http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E shtunë, 23 gusht 2008 - 15:28 CET

Portret: Joe Biden

Ajo që shihet si pika më e fortë e senatorit Joseph Biden, konsiderohet si pika më e dobët e Barack Obamës: politika e jashtme.

Ekspertiza e tij në këtë fushë mund ta ndihmojë senatorin Obama që të vetëmbrohet nga sulmet e republikanëve se ai nuk është gatshëm për postin e presidentit.

Ata e plotësojnë njëri-tjetrin dhe në mënyra të tjera. Ndërsa z. Obama shihet si gjakftohtë dhe i përmbajtur, z. Biden mund të jetë më i gjallë dhe më luftarak në sulmet ndaj kundërshtarëve.

Z. Biden në të njëtën kohë ka përvojë në garat presideciale. Ai ishte në garë me z. Obama për zgjedhjet e 2008-ës, por u tërhoq në muajin janar.

Ai kandidoi për postin e presidentit dhe në vitin 1988, por u tërhoq pasi e pranoi se kishte përdorur si të tijin pjesë nga një fjalim i udhëheqësit të laburistëve britanikë të asaj kohe, Neil Kinnock.

Z. Biden e njeh mirë Uashingtonin zyrtar. Ai ka përfaqësuar në Senatin amerikan që nga viti 1972 shtetin e vogël veriperëndimor, Delaware.

Ai ka drejtuar tri herë Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Edhe pse votoi pro fillimit të luftës në Irak, ai nisi të paralajmëronte për koston e pushtimit të gjatë të Irakut kohë para se ai të niste.

Që nga ajo kohë, ai ka mbështetur idenë e federalizimit të Irakut, duke e parë ndarjen e butë të vendit përgjatë kufijve etnikë, si rrugëzgjidhje për konfliktin.

Lidhja e tij me Irakun është dhe personale. Djali i tij, Beau, Prokurori i Përgjithshëm në Delaware, është kapiten në Gardën Kombëtare dhe njësiti i tij pritet që të dislokohet së shpejti në Irak.

"Ai do të niset. Unë nuk dua që të shkojë," tha së fundmi z. Biden.

"Por unë nuk dua që nipërit e mbesat e mi të shkojnë atje pas 15 vjetësh. Kështu që mënyra se si ne do të largohemi (nga Iraku) përbën një ndryshim të madh".

Rol i Biden

Z. Biden ka lindur në vitin 1942 në Scranton, Pensilvani. Ai ishte një nga katër fëmijët e një familje katolike irlandeze.

Më vonë familja u vendos në Delaware, ku ai ndoqi studimet në Shkollën Juridike Syrakuse në Universitet.

Analistët thonë se senatori mund të luajë një rol të rëndësishëm në sigurimin e mbështetjes së atyre votuesve nga shtresa e mesme e intelektualëve dhe nëpunësve, të cilët senatori Obama deri tani nuk ka arritur t'i bëjë për vete.

Por reputacioni i z. Biden si ekspert në fushën e politikës së jashtme dhe përvoja e tij në Uashington mund të kenë dhe efekt negativ.

Zgjedhja e tij për postin e zëvendëspresidentit mund të nxjerrë më në pah mungesën e përvojës së vetë z. Obama.

Në të njëtën kohë ajo mund ta bëjë më të vështirë punën e ekipit të Obamës për të theksuar mesazhin e tyre për ndryshim.