http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 21 maj 2009 - 14:43 CET

Fatos Ahmati
BBC Tiranë

Vihet "në dyshim" mënyra e hartimit të listave

Vonesat në dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë duket se nuk kanë rënë në sy pasi menjëherë pas publikimit të tyre pakënaqësitë brenda tyre janë shfaqur hapur.

Ato kanë të bëjnë me emrat që janë përfshirë apo mungojnë në këto lista, si dhe pozicionet e renditjes së tyre.

Më së shumti duket se në tërë këtë proçes, në dyshim është vënë mënyra e hartimit të këtyre listave.

Por zyrtarë të lartë të PD dhe PS vlerësojnë se proçesi brenda selive të tyre ka qenë transparent.

Nënkryetari i PD Astrit Patozi është mjaft i sigurtë. “100 për qind transparent," i tha Patozi BBC, duke shtuar se “vetë kreu i PD-së jo në limitin kohor të KQZ bëri të ditur jo vetëm para partisë së tij, por çdo qytetari të saj listën përfaqësuese me të cilën PD shkon në zgjedhjet e 28 qershorit”.

Nga ana e saj, edhe Arta Dade, një nga emrat kryesorë të socialistëve thotë se në kampin rozë hartimi i listave ka qenë mjaft transparent.

”Lista ka finalizuar një proçes transparent që ka lidhje me gjithë proçesin e ristrukturimit dhe konfigurimin e figurave të spikatura të PS që pranohen nga opinioni,” tha zonja Dade.

Por analisti Shpëtim Nazarko nuk ka të njëjtin mendim për mënyrën e hartimit dhe shpalljes së këtyre listave.

Sipas tij “gjithçka është bërë për interesa taktike të partive për të bllokuar kundërshtarin, tamam si në një ndeshje futbolli“ i tha zoti Nazarko BBC.

Po cila është rruga që kanë ndjekur partitë për hartimin e listave?

Astrit Patozi i PD-së thotë se të gjitha vendimet janë marrë nga forumet e partisë, por ai shton se “për zgjedhjet aktuale është patur parasysh edhe kodi i ri zgjedhor. Megjithatë PD ka qenë më transparente se të gjitha forcat e tjera politike”.

Edhe socialistët nga ana e tyre thonë se vendimet janë marrë nga strukturat e partisë

Arta Dade, nënvizon se “finalizimi i punës është bërë me mendimin që është marrë nga krerët lokale dho bordet qytetare”, ndërsa kujton turet e shumta të kreut të PS Edi Rama.

Nga listat e publikuara bie në sy mungesa e mjaft prej figurave qëndrore të dy partive të mëdha.

Në PD të paktën 18 deputetë aktualë janë tashmë të përjashtuar, ndërsa të tjerët gjenden të renditur në listë pa shpresë se mund të marrin një mandat të ri.

Ndërsa në listat e PS të opozitës gjenden vetëm 30 për qind e deputetëve të deritanishëm, ndërsa mungojnë figura të njohura të saj, si ish udhëheqësi socialist Fatos Nano. Reagimet kanë qenë të ashpra deri dhe në largime nga gara elektorale. Deputeti demokrat Aleksandër Biberaj tha se listat “kanë frymë klienteliste”, por ai do të vazhdonte të qëndronte në PD.

Por Astrit Patozi i PD-së thotë se lista e partisë së tij është dinjitoze, ndonëse mirëkupton ndjëshmërinë e gjithsecilit. “Sigurisht janë njerëzore dhe deklarimet edhe reagimet pas nxjerrjes së listave, por në PD ato kanë qenë shumë minore në krahasim me forcat e tjera politike” tha zoti Patozi.

Për Arta Daden e PS, pavarësisht këtyre reagimeve “është e rëndësishme që kushdo të bëhet pjesë e rëndësishme e projektit fitues të PS”.
Në listat e partive bie në sy numuri i madh i të rinjve dhe veçanërisht i femrave.

Përfshirja e tyre nga të dy kampet ishte paralajmëruar kohë më parë dhe krerët e partive e kishin cilësuar si një hap për rinovimin e politikës.

Por analisti Shpëtim Nazarko vlerëson momentin pas fitores së zgjedhjeve.

Çdo ekipi fitues sipas tij do t’i duhet të përballet me vështirësi të shumta pasi “vendi gjendet përballë një krize të rëndë”.

Sipas zotit Nazarko, marrja e kredive me vlerë 500 milonë euro dhe njëkohësisht nuk ka mundur të frenojë ndryshimin e euros tregon se në vjeshtë vendi do të gjendet përballë një krize si ajo në kohën e piramidave.