http://www.bbcalbanian.com

Botuar: E hënë, 18 shkurt 2008 - 11:02 CET

Chernomyrdin: U përpoqëm t'i ulim palët

Rusia e ka kundërshtuar me vendosmëri shpalljen e pavarësisë së Kosovës duke e quajtur atë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Russia është në kundërshti të plotë me qëndrimin e SHBA-së e vendeve të BE-së që mbështesin pavarësinë e Kosovës.

Nëntë vjet më parë kur NATO-ja përgatitej të sulmonte ish-Jugosllavinë e cunguar të atëhershme, si Rusia ashtu edhe fuqitë perëndimore u përpoqën të bindin presidentit e atëhershëm serb Slobodan Miloseviç që të pranojë një zgjidhje të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për Kosovën dhe të ndalonte sulmet ushtarake ndaj shqiptarëve.

Ish-kryeministri rus Victor Chernomyrdin ishte një prej negociatorëve ndërkombëtarë së bashku me ish-presidentin finlandez Marti Ahtisaari.

BBC e intervistoi zotin Chernomyrdin në Kiev, ku ai është tani ambasador i Rusisë në këtë vend:

BBC: Duket se Rusia ishte në të një anë si SHBA-ja dhe BE-ja. Cili ishte pozicioni i Rusisë në atë kohë?
Zoti Chernomyrdin: Pozicioni ynë atëhere ishte i qartë si kristali. Përparësia numër një ishte që t'i jepej fund luftës dhe të ndalohej bombardimi i Jugosllavisë. Atëhere ne dëshironim që t'i bënim palët ndërluftuese të uleshin në tavolinën e negociatave. Rusia veproi si ndërmjetëse - jo si pjesëmarrëse në ato ngjarje. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, sepse njerëzit shpesh harrojnë se Rusia nuk ishte pjesëmarrëse, por në fakt iu kërkua të ndihmojë për të ndërmjetësuar që t'i jepej fund konfliktit. Ne e bëmë atë me ndërgjegje të pastër. Pasi u bë një punë shumë e vështirë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë - no 1244. Njerëzit ende e përdorin atë. Po, pse ... sepse nuk është zbatuar .. Dhe kjo është arsyeja pse ne po marrim të korrat e tanishme. Nëse Rezoluta do të ishte zbatuar, nuk do të kishte më probleme.

BBC: Cilat janë përshtypjet tuaja për atë mision.
Zoti Chernomyrdin: Unë e kreva punën time me ndërgjegje. Unë e them përsëri - unë nuk jam diplomat dhe nuk mu kërkuar të kryej punën e një diplomati, por si Viktor Chernomyrdin, një burrë shteti. Unë i njihja të gjithë që ishin të përfshirë, dhe ata të gjithë më njihnin mua. Unë punova krahëpërkrah me një grup të madh udhëheqësish, evropianë, ballkanikë dhe amerikanë e kinezë. Kjo ishte detyra ime. Por sigurisht që ishte e lehtë se unë i njihja të gjithë që më parë.

BBC: Si ndjeheni tani pasi negociatat nuk dhanë frute, sulmet e NATO-s pasuan, KFOR-i, përfshirë trupat ruse, u dërgua në Kosovë dhe atje u vendos administrata e OKB-së?
Zoti Chernomyrdin: Është shumë keq që kemi ardhur sot në një gjendje tensionesh të tilla. Kosova, me të vërtetë, historikisht, është tokë serbe. Ajo është Serbia. Atëhere, u mor vendimi që t'i jepej Kosovës autonomi e gjerë. Çfarë tjetër duan ata? Ky ishte vendimi që mori Këshilli i Sigurimit të OKB-së - pra, pse nuk është zbatuar ajo? Me të vëtetë, çfarë tjetër duan ata. Nëse Kosova shkëputet nga Serbia, do të bëhet një shembull shumë i keq. Ky është qëndrimi i Rusisë, dhe Rusia nuk e ndryshon këtë.