http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 29 prill 2009 - 13:56 CET

Aleksandër Furxhi
Korrespondent i BBC-së në Tiranë

Të jesh gazetar i BBC-së në Shqipëri

Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit, domosdo, e kanë kushtëzuar edhe punën dhe misionin e korrespondentit të BBC-së.

Në vitet ’90 përparësi kishte lajmi i saktë në një mjedis ku mungonin mediat e pavarura elektronike vendase.

Kujtoj se deri në vitin 1997, duke përjashtuar ndonjë rast gjysmë klandestin, i vetmi mjet elektronik vendas ishte RTVSH.

Lajmi duhej nuhatur dhe nxjerrë nga “strofulla” e zyrave të shtetit dhe mjediseve ku më parë as që mendohej se mund të zgjasje kokën për të vështruar se çfarë ndodhte. Ishte thuajse tabu të pyesje se çfarë ndodhte, çfarë urdhëra dhe vendime jepeshin, le më të raportoje, në ministri të ndryshme, në gjykatë, polici etj.

Për të mos folur për periudhat e trazuara të viteve 96-97, kur roli i korrespondentit të BBC-së dhe i mediave të tjera të huaja ishte kyç në informimin e publikut në Shqipëri.

Publiku në ato vite ka qenë i etur për të mësuar të vërtetën duke qenë fort dyshues ndaj informacionit zyrtar në Tiranë.

Sot korrespondenti i BBC-së ka tjetër fokus. Ai e hedh vështrimin përtej lajmit, për të sjellë tek audienca domethënien e tij dhe pasojat që ai ka apo mund të ketë në jetën e individit dhe, më gjerë, të shoqërisë.

Beteja e përditshme informative tashmë nuk ka të bëjë me lajmin në vetvete, sepse ai shkon te publiku falë shumëllojshmërisë së mediave vendase që janë on air 24 orë.

Megjithatë raportimi i paanshëm, qoftë edhe në një lajm në dukje fare i zakonshëm, mbetet një busull dhe njëkohësisht një atu e pazëvendësueshme e korrespondentit të BBC-së.

Kjo është një vlerë e gjithëpranuar edhe në Shqipëri, por që me vështirësi po e çan rrugën në mediat vendase në një kohë që ndjehet se publiku ka nevojë për paanshmëri të vërtetë në informacion.

Veç kësaj, ajo që tani ta « prish gjumin » kur punon për seksionin shqiptar të BBC-së është analiza, të kuptuarit dhe interpretimi i ngjarjeve si dhe aftësia për të parashikuar se çfarë vjen pas lajmit të sotëm.

Një mision jo i lehtë dhe mjaft sfidues.