http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E mërkurë, 20 shkurt 2008 - 17:46 CET

Feith thotë se Kosova s'është protektorat

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith hapi zyrën e tij në Prishtinë duke u kërkuar serbëve që të mos frikësohen nga BE-ja.

Duke folur tre ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, zoti Feith tha se BE-ja do t'i dislokonte 2000 zyrtarët e policisë dhe gjyqësorit në mbarë Kosovën, përfshirë edhe në veriun e dominuar nga serbët.

Por ai shtoi se do të ishte e gabuar të sygjerohej se Kosova do të bëhej protektorat i BE-së:

"Po ndodh një transferim i autoritetit që do të jetë nga OKB-ja në qeverinë e Kosovës. Nuk është një transferim nga OKB-ja tek BE-ja, sepse jemi në një pozitë të ndryshme këtu."

"Ne nuk do të vazhdojmë administrimin e Kosovës. Është qeveria ajo që do të marrë përgjegjësitë dhe ne jemi këtu si këshilltar të afërt të qeverisë me përgjegjësinë e caktuar të zbatimit të zgjidhjes së gjithanshme", tha përfaqësuesi i BE-së.

Zoti Feith e cilësoi ekonominë e Kosovës si një prej çështjeve kryesore, me të cilën duhej të merrej BE-ja.

"Unë mendoj se me forcimin e sigurisë për të gjithë shtetasit përfshirë edhe komunitetin serb, ekonomia, krijimi i vendeve të punës, rritja, investimet janë ato që do t'i bëjnë njerëzit të qëndrojnë ku janë dhe të ndihen më pranë institucioneve evropiane, të cilave u përkasin", tha Pieter Feith.