http://www.bbcalbanian.com

Zgjidhet "përplasja" me ODIHR-in

Komsioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri akreditoi kreun e vëzhguesve të OSBE- ODIHR në Shqipëri.

Misioni vëzhgues do të kryesohet nga ambasadorja britanike Audrey Glover.

Në një njoftim për shtyp nga KQZ, bëri të ditur se komisioni miratoi me unanimitet të plotë akreditimijn e 39 vëzhguesve afatgjatë, pjesë e misionit të OSBE-ODHIR-it që do të monitorojë zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.

Misioni i OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve, ODIHR deklaroi këtë javë se qeveria shqiptare kishte kundërshtuar caktimin e ambasadores Audrey Glover si kryetare të misionit vëzhgues ndërkombëtarë.

ODIHR-i tha se kundërshtimi i emërimit të zonjës Glover nuk ishte një hap i duhur dhe qeveritë nuk kanë rol në emërimin dhe përzgjedhjen e kryetarëve të misioneve vëzhguese të ODIHR-it.

Zëdhënësi i ODHIR-it, Jens Eschenbaecher e pranoi se vendimi i qeverisë kishte të bënte me fakti që diplomatja Glover ka qenë kryetare e ODIHR-it gjatë zgjedhjeve të vitit 1996 në Shqipëri.

Por sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike në pushtet tha se shumica kishte respektin maksimal për ODIHR-in.

Ferdinand Xhaferri deklaroi për BBC-në se shumica kërkonte numrin maksimal të vëzhguesve të ODHIR-it për zgjedhjet e ardhshme.