http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E diel, 28 qershor 2009 - 15:00 CET

Fatos Ahmati
BBC, Tiranë

Shqipëria voton në zgjedhjet parlamentare

Në ora shtatë në Shqipëri filluan votimet për zgjedhjet e përgjithshme politike, të shtatat që zhvillohen që nga vendosja e sistemit të pluralizmit politik në vend.

Sipas njoftimeve të para, zgjedhjet kanë filluar pa probleme, por ende nuk ka një pasqyrë të plotë të ecurisë së tyre për gjithë vendin.

Megjithë disa ankesa nga forca të ndryshme politike për mosrespektim të rregullave dhe ligjit, situatë është përgjithësisht e qetë.

Ende nuk ka shifra zyrtare për pjesëmarrje, por besohet se zgjedhësit kanë dalë në mënyrë masive në votime.

Thirrje për të marrë pjesë në votime dhe për qetësi në procesin e votimit kanë bërë përfaqesuesit kryesorë të partisë në pushtet dhe opozitës si edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

Votimet po vëzhgohen në terren nga një numër i konsiderueshëm veprimtarësh vendas si edhe nga rreth 500 vëzhgues ndërkombetarë, të dërguar nga organizmat kryesore politike europiane.

Informacione të pakta

Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli thotë për BBC-në se për shkak të numrit të madh të qendrave të votimit është e vështirë ardhja e shpejtë e informacioneve.

"Janë gjithsej 4750 vende votimi kështu që ne kemi paksa vështirësi në në mbledhjen e menjëhershme në këtë kohë të shpejtë të informacionit," tha zoti Olli për programin BBC Sot.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Premçi, tha me fillimin e procesit të votimit se situata në mbarë vendin është e qetë.

"Situata në gjithë vendin lidhur me zgjedhjet e përgjithshme është e qetë, është një ditë normale.

"Në gjithë qendrat e votimit janë shpërndarë punonjësit e policisë që mbrëmë (të shtunën) që kanë marrë në dorëzim qendrat e votimit dhe sot ato u janë dorëzuar komisionerëve," tha ai.

Z. Premçi tha se nuk ka patur asnjë incident.

"Gjithçka vazhdon normalisht. Nuk ka patur asnjë problem në gjithë territorin e vendit".

Mesazhet e fundit

Bazuar në ligjin zgjedhor, dita e shtunë ishte përcaktuar heshtje zgjedhore, për t’u dhënë mundësi zgjedhësve të reflektojnë për votën.

Të premten në mbrëmje, dy partitë kryesore, PD dhe PS, mbajtën tubimet përmbyllëse në kryeqytet.

Demokratët u mblodhën në sheshin Skënderbej, kurse vetëm disa qindra metra më tej, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, u tubuan socialistët.

Fjalimet e oratorëve të dy kampeve ishin entuziaste, duke u përpjekur për të ngjallur besim në fitore.

Këto manifestime u zhvilluan dhe përfunduan në mënyrë festive, megjithë tensionin e krijuar vetëm një ditë më parë lidhur më afersinë në kohë dhe hapësirë të dy tubimeve.

'Test' i demokracisë

Gjithsej 3.1 milion zgjedhës janë të rregjistruar për votimet e 28 qershorit.

Për herë të parë në Shqipëri zbatohet sistemi zgjedhor proporcional-rajonal. Vendi është ndarë në 12 qarqe prej ku do të dalin 140 deputetët e parlamentit të ri.

34 parti janë grupuar në 4 koalicione kryesore, dy në spektrin e majtë dhe dy në spektrin e djathtë.

Përveç vëzhguesve lokalë, rreth 400 vëzhgues ndërkombëtarë nga OSBE-ODIHR, Këshilli i Europës, Parlamenti Europian, NATO dhe BE do të ndjekin nga afër zgjedhjet.

Ato konsiderohen si një test i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri.