http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E enjte, 06 nëntor 2008 - 12:50 CET

Presidenti Obama dhe bota

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka përjetuar transformimin më të madh në pozicionin e saj në botë që nga zgjedhja e John Fitzxherald Kenedit në nëntor të vitit 1960.

Ky është një vend, që zakonisht, ndonjëherë në mënyrë irrituese, e ka konsideruar veten si të ri dhe plot forcë, zilija e botës. Shpesh kjo thjesht është propagandë, por ndonjëherë është plotësisht e vërtetë. Me fitoren e Barak Obamas një nga këto momente ka mbërritur.

SHBA-ja nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më parë kaq jo popullore, kaq e përtallur, dhe kaq e përjashtuar nga bota e jashtme sa ka qenë në fazat më të fundit të presidencës së Xhorxh W. Bushit.

BBC e pyet Madeleine Albright-in, sekretaren e Shtetit të presidentit Klinton, nëse mban mend ndonjëherë ndonjë kohë kur njerëzit e urrenin Amerikën kaq shumë.

Pritja në botë

 Iraku do të hyjë në histori si vendimi më shkatërrues në politikën e jashtme amerikane - më i keq se Vietnami.
 
Madeleine Albright

"Jo gjatë jetës sime," u përgjigj ajo. "Unë kam ndjenja të forta për këtë vend, dhe ky është një vend i veçantë dhe i mahnitshëm. Por e them me sinqeritet se kjo është më e keqja që kam parë."

Anketat në të gjithë botën kanë konfirmuar mungesën e popullaritetit të Amerikës. Dhe mundësia që një person i ri, i pranueshëm dhe modest afrikano-amerikan, të bëhet president u përshëndet me pranim kudo.

Një anketë e BBC World Service verën e shkuar në 22 vende tregonte se njerëzit preferonin Barak Obamën ndaj John McCainit në një raport katër me një.

Gati gjysma thonin se, nëse senatori Obama zgjidhej, ai do të ndryshonte pikëpamjen e tyre për shtetet e Bashkuara plotësisht.

Për tetë vjet fjala që kanë përdorur vazhdimisht njerëzit në të gjithë botën për të përshkruar qasjen e presidencës së Xhorxh Bushit ka qenë "arrogancë". Toni në Washington dukej se ishte ai i superioritetit, që shkonte gati në përbuzje.

Kujtoni fjalimet e Donald Rumsfeldit, Paul Wolfowitz-it, apo Paul Bremerit. Të gjitha lidheshin me pushtimin e Irakut, që u krye duke sfiduar mendimin e shumicës së pjesës tjetër të botës.

Pse e pushtoi Amerika Irakun? "Sepse ne jemi Amerikane," është përgjigja e famshme nga një figurë e lartë në administratën amerikane. "Ne mundemi".

Jashtë vendit, shumica e njerëzve do të jenë dakord ndoshta me gjykimin e Madeleine Albright-it kur thotë se "Iraku do të hyjë në histori si vendimi më shkatërrues në politikën e jashtme amerikane - më i keq se Vietnami".

Në nxitimin drejt luftës në vitin 2003, kur shumë politikanë amerikanë kishin frikë të dilnin kundër turmës, Barak Obama e dënoi pushtimin me zë të lartë dhe publikisht.

Asnjë garanci

Fakti që ai u zgjodh president është shpërblimi i tij për këtë. Dhe kushdo në të gjithë botën që mendonte se Iraku ishte një vendim i gabuar do ta ndjejë se Amerika ka zgjedhur tani një shteg të ndryshëm - shtegun që të largon nga transferimet e të burgosurve të dyshuar për terrorizëm në vende të treta, Guantanamo, Abu Ghraibi, tortura me ujë dhe të tjera.

Amerika nuk është më fuqia që ka qenë. Pa dashur ta bëjë, presidenti Bush e demonstroi këtë. Ajo ende mund të udhëheqës, por nuk është më në një pozitë për të diktuar për botën.

Barak Obama është e qartë se e kupton këtë. Si një afrikan-amearikan, me kuptimin e vërtetë të fjalës, meqë i ati i tij ishte nga Kenia, ai nuk vjen nga një pozicion i privilegjit dhe superioritetit.

Ai do të jetë i hapur para botës në një mënyrë që presidenti Bush nuk ishte asnjëherë.

Dhe ai do ta tregojë edhe një herë vlerën e ëndrës amerikane.

Nuk ka asnjë garanci se ai do të jetë i suksesshëm, si president. Xhimi Karter e kuptoi pozicionin e zvogëluar të të SHBA-së në botën e pas Vietnamit dhe ai refuzoi t'i diktonte botës. Tani shumica e amerikanëve e konsiderojnë atë si dështim.

Por bota e jashtme është e kënaqur me fitoren e Barak Obamas. Dhe mendimi i saj për Amerikën do të ndryshojë respektivisht.