http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 22 prill 2009 - 11:39 CET

Vlerat editoriale - Saktësia

Saktësia e informacioneve është një vlerë shumë e çmueshme editoriale e BBC-së dhe ka rëndësi themelore për reputacionin tonë.

Materialet tona duhet të kenë burime të sigurta informacioni, ato duhen bazuar plotësisht në dëshmi e prova dhe duhen prezantuar me gjuhë të qartë e të përpiktë.

Duhet të jemi të ndershëm dhe transparentë për gjërat që nuk i dimë dhe të shmangim spekulimet.

Diana Kola, Shefe e BBC-së në Shqip, mbi saktësinë

Për BBC-në saktësia është më e rëndësishme se shpejtësia e informimit dhe, shpesh, kjo nuk ka të bëjë thjesht me gjetjen dhe kuptimin e fakteve. Të gjitha faktet dhe informacionet përkatëse duhen peshuar mirë për të dalë tek e vërteta.

Në rastet e çështjeve të debatueshme, përveç fakteve mund të duhet të merren në konsideratë edhe opinionet në lidhje me të.

Ne synojmë të informojmë me saktësi përmes:

Mbledhjes së informacioneve të sakta nga burimi, kurdo që kjo është e mundur;

Verifikimit dhe riverifikimit të fakteve;

Vlerësimit të autenticitetit të provave shkresore dhe materialeve dixhitale;

Konfirmimt të pretendimeve dhe akuzave të ngritura nga kontribuesit, kurdo që është e mundur.