BBCAlbanian.com
 
Botuar: E martë, 21 prill 2009 - 14:42 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Vlerat editoriale të BBC-së
 
Shërbimi Botëror i BBC-së


E vërteta dhe saktësia

Ne përpiqemi të jemi të saktë dhe të japim të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Saktësia është më e rëndësishme se sa shpejtësia dhe shpesh bëhet fjalë për më shumë se sa mbledhje faktesh të sakta. Ne do t’i peshojmë gjithë faktet dhe informacionet e nevojshme për të arritur tek e vërteta. Materiali ynë do të ketë burime të mjaftueshme, do të bazohet në prova të forta, të dëshmuara mirë dhe të paraqitura me gjuhë të qartë dhe të saktë. Ne do të jemi të ndershëm dhe të hapur për ato që nuk dimë dhe do të shmangim spekulime të pabaza.

Paanshmëria dhe shumëllojshmëria e opinioneve

Ne përpiqemi të jemi të drejtë, pa paragjykime dhe të reflektojmë gjithë rrymat e rëndësishme të opinionit, duke kërkuar gamën dhe konfliktet e pikëpamjeve. Ne do të jemi objektivë dhe të paanshëm në qasjen tonë ndaj një teme. Ne do të japim gjykime profesionale ku është e përshtatshme, por asnjëherë nuk do të promovojmë një pikëpamje të veçantë mbi çështje të debatueshme të politikës publike, ose çështje të debatueshme politike apo industriale.

Integriteti dhe pavarësia editoriale

BBC është e pavarur nga shteti dhe interesat partiake. Audienca jonë duhet të ketë besim se vendimet tona nuk ndikohen as nga presionet e politikës apo biznesit, as nga ndonjë interes personal.

Në shërbim të interesit publik

Ne kërkojmë të raportojmë ngjarje me rëndësi. Ne do të jemi energjikë për të shkuar në thelb të ngjarjes dhe të jemi të mirinformuar kur ta shpjegojmë atë. Ekspertiza jonë e specializuar do të sjellë autoritet dhe analizë në botën komplekse ku jetojmë. Ne do t’u drejtojmë pyetje llogarikërkuese atyre që mbajnë poste publike dhe do të ofrojmë një forum gjithëpërfshirës për debat publik.

Ndershmëria - të qenit të drejtë

Materialet tona do të mbështeten në të qenit të drejtë, në transparencë dhe marrëdhënie të ndershme. Pjesëmarrësit në programe do të trajtohen me ndershmëri dhe me respekt.

Mosndërhyrja në jetën private

Ne do të respektojmë të drejtën e mosndërhyrjes në jetën private dhe nuk do ta shkelim atë pa ndonjë arsye të fortë, kudo ku veprojmë në botë. Sjellja, korrespondenca dhe bisedat private nuk do të bëhen publike nëse nuk egziston një interes i qartë publik për to.

Dëmi dhe fyerja

Ne synojmë ta pasqyrojmë botën siç është, duke përfshirë gjithë aspektet e përvojës njerëzore dhe realitetet e botës natyrore. Ne ruajmë të drejtën për të transmetuar dhe botuar përmbajtje novatore dhe sfiduese me përgjegjësinë tonë për të mbrojtur më të dobëtit.

Fëmijët

Ne do të përpiqemi gjithmonë të ruajmë mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve që marrin pjesë apo shfaqen në materialet tona, përfshirë të drejtën e tyre për t’u dëgjuar, kudo në botën ku ne veprojmë. Ne do të programojmë materialet që mund të mos jenë të përshtatshme për fëmijë në përputhje me këtë.

Llogaridhënia

Ne i japim llogari audiencës sonë dhe do të jemi të ndershëm dhe të hapur me ta. Besimi i vazhdueshëm i tyre tek BBC-ja është një pjesë thelbësore e kontratës sonë me ta. Ne do të jemi të hapur në pranimin e gabimeve dhe do të inkurajojmë një kulturë gatishmërie për të mësuar prej tyre.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>