BBCAlbanian.com
 
Botuar: E diel, 07 shtator 2008 - 10:02 CET
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
Portret: John McCain
 
John McCain
McCain për veten: 'Konservator me gjykim të shëndoshë'
Hero lufte, pa dorashka dhe disident politik. Kështu është përshkruar senatori republikan, John McCain.

Veteran i luftës në Vietnam që i mbijetoi burgimit pesëvjeçar si hero lufte, z. McCain është ngjitur në shkallët e hierarkisë së politikës në Amerikë dhe është bërë një zë i fuqishëm në çështjet ushtarake dhe ato të politikës së jashtme.

Nëse kandidatura e tij për Shtëpinë e Bardhë, i vetëcilësuar si 'konservator me gjykim të shëndoshë', do të kishte sukses, ai do të bëhej presidenti më i moshuar që do të bënte betimin në këtë post për mandatin e parë.

Pasi ka siguruar me efektivitet kandidimin e Partisë Republikane për garën e 2008-ës, tani për të pengesa e vetme është rivali demokrat, Barack Obama.

Përfaqësues i vijës së ashpër në fushën e politikës së jashtme, z. McCain është një nga mbështetësit më të fuqishëm të luftës në Irak dhe ka mbështetur përforcimin e trupave amerikane atje nën drejtimin e gjen. David Petraeus.

E megjithatë, ai e ka përshkruar ish-ministrin e Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, me peshë në administratën e parë të presidentit Bush, si "një nga ministrat më të dobët të mbrojtjes në histori" dhe ka kritikuar mënyrën se si e ka trajtuar konfliktin administrata e Bushit.

Z. McCain ka kundërshtuar haptazi transportimin e të dyshuarve për terrorizëm në burgje sekrete në vende ku përdoren metoda më të ashpra të marrjes në pyetje dhe përdorimin e torturës.

Ai ka qenë ndër përkrahësit e legjislacionit që ndalon trajtimin mizor, çnjerëzor dhe degradues të të dyshuarve për terrorizëm.

Konservator fiskal

Ai nuk i ka shmangur mosmarrëveshjet me partinë Republikane dhe në fushën e politikës së brendshme.

Fillimisht, kritikoi planet e presidentit George Bush për uljen e taksave, duke deklaruar para Senatit në vitin 2001 se nuk ia lejonte ndërgjegjja që të mbështeste një zvogëlim taksash nga i cili, në pjesën më të mirë, do të përfitonin "ata me më shumë fat në mesin tonë, në kurriz të amerikanëve të shtresës së mesme".

Ai thotë se është konservator fiskal dhe se beson në një buxhet të balancuar.

z. McCain po ashtu ka ngjallur dhe zemërimin e shumë konservatorëve socialë me pikëpamjet e tij, relativisht liberale, për martesat mes homoseksualëve, abortin dhe për reformën e imigracionit.

Ndoshta ndryshimi i tij më i madh me administratën e z. Bush qëndron në çështjen e ndyshimeve klimatike.

Z. McCain thotë se do të nënshkruajë një traktat të ri për ndryshimet klimatike, me kusht që ai të nënshkruhet dhe nga Kina e India.

Qëndrim bipartizan

Z. McCain nuk ka pasur aspak drojë të punojë ngushtë me kolegët tij demokratë në Kongres për të përmbushur synimet e veta.

Ai ka bashkësponsorizuar legjislacion që kërkoi të prezantonte tregtimin e karbonit dhe vendosjen e sasive të detyrueshme të sasisë së dioksidit të karbonit që mund të emetohej në SHBA, në bahskëpunim me senatorin demokrat Joe Lieberman.

Ai po ashtu bashkësponsorizoi një projektligj bipartizan për imigracionin në vitin 2007, i cili, po të miratohej, do t'u kishte ofruar amnisti imigrantëve ilegale në Amerikë.

Pikëpamja e tij se të huajt që punojnë pa dokumentacion të rregullt në Amerikë duhet të futen në rrugën drejt nënshtetësisë, nuk përputhet me atë të shumë prej kolegëve të tij republikanë.

Bashkë me demokratin Russ Feingold, në vitin 2002 ai ishte autori i një projekti të madh që synonte të reduktonte ndikimin e financave dhe grupeve të lobimit në zgjedhjet amerikane.

E shkuara ushtarake

Z. McCain u apelon shumë votuesve për shkak të karakterit të tij, që është formuar nga shumë vitet e shërbimit në Flotën Detare amerikane.

Biri i një admirali të lartë, z. McCain diplomoi në Akademinë Amerikane të Marinës në vitin 1928 dhe nisi një karierë 22 vjeçare si pilot në Flotën Detare.

I dislokuar në Vietnam, ai i shpëtoi vdekjes për pak në korrik të vitit 1967 kur, teksa përgatitej të nisej me një mision bombardimi, një raketë goditi rezervuarin e karburantit të avionit të tij, që u përfshi nga flakët. Gjatë incidentit humbën jetën 134 ushtarë.

Tre muaj më vonë avioni i tij u godit teksa fluturonte mbi veriun e Vietnamit. Ai vetë, u kap nga luftëtarët vietnamezë, por e refuzoi ofertën e tyre për ta liruar më shpejt për shkak të postit të lartë që mbante i ati.

Kështu z. McCain u mbajt i burgosur për mbi pesë vjet. Gjatë burgosjes u rrah dhe abuzua shpesh. Nga kjo, ai nuk mundet edhe sot ta lëvizë lirisht njërin krah.

Pas kthimit në SHBA ai vazhdoi karierën ushtarake dhe shërbeu si ndërlidhës i Flotës detare në Senat deri në daljen në pension, në vitin 1981.

Karriera politike

Pikërisht në këtë moment, z. McCain u vendos në Arizonë për të nisur karierën politike. Ai fitoi në zgjedhjet për në Kongres në vitin 1982 dhe katër vjet më vonë siguroi një vend në Senat.

Z. McCain u përball me z. Bush, por pa sukses për kandidaturën e Republikanëve për garën presidenciale të vitit 2000.

Fillimisht, stili i tij i drejtpërdrejtë i siguroi mbështetje dhe fitore të papritur në zgjedhjet paraprake në New Hampshire.

Por më vonë gjatë fushatës, ai u dëmtua nga një seri sulmesh dhe u armiqësua me pjesëtarë me influencë të klerit të djathtë.

Z. Bush fitoi kandidimin e republikanëve dhe z. McCain u kthye në Senat, ku shërbeu si anëtar i Komisionit të rëndësishëm të Forcave të Armatosura.

Që nga ajo kohë, ai i ka ashpërsuar pikëpamjet e veta në disa çështje sociale, si aborti, por megjithatë ende shihet me dyshim nga të krishterët evangjelistë.

'Fitorja në Irak e arritshme'

Në fushën e politikës së jashtme, z. McCain ka mbështetur qëndrimin e z. Bush për Lindjen e Mesme dhe Irakun.

Ai ka theksuar vazhdimisht nevojën për dislokimin e trupave shtesë nw Irak për të ndihmuar që t'i jepet fund dhunës dhe ka mbështetur operacionin e fundit të shtimit të trupave në Bagdad.

Por ai ka kritikuar ushtarakë dhe zyrtarë të lartë të Pentagonit për taktikat e luftës atje.

"Kemi bërë shumë gabime të mëdha në këtë luftë dhe historia do na gjykojë për to, " tha ai gjatë një fjalimi në nëntor të vitit 2006.

"Situata në Irak është e rëndë. Por unë besoj se fitorja është ende e arritshme. Dhe jam i sigurt se disfata jonë atje, do të ishte katastrofë jo vetëm për Shtetet e Bashkuara".

Z. McCain është po ashtu mbështetës i një qëndrimi të ashpër ndaj Iranit.

Gjatë fushatës në muajin prill të vitit të shkuar, ai këndoi 'Bomb Iran' ('Bombardoni Iranin') nën tingujt e një kënge të grupit Beach Boys, titulli i së cilës rimonte me deklaratën e tij, 'Barbara Ann', dhe me këtë tërhoqi shumë kritika.

Por ai i injoroi kritikat dhe tha se e kishte kënduar për të argëtuar njerëzit.

 
 
GJITHASHTU
 
 
Dërgoja një miku   Version i printueshëm
 
 
 
BBC ©
 
^^ Kthehu në krye
 
  Arkiv
 
  BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>