http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 10 mars 2008 - 08:52 CET

Thaçi: Koshtunica është e shkuara e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se me rënien e qeverisë së Koshtunicës ka rënë mentaliteti i së kaluarës në Serbi.

Ai i bëri këto komente në vendkalimin kufitar të Kosovës me Serbinë në Merdare, ku vendosi pllakën me mbishkrimin "Mirë se vini në Republikën e Kosovës".

Kryeministri Thaçi tha se politika shtetërore e Kosovës është politikë e fqinjësisë së mirë.

Ai theksoi se Kosova dhe Serbia, si dy shtete të veçanta, do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Kreu i qeverisë së Kosovës shprehu besimin e tij se me rënien e qeverisë së kryeministrit Vojisllav Koshtunica do t'i mundësojë Serbisë të shikojë drejt së ardhmes së saj evropiane.

"Në fakt zhvillimet historike dhe vendimtare të rëndësishme të vendimeve që kemi marrë ne në Kosovë, gjithmonë kanë ndikuar në demokratizimin e Serbisë, edhe në vitin 1999 kur e kemi larguar ushtrinë, policinë dhe administratën e Serbisë nga Kosova ka filluar rënia e Millosheviqit, edhe tani me pavarësinë e Kosovës ka rënë edhe Koshtunica, thjeshtë ka rënë mentaliteti i së kaluarës në Serbi," tha zoti Thaçi.

Një politikan serb në Kosovë, Rangjell Nojkiq, vlerëson pozitivisht rënien e qeverisë aktuale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

"Mendoj se është më mirë që ka ndodhur kjo, sepse do të profilizohet qartë cili është ai bllok që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë shumicën parlamentare dhe në këtë mënyrë do të rritet mundësia që serbët përmes institucioneve ndërkombëtare të mbrojnë interesat e tyre në Kosovë", tha zoti Nojkiq.

Sipas tij, rënia e qeverisë së Serbisë nuk do të ketë ndikim të veçantë në jetën e serbëve në Kosovë.

Ai beson se qeveria serbe do të vazhdojë të ndihmojë serbët e këtushëm pavarësisht nga zhvillimet e brendshme politike.