "studim fizibiliteti", por do të quhet "studim i kushteve ekonomike dhe sociale në Kosovë". Ky studim ndoshta do të merret me çështjen e udhëtimit pa viza dhe shpresoj se do të rekomandojë që kjo çështje të zgjidhet me urgjencë duke i dhënë Kosovës një "hartë rruge", apo t'i ofrojnë një proces ekujvalent me të.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>