http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 20 shkurt 2008 - 07:13 CET

Violeta Hyseni, Seladin Xhezairi
BBC Prishtinë, Beograd

Reagime të ndryshme ndaj incidentit

Me vendimin e shefit të UNMIK-ut, Joachim Reucker dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralit Xavier de Marnac po mbahen të mbyllura dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në veri të vendit.

Vendimi për mbylljen 24 orë të vendkalimit kufitar në Leposaviq dhe atij në Zubin Potok është marrë pasi grupe protestuesisht serbë të zemëruar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dogjën këto dy pika kufitare.

Situata është qetësuar pas ndërhyrjes së shpejtë të trupave të NATO-s, ndërsa policia e Kosovës dhe ajo ndërkombëtare janë tërhequr nga dy pikat kufitare.

Autoritetet në Prishtinë kanë dënuar incidentin. Presidenti Fatmir Sejdiu u ka bërë thirrje serbëve që të kthehen në jetën normale, duke theksuar se Kosova është shtet i të gjithëve.

"Ne e kuptojmë se mund të kenë një shqetësim të momentit, por thirrja jonë është që të kthehen në jetën normale, që të jenë pjesëtarë aktivë në jetën e përditshme dhe institucionale. Kosova është e përbashkët, atë do ta ndërtojmë dhe zhvillojë si Kosova integrale, të pandashme dhe si Kosovë të të gjithë qytetarëve", tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ndërkaq ka thënë se gjendja është nën kontroll të autoriteteve të rendit dhe nuk ka nevojë për shqetësime.

Sipas tij, incidentet e djeshme nuk mund të zbehin imazhin pozitiv të festimeve për pavarësinë e Kosovës.

"Gjithçka është nën kontrollin e NATO-s dhe autoritetit kosovar dhe ndërkombëtar civil. Këto janë incidente të izoluara që në asnjë rrethanë nuk do ta zbehin madhështinë e festës dhe fisnikërisë së qytetarëve të Kosovës, prandaj nuk ka vend as për frikë, as për panik, por vetëm për qetësi, urti dhe vazhdim të punës sonë", tha z.Thaçi.

Reagimi nga Beogradi

Reagimi zyrtar ka ardhur nga ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq.

Ai duke komentuar këto zhvillime për median e këtushme tha se veprimi i serbëve në dy vendkalimet kufitare nuk është inicuar nga Beogradi, por se ai është në përputhje me politikën epërgjithshme të qeverisë së Serbisë për marrjen për sipër të politikës doganore, si dhe të gjitha kompetencat e tjera, aty ku mundet në Kosovë:

“Mendoj se kjo është legjitime. Ndoshta, nuk është mirë, por është legjitime”- tha zoti Samarxhiq duke tërhequr vërejtjen se vendi i tij nuk mund të lejojë që misioni i Bashkimit Evropian të marrë pikat doganore, por as edhe funksionet e tjera nga UNMIK-u.

Zyrtari i lartë serb, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me Kosovën i tha televizionit B92 se është mirë që pjesa veriore ka mbetur me Serbinë.

Një prononcim i tillë i ministrit Samarxhiq duket se është në favor të analistëve serbë, sipas të cilëve nuk përjashtohet mundësia që tani Serbia të luajë në atë që quhet kartë e ndarjes së pjesës veriore të Kosovës që aktualisht administrohet nga serbët.