BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 30 qershor 2009 - 08:07 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
BE: Zgjedhje pozitive
 
Cristina Gallack, zëdhënësja e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë
BE-ja vlerëson zgjedhjet si pozitive
Bashkimi Evropian e ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri si pozitiv.

Cristina Gallack, zëdhënësja e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Havier Solana, thotë se Brukseli vlerëson zgjedhjet e së dielës dhe pret që pasi të numërohen votat të krijohet një qeveri që të funksionojë.

Ragip Luta bisedoi me zonjën Gallack.

BBC: Cili është verdikti nga Brukseli për zgjedhjet në Shqipëri?

Cristina Gallack: Në këtë moment ne nuk mund të kemi një verdikt, por ajo që mund të themi është se ne mirëpresimin përmirësimin e përgjithshëm që është arritur në zgjedhjet që u zhvilluan të dielën. Në veçanti ne duam të theksojmë se administrimi i procesit të zgjedhjeve ishte pozitiv. Megjithatë ne duam të presim edhe pak për të pasur një pikëpamje më të përgjithshme.

BBC: Zgjedhjet po shihen si provë e kredencialeve demokratike të Shqipërisë, çfarë mendoni për këto kredenciale deri në këtë moment?

Cristina Gallack: Mendoj se për Shqipërinë zgjedhjet janë shumë të rëndësishme dhe ne jemi të kënaqur se udhëheqja i mori ato shumë seriozisht, organizimi dhe fakti që vëzhgimi po nxjerr vlerësime pozitive deri tani. Pra, së pari, ne duhet të urojmë popullsinë e vendit për angazhimin në një proces që ne dëshironim që të ishte i drejtë dhe transparent, që ne mendojmë se ashtu ishte. Megjithatë ne do të presim edhe pak më shumë për të pasur një vlerësim të përgjithshëm. Ne e kuptojmë dhe e vumë re se udhëheqja e mori këtë proces zgjedhor shumë seriozisht.

BBC: A keni ndonjë shqetësim për ditët në vazhdim?

Cristina Gallack: Ne do të dëshironim shumë që të gjitha aspektet që misioni vëzhgues i ODIHR-it po vë në dukje të merren në shqyrtim, dhe ndoshta pas kësaj ne do të mund të bëjmë komente më të qarta.

BBC: A keni ndonjë porosi për udhëheqësit politikë në Tiranë?

Cristina Gallack: Mesazhi është gjithnjë se zgjedhjet janë një moment për të qenë pozitiv, sepse është populli që shpreh dëshirat individuale dhe pozicionet individuale. Prandaj udhëheqja duhet të jetë e hapur, duhet të garantojë që pasi të numërohen votat të krijohet një qeveri që të funksionojë, që të respektojë vullnetin e popullit dhe që të ketë një përparësi të qartë, atë të përparimit drejt Bashkimit Evropian. Dhe kjo përparësi është shumë e rëndësishme sepse ne mendojmë se ajo duhet të ndërtohet mbi zbatimin e reformave përfshirë çdo gjë që lidhet me kapacitetin administrativ. Reformat ekonomike dhe politike, mendoj unë, do të jenë gjerat më të rëndësishme që qeveria e re do të duhet të prodhojë.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>