http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 05 nëntor 2008 - 13:41 CET

Reagime për Obamën

Shumë udhëheqës botërorë e kanë përshëndetur fitoren e Barack Obamës në zgjedhjet presidenciale si një kapitull të ri në marrëdhëniet e vendeve të tyre me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti kinez, Hu Xin Tao, tha se shpresonte që dialogu mes dy vendeve të forcohej.

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, tha se zgjedhja e zotit Obama në postin e presidentit kishte ngjallur shpresa të mëdha.

Kryeministri britanik, Gordon Brown, e quajti 'historik' rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Papa Benedikti tha se ai ishte lutur që presidenti Obama t'i përmbushte të gjitha shpresat që ishin ngritur për të.

Bota arabe ndërkaq e ka pritur me optimizëm të rezervuar fitoren e z. Obama. Kreu i Ligës Arabe, Amr Moussa, bëri thirrje për një rivlerësim të rolit që luan Amerika në rajon.

'Moto e z. Obama është për ndryshim," tha ai. "Ndryshimi na duhet të gjithëve. Ndryshim në drejtimin e politikës së jashtme. Ndryshim në drejtimin e politikës që është ndjekur në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm irakian, Hoshyar Zebari, tha se qeveria irakiane nuk i druhej angazhimit të z. Obama për tërheqje graduale të trupave amerikane nga Iraku.

"Ai na ka siguruar se nuk do të marrë vendime drastike dhe dramatike, se do të konsultohet me qeverinë irakiane dhe komandantët amerikanë në terren, por se beson fuqimisht se tërheqja graduale e forcave amerikane, nga Iraku do të vendosë më shumë përgjegjësi në supet e qeverisë irakiane dhe ne kemi ecur mjaft përpara," tha ai.

Në Afganistan, presidenti Hamid Karzai, tha se fakti që votuesit amerikan nuk i dhanë shumë rëndësi racës apo ngjyrës së lëkurës së fituesit të zgjedhjeve, do të ndikonte shumë për të përhapur të njëjtat vlera në pjesën tjetër të botës.

Presidenti rus, Dmitri Medvedev tha se shpresonte se administrata e re amerikane do të kërkonte bashkëpunim më të ngushtë me Moskën dhe shtoi:

"Dua të theksoj: ne nuk kemi probleme me popullin amerikan. Ne nuk kemi anti-amerikanizëm të lindur. Dhe shpresojmë që partnerët tanë, administrata e re amerikane, të bëjnë zgjedhje në favor të marrëdhënieve të plota me Rusinë".

Në Evropë, pas ndasive të krijuara me luftën në Irak, shumë udhëheqës evropianë, të cilët e mirëpritën zgjedhjen e z. Obama thanë se prisnin bashkëpunim më të ngusht.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, rreshtoi disa prej tyre: 'Kriza financiare, lufta kundër terrorizmit, çështjet e mbrojtjes klimatike dhe të tregtisë botërore'.

"Por unë mendoj se do ta bëjmë këtë në frymën se askush nuk është në gjendje t'i zgjidhë i vetëm problemet e botës," shtoi ajo.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, tha se e shihte fitoren e Obamës si një mundësi për një marrëdhënie të një lloji të ri mes Amerikës dhe BE-së.

"Na duhet nje marrëveshje e re që mbulon stabilitetin global, prosperitetin global, duke përfshirë dhe tregtinë, përmbushjen e Objektivave të Mijevjecarit, luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe promovimin e paqes dhe të drejtave të njeriut në botë," tha ai.

Festime në Afrikë

Në Kenia, vendlindjen e babait të zotit Obama, presidenti Mwai Kibaki, e shpalli ditë pushimi ditën e enjte për të festuar fitoren e zotit Obama.

Fitorja e Barack Obamës po festohet në shumë vende afrikane.
Udhëheqës të disa vendeve nga Somalia deri në Afrikën e Jugut i kanë dërguar urimet e tyre presidentit të sapozgjedhur amerikan.

Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, tha se fitorja e zotit Obama tregonte se çdokush mund të ëndërrojë për ta bërë botën një vend më të mirë.

Korrespondentët e BBC-së thonë se entuziazmi në Afrikë për fitoren e zotit Obama është më i madh se në pjesët e tjera të botës.