http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E diel, 28 qershor 2009 - 19:01 CET

Pritet rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri

Shqiptarët kanë votuar në zgjedhjet e shtata parlamentare që nga vendosja e sistemit shumëpartiak.

Si autoritetet e administrimit të zgjedhjeve ashtu edhe vëzhguesit e shumtë ndërkombëtare thonë se deri në orën 1900 zgjedhjet janë zhvilluar përgjithësisht të qeta.

Zgjedhjet janë një test për të konfirmuar kredencialet demokratike të Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian ka thënë se një proces i rregullt do ta ndihmojë vendin që t'i afrohet më shumë Evropës.

Presidenti Bamir Topi tha, ndërsa hidhte fletën e votimit, se këto zgjedhje janë një provë për konsolidimin e demokracisë.

"Ne duhet të demonstrojmë se jemi një vend që kemi arritur në një stand të rëndësishëm të demokracisë, që deshirojmë ta konsolidojmë demokracinë," tha zoti Topi.

"Ne duhet të kemi mundësi që pas këtyre zgjedhjeve rruga për në BE të jetë e hapur, njerëzit të lëvizin të lirë dhe shumë shpejt të jemi pjesë edhe zyrtare e familjes evropiane," tha presidenti shqiptar.

"Me këto zgjedhje, që do të jenë të lira dhe të drejta, shqiptarët do të nënshkruajnë mbështetjen për projektin evropian," tha zoti Berisha.

Rivali i tij kryesor, kryetari i partisë më të madhe të opozitës, asaj Socialiste, Edi Rama tha se ai priste nga shqiptarët "të shprehin vullnetin e tyre me maturi dhe qetësi".

"Vota është mundësia e vetme për të bërë histori dhe sot çdo shqiptar ka një mundësi të tillë," tha zoti Rama.

Procesi

Nuk janë njoftuar incidente të rëndësishme, por autoritet zgjedhore kanë paralajmëruar partitë rivale kundër influencimit të votuesve dhe të drejtës së tyre për të hedhur votën.

Rreth 500 vëzhgues ndërkombëtarë dhe qindra vëzhgues vendorë kanë ndjekur procesin e votimit.

"Sipas informacioneve që kemi deri tani, situata është relativisht e qetë," tha kreu i vëzhguesve të OSBE-së, Richard Bosch, para përfundimit të votimit.

Ai u tha gazetarëve në Tiranë se ka pasur "më pak probleme se në zgjedhjet e mëparshme".

"Ka qenë relativisht qetë kudo dhe shpresojmë se do të mbetet kështu," tha ai.

Kryetari i Komisionitt Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Arben Ristani tha se procesi është zhvilluar i qetë.

"Jam vërtetë i kënaqur që procesi po ecën normalisht, besoj se kështu do të ecë edhe numurimi i votave, pasi të mbyllen kutitë në ora 19.00," tha zoti Ristani pak para mbylljes së kutive të votimit.

Ai tha se kishte pasur ndërpreje të votimit në tre vendvotime, ndërkohë që më herët KQZ-ja njoftoi për moshapjen e katër vendvotimeve.

Për të qënë sa më transparent, në 66 qendrat e numërimit e votave janë vendosur kamera të cilat do të transmetojnë drejtëpërdrejtë dhe do të regjistrojnë mënyrën e numërimit të votave.

Zyrtarë të lartë të policisë thanë se votimet janë zhvilluar në një atmosferë të qetë.

"Në të gjithë vendin situata ka qenë mjaft e qetë, përjashto disa raste të papërfillshme që policia ka kryer veprimet e saj," tha për BBC-në drejtori i përgjithshëm i policisë, Ahmet Prençi.

Policia, tha ai, është "vendosur në vendet jashtë qendrave të votimit dhe ndjekin rrugët ligjore kur komisionerët kërkojnë ndërhyrjen e policisë."